Ndërlidhjet

BERISHA: NË ÇASTET MË KRITIKE SHQIPTARËT IA KANË DALË MBANË NË SAJE TË SHBA-VE


Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, opinioni publik dhe të gjitha krahët e politikës si rrallë herë kanë ndarë të njëjtin qëndrim për vizitën e presidentit Bush, duke e cilësuar historike.

SALI BERISHA
Kjo është vizitë historike, pasi është vizita e parë e një presidenti amerikan në detyrë. Kjo është ngjarja më kulmore në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë.
Të gjitha palët dhe të gjithë shqiptarët presin me padurim vizitën e presidentit të SHBA-ve në Shqipëri, pasi ndjenjat miqësore dhe proamerikanizmi i shqiptarëve është i ngulitur thellë në ndërgjegjen e tyre kombëtare.
Ata ndjejnë një mirënjohje shumë të madhe, pasi në castet më kritike për lirinë e tyre ata ia kanë dalë mbanë vetëm se kanë pasur në anën e tyre Shtetet e Bashkuara, kombin dhe qeverinë amerikane.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë problemet apo temat që ju do diskutoni me presidentin amerikan, a ka një axhendë që mund të bëhet publike?

SALI BERISHA
Sigurisht që ka një axhendë që mund të bëhet publike. Së pari një mirënjohje shumë e thellë për ndihmën e gjithanshme që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Reformat në Shqipëri, marrëdhëniet e shkëlqyra dypalëshe dhe intensifikimi i tyre në të gjitha fushat. Zhvillimet rajonale dhe ndër to si më kryesorja cështja e Kosovës.
Mbështetja e SHBA-ve për anëtarësimin e Shqipërisë, është një temë shumë e rëndësishme, pasi anëtarësimi në NATO, përbën dhe objektivin e parë të Shqipërisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka ekspertë që në mesin e arsyeve të vizitës së presidentit Bush në Shqipëri rendisin dhe nxitjen e reformave të Shqipërisë për anëtarësim në NATO, pasi këto reforma janë disi më pas se dy vendet e tjera të Kartës Adriatik 3? A ndani të njëjtin mendim?

SALI BERISHA
Le t'i shohim gjërat realisht. Ritmi i reformave në Shqipëri, po të marrim startin nga i cili kanë nisur, janë reformat më të mëdha se të cdo vendi tjetër do të thosha.
Në rast se Shqipëria nisi si vendi i kolektivizimit më të thellë që mund të ekzistojë, total do të thosha, sot 80% e prodhimit të brendshëm vjen nga sektori privat.
Shqipëria është vendi që ka pasur rritjen ekonomike më të shpejtë në tërësi në këto 15 vite krahasuar thuajse me të gjitha vendet e tjera.
Ndërkaq po të shohim gjendjen ku ndodhet Shqipëria sot ka dallim me të dy vendet e tjera të Kartës Adriatik 3, pasi Shqipëria e nisi nga një nivel krejt tjetër.
Por në dy drejtime Shqipëria është në avantazh. Së pari në këto 15 vite shqiptarët më shumë se cdo komb tjetër i vendev ish komuniste ka bashkëpunuar në mënyrë luajale me NATO-n. E them këtë pasi Shqipëria dhe shqiptarët ishin në një zonë konflikti. Ata bënë cdo gjë për të lehtësuar dhe për të bashkëpunuar me NATO-n.
Së dyti, ushtria shqiptare ka bërë reformat më të thella se ndoshta cdo ushtri tjetër në rajon. Ka bërë përpjekjet më serioze dhe më të ndershme në format e organizimit dhe për t'u afruar me standardet e NATO-s.
Duke thënë këto, natyrisht unë jam i vetëdijshëm për mangësitë.
Por në rast se Shqipëria nuk ka nivelin aktual që ka Kroacia dhe në disa aspekte dhe Maqedonia, Shqipëria sërish ka përparësitë e saj. Një komb 93% e të cilit mbështet anëtarësimin në NATO do të thotë se shqiptarët shpirtërisht ndihen anëtarë të NATO-s.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti Bush vjen në Tiranë në kohën kur marrëdhëniet me Rusinë janë tensionuar e ka nga ata që flasin për Luftë të re të ftohtë. Cili është pozicionimi i Tiranës zyrtare?

SALI BERISHA
Vetë presidenti ka qartësuar se nuk bëhet fjalë për një luftë të ftohtë. Tirana zyrtare ka mbështetur dhe mbështet fuqishëm SHBA-të për shkak të një historie që i detyron shqiptarët të kenë mirënjohje të thellë për ndihmën që kanë marrë në të gjitha momentet kyce të përpjekjeve të tyre për liri dhe dinjitet, por dhe për faktin se Shtetet e Bashkuara janë dëshmuar si shtyllë kryesore e paqes, lirisë dhe stabilitetit.
Ne kemi një problem më specifik në këtë rast, kemi problemin e Kosovës. Për fat të keq Kremlini po përshtat atë qëndrim që ka përshtatur thuajse në 130 vitet e fundit, duke besuar se paqja dhe stabiliteti në Ballkan arrihen përmes hegjemonisë serbe në rajon. Kjo është provuar si katastrofë e vërtetë për Ballkanin.

RADIO EVROPA E LIRË
Takimi me presidentin Bush zhvillohet derisa sipas disa burimeve vendet e G8-ës kanë rënë dakord për shtyrjen e përcaktimit të statusit së paku për 6 muaj. Cili është qëndrimi i Shqipërisë pas këtij propozimi, kur Tirana zyrtare ka qenë kundër status quosë?

SALI BERISHA
Shqipëria beson se status quoja nuk shërben, por nga ana tjetër ne jemi shumë të bindur se zgjidhje tjetër përvec pavarësisë së Kosovës nuk ka dhe nuk do mund të ketë. Në këtë kontekst nuk jam i informuar lidhur me propozimin e bërë në G8, por mendoj se është e domosdoshme që të ecet drejt zgjidhjes përfundimtare. Kjo pasi kam bindjen se as gjashtë muaj dhe mjerisht as disa vite nuk do mund ta clirojnë Beogradin nga fantazma e Serbisë së Madhe, dhe as nuk do ndryshojë qëndrimin e Kremlinit.
Kremlini me sa duket nuk ka ndërmend të shqyrtojë qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve, qëndrim që ka qenë, jo i vetëm, por në bazë të problemeve shumë të mëdha të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë hapat që do marrë Shqipëria nëse shtyrja e vendimit për statusin bëhet qëndrim zyrtar? Cfarë do kërkoni konkretisht nga presidneti Bush në takimin e së djelës dhe cfarë do kërkoni nga Prishtina zyrtare?

SALI BERISHA
Do t'i paraqes presidentit Bush pikëpamjet e Qeverisë për rëndësinë vendimtare që ka për paqen dhe stabilitetin në Ballkan zgjidhja e statusit final të Kosovës.
Për Prishtinën zyrtare dhe për qytetarët e Kosovës sërish bëj thirrje të dëshmojnë urtësi, vetpërmbajtje dhe të jenë të bindur e të sigurt se nuk do mund të ketë zgjidhje tjetër, përvec asaj për të cilin ata kanë votuar, kanë luftuar, kanë sakrifikuar, pra përvec shtetit të tyre të lirë dhe të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund a mund ta përmbledhim qëndrimin e Tiranës zyrtare se do vazhdoni të mbështesni pavarësinë e Kosovës, sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht vendimeve që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare...

SALI BERISHA
Është e saktë që ne mbështesim pavarësinë, por jemi të vendosur të bashkëpunojmë ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që kjo pavarësi të ketë njohjen më të gjerë dhe të konsolidohet me shpejtësi.
Në këtë kontekst ne jemi të vendosur të kordinojmë qëndrimet tona me miqtë e mëdhenj të Kosovës, të cilët në dijeninë time janë të bindur se zgjidhja e vetme është pavarësia, fillimisht e mbikqyrur dhe pastaj e plotë. Do të bashkërendojmë veprimet edhe me Prishtinën zyrtare që procesi pavarësisht nga ngadalësimet të ecë i sigurtë.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG