Ndërlidhjet

PRISHTINA KUNDËRSHTON PROPOZIMIN FRANCEZ PËR SHTYRJEN E VENDIMIT PËR STATUSIN


Zijadin Gashi

Prishtina zyrtare nuk i mbështet nismat për shtyrjen e marrjes së vendimit për statusin e Kosovës. Por, përkundrazi, anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë kërkuar që procesi të ecë sipas një dinamike të shpejtuar, në mënyrë që rezoluta e përgatitur për Kosovën të vihet sa më parë për votim në Këshillin e Sigurimit. Takimi i sotëm i Ekipit të Unitetit, ku ka marrë pjesë dhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i ka pasuar zhvillimet në Samitin e G-8-ës dhe diskutimet për Kosovën, si dhe propozimin e presidentit francez, Sarkozi, që marrja e vendimit për statusin të shtyhet për një periudhë prej 6 muajve. Presidenti Fatmir Sejdiu tha me këtë rast, se qëndrimi i Prishtinës është shumë i qartë dhe kërkohet që të nxirret për miratim sa më shpejt rezoluta e re në Këshillin e Sigurimit. “Jemi të interesuar dhe angazhohemi që të shkojë sa më shpejt çështja e nxjerrjes së rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit, për mbështetje të propozimit të presidentit Ahtisaari, se është interes i qytetarëve të Kosovës, i të gjithëve, që të kenë perspektivën e tyre të hapur”, është shprehur presidenti Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri Agim Çeku shprehi shqetësimin e tij, se zvarritjet dhe shtyrjet do të ndikonin shumë negativisht në gjendjen në Kosovë. Ai tha se pala kosovare, pavarësisht zhvillimeve të fundit, vazhdon të mbetet unike, garanton stabilitet në Kosovë dhe garanton ruajtjen e partneritetit me faktorin ndërkombëtar. “Ne nuk mund të presim më. Çdo ditë shtyrje do të thotë rritje e frustrimeve, do të thotë humbje e legjitimitetit edhe e lidershipit kosovar, por edhe humbje e besimit dhe legjitimitetit te faktori ndërkombëtar. Çdo ditë shtyrje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ne duhet të lëvizim”, ka theksuar Çeku. Ndërkohë, lideri i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi, tha se e pranonte që gjërat janë komplikuar dhe janë shqetësuese. Por, ai theksoi se fati i Kosovës nuk do të jetë në duart e grupeve që do të donin ta shfrytëzojnë situatën e tashme dhe se fati i Kosovës, sipas tij, do të jetë në duart e popullit dhe lidershipit të saj. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se i ftonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, që mos t’i përqafojnë propozimet për shtyrje, dhe kërkoi që nxjerrja e rezolutës për Kosovën të dalë sa më shpejt para Këshillit të Sigurimit. “Koha për pavarësi është tani. Çdo ditë e humbur mund të sjellë dilema të reja. Prandaj, ne jemi të përgatitur për pavarësi dhe koha për pavarësi është që sot”, ka thënë Thaçi. Në anën tjetër, kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, tha se Ekipi i Unitetit i kishte dhënë, në njëfarë forme, bashkësisë ndërkombëtare sot një afat, deri në muajin tjetër, që ta qesë në votim rezolutën, pavarësisht nëse do të ketë dhe veto të Rusisë. Në të kundërtën, Surroi tha se pala kosovare do të procedojë tutje me vendimin për pavarësinë e Kosovës. “Qëndrimi ynë i përbashkët është që brenda këtij muaji, shtetet sponsore të rezolutës ta prezantojnë, ka apo nuk ka kërcënim të vetos. Po aq sa kemi obligim ndaj bashkësisë ndërkombëtare, kemi edhe më shumë obligim ndaj qytetarëve tanë. Dhe ne do të rishqyrtojmë mënyrën, se si do të veprojmë më tutje”, tha Surroi. Se durimit të lidershipit kosovar mund t’i vijë fundi, këtë e ka bërë të qartë kryeministri Çeku, i cili ishte shumë i drejtpërdrejtë lidhur me hapat që Prishtina mund t’i ndërmarrë, në rast të zvarritjeve. “Ne i bëjmë ftesë faktorit ndërkombëtar që ta nxjerrë një rezolutë të shpejtë për Kosovën, nëse jo, të na lë të shkojmë rrugës sonë”, është shprehur kryeministri Çeku. Në takimin e sotëm me liderët e Kosovës ka marrë pjesë edhe shefi i UNMIK-ut. Ai tha se i ka siguruar përfaqësuesit e Kosovës, se bashkësia ndërkombëtare mbetet e përkushtuar për atë zgjidhje, e cila do të respektojë vullnetin e popullatës shumicë. “Diskutimet janë duke vazhduar në kërkim të gjetjes së zgjidhjes, që do të bazohet në planin e Ahtisaarit”, tha Ruecker, i cili nuk deshi të spekulojë asgjë lidhur me reflektimet që mund t’i kenë zvarritjet eventuale në gjendjen në Kosovë. Paraprakisht, sot, Ekipi i Unitetit është njoftuar me propozimin e presidentit të Francës dhe nga shefi i Zyrës Franceze në Prishtinë, Tiery Reinard. “Pavarësia e Kosovës, sipas pozicionit të Francës, është zgjidhja e vetme. Por, problemi qëndron aty, se duhet që të gjitha vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit, ta pranojnë këtë realitet”, ka thënë Reinard. Presidenti francez, sipas tij, kishte kërkuar kohë që të bisedohet me Rusinë, në mënyrë që të evitohet vetoja e Moskës. Në të kundërtën, nëse edhe pas gjashtë muajve Moska nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, atëherë, shtoi ai, “Franca nuk sheh tjetër zgjidhje pos pavarësisë”. Po sot, edhe shefja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow, përmes një komunikate, ka sqaruar se liderët e G-8-ës nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për propozimin e presidentit francez. "SHBA-të dhe partnerët e saj nga Bashkimi Evropian do t'i vazhdojnë diskutimet e nivelit të lartë me Rusinë dhe me anëtarët tjerë të Këshillit të Sigurimit, për të marrë një vendim së shpejti", ka thënë Kaidanow, përmes kësaj komunikate. Ndërsa tashmë janë shtuar reagimet në Prishtinë lidhur me propozimin për shtyrjen e vendimit për statusin, sot lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në vazhdimësi i ka kundërshtuar politikat e Ekipit Negociues kosovar, edhe pse në arrest shtëpiak, në një konferencë për media ka deklaruar se nuk është i befasuar me rezultatet e Samitit të G-8-ës, pasi që negociatorët kosovarë, sipas tij, e pranuan pakon e Ahtisaarit, si një zgjidhje që nuk është në interesin e Kosovës dhe e lanë fatin e Kosovës në duart e ndërkombëtarëve. Kjo politikë, sipas Kurtit, nuk sjell pavarësi. Sidoqoftë, liderët kosovarë sot u zotuan se fati i Kosovës nuk do të varet në pafundësi nga koncesionet që i bëhen Rusisë, duke paralajmëruar edhe marrjen e vendimeve të njëanshme për statusin e Kosovës, nëse nuk ka një rezolutë të përbashkët në Këshillin e Sigurimit.
XS
SM
MD
LG