Ndërlidhjet

MISSIROLI:"NË NJËRËN OSE FORMËN TJETËR KOSOVA DO TË PAVARËSOHET"


Antonio MISSIROLI, drejtor i Qendrës për Politikë Evropiane /Bruksel/

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga temat e samtitit të G-8 është edhe Kosova. Pas retorikës së nxehtë ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës rreth sistemit amerikan të mbrojtjes raketore a mendoni se Kosova mund të mbetet në plan të dytë?

ANTONIO MISSIROLI
Kemi të bëjmë me dy çështje. Njëra ndërlidhet me planin e Ahtisarit për Kosovën. Hollësitë e këtij plani janë të njohura dhe tash sa kohë është në përgatitje propozimi final. Rusia kundërshton këtë plan, por ende nuk është e sigurtë nëse do të vë veto në Këshillin e Sigurimit. Njëkohësisht në Serbi kemi qeverinë e re. Shikuar nga një kontekst më i gjërë në marrëdhënjet e Uashingtonit dhe Moskës ka shumë çështje të hapura. Vëzhguesit thonë se Rusia është duke shtuar numrin e çështjeve të hapura për të fituar kompenzime në anët tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Situata në Kosovë aktualisht është stabile, por cilat mund të jenë pasojat e vazhdimit eventual të status quos?

ANTONIO MISSIROLI
Ata që janë afër procesit negociator kushtuar statusit të Kosovës e dijnë se nuk ka gjasa për ndonjë afrim të qëndrimeve të Prishtinës dhe Beogradit dhe insistimi i Moskës për vazhdimin e bisedimeve është "blerje e kohës". Duhet thënë se edhe "blerja e kohës" më nuk funksionon, sepse nëse nuk do të ketë rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit, do të kemi njohje unilaterale të Kosovës. Pikërisht kjo rrethanë mund të paraqet problem për Bashkimin Evropian, sepse në këtë rast nuk dihet se cilat vende të BE-së do të vendosin ta njohin Kosovën. Rrjedhimisht status qoja është e pa qëndrueshme dhe mbetet të shihet nëse nga kjo gjendje do të dilet me rezolutë të re apo me njohje unilaterale të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se nuk do të ketë rezolutë të re. Në këtë rast cili mund të jetë reagimi në Kosovë dhe cili në Serbi?

ANTONIO MISSIROLI
Kemi premtimin e qeverisë së Kosovës, sipas të cilës, në rast të mungesës së rezolutës së re, shpallja e pavarësisë do të bëhet nga fundi i vitit. Nëse kjo është e saktë, atëherë ka ende hapësirë prej disa muajve që përmes ndërmjetësimit të bashkësisë ndërkombëtare të përcaktohen kushtet e pavarësisë. Në këtë rast do të ketë hapësirë për presion shtesë ndaj Rusisë, e cila mbase do ta kuptoj se Kosova heret a vonë do të pavarësohet dhe ndoshta Moska do të ndryshoj qëndrimin.

RADIO EVROPA E LIRË
A ekziston plani "B" për Kosovën. Disa madje përmendin ndarjen e Kosovës...?

ANTONIO MISSIROLI
Kjo është një çështje shumë delikate dhe ka të bëjë me parimet. Bashkësia ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian në parim nuk pajtohen me ndarjen e Kosovës. Kuptohet për parimet mund të diskutohet. Mund të mendohet për një autonomi të gjërë për bashkësinë serbe në veri, por nuk është reale që ndarja të jetë e pranueshme në çfardo forme.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se në rast të zhagitjes së definimit të statusit të Kosovës, mund të ketë tensione në Kosovë dhe rajon?

ANTONIO MISSIROLI
Natyrisht, tensionet mund të rriten dhe madje edhe të provokohen. Nëse do të ketë bllokim të rezolutës në Këshillin e Sigurimit disa "lojtarë" mund të nxisin tensione në teren. Shi për këtë status quoja nuk është e zgjidhje e mirë. Ajo duhet të ndryshohet. Statusi i Kosovës nuk është dhe nuk mund të jetë precedent për rastet tjera. Është paradoksale që Rusia do të jetë e gatshme të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, nëse ajo do të çonte drejt precedentit për rastet tjera siç janë Abkhazia ose Osetia Jugore.

Intervistoi: M. RAKELA
XS
SM
MD
LG