Ndërlidhjet

NDIKIMI I SHTYRJES SË MUNDSHME TË STATUSIT NË SFERËN EKONOMIKE


Nadie Ahmeti

Shtyrja e mundshme e miratimit të rezolutës për statusin e Kosovës do të ndikojë negativisht në proceset ekonomike, thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike. Kjo do të bëjë që gjithcka të stagnojë në sferën e ekonomisë, thotë Ibrahim Rexhepi, e konkretisht kur bëhet fjalë për investitorët e huaj. Përveç shtyrjes së anëtarësimit të Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare, shqetësim tjetër për zotin Rexhepi është se investitorët e mundshëm nuk do të presin për të investuar në Kosovë, por mjetet e tyre kapitale do t’i përqendrojnë në vendet e ndryshme të rajonit. “A do të presin investitorët, që të krijohet një rrethanë tjetër për investime në Kosovë? Sigurisht që jo. Ata do të gjejnë vende të tjera në rajon, ku do të pozicionohen. Kështu që Kosova shumë lehtë mund të kalojë në harresën e tyre”, thotë zoti Rexhepi. Edhe Muhamet Mustafa, drejtor i Institutit Për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST”, pohon se shtyrja e mundshme e zgjidhjes së statusit të Kosovës do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën ekonomike, për shkak se kjo periudhë do ta rrisë pasigurinë për investitorët e mundshëm ndërkombëtarë. “Investitorët e huaj nuk presin fare, sepse Kosova nuk është vetëm një destinim i investitorëve të jashtëm. Ata kanë alternativa të tjera dhe nuk do të presin. Ata që kanë pasur projekte serioze, këtë e marrin si një oportunitet të humbur. Ata kanë koston nëpër duar dhe gjejnë alternativa të tjera”, pohon zoti Mustafa. Periudha e shtyrjes do të ndikojë edhe në përkeqësimin e situatës së komunitetit të biznesit, thotë zoti Mustafa, duke shtuar se shpresa e vetme e tyre ka qenë që me zgjidhjen e statusit, të ketë investime në këtë drejtim, për të mundësuar rritjen e numrit të të punësuarve dhe uljen e nivelit të varfërisë. “E gjithë kjo, kam frikë se do të përkeqësohet, për arsye se nuk do të ketë investime. Dhe në qoftë se nuk ka investime, nuk mund të bëhen hapa në Kosovë, zgjidhja e problemit të papunësisë, ulja e varfërisë dhe hapja e perspektivës për gjenerata të reja. Mos harroni, se sondazhet e fundit kanë dhënë indikacione alarmante për intencat e kosovarëve që të shpërngulen jashtë vendit”, theksoi zoti Mustafa. Në aspektin ekzistencial, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të jetojnë në kushtet e tanishme, pa një përmirësim të mundshëm, tha Ibrahim Rexhepi. Ai thotë se Kosova nuk ka kapital të vetin që mundëson financimin e projekteve, të cilat mundësojnë rritjen e numrit të të punësuarve dhe uljen e shkallës së varfërisë. “Ne përsëri do të vazhdojmë të jetojmë në atë mënyrë që kemi jetuar tetë vjetët e fundit. Do të ketë para, do të ketë derdhje nga diaspora, do të ketë pak paga, një qarkullim të mallit, mirëpo do të jetojmë përsëri në këtë varfërinë ekstreme, që po e përjetojmë edhe tash”, u shpreh zoti Rexhepi. Ndërkaq, zoti Mustafa pohon se përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare duhet me kujdes ta menaxhojnë këtë periudhë, në mënyrë që ta ruajnë ambientin socio-ekonomik. “Unë frikohem, se këtë alternativë ata nuk e kanë pasur parasysh. Dhe tash, shpejt dhe patjetër, duhet të menaxhohet situata. Mendoj se Kosova ka marrë drejtimin, ku duhet të arrijë patjetër. A duhet të arrijë me një përkeqësim të situatës së stabilitetit, apo do të arrijë me menaxhimin e situatës dhe ruajtjes së ambientit social dhe ndëretnik në Kosovë? Duhet të menaxhojmë, duke mos hequr dorë nga kursi që ka marrë Kosova, dhe për të cilin kurs është bindur e tërë pjesa racionale e bashkësisë ndërkombëtare”, tha zoti Mustafa. Ndryshe, këto vlerësime të ekspertëve vendorë pasojnë pohimet e tyre, se me gjithë faktin se statusi i zgjidhur nuk do t’i zhdukë të gjitha problemet ekonomike dhe sociale, megjithatë do t’i hapë rrugën përmirësimit të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.
XS
SM
MD
LG