Ndërlidhjet

ANALISTËT: PRESIDENTI BUSH VULOSI PAVARËSINË E KOSOVËS


Bekim Bislimi

Procesi i pavarësimit të Kosovës është i pashmangshëm dhe këtë e vërtetoi edhe deklarata e djeshme e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Kështu thonë analistët kosovarë lidhur me deklaratën e presidentit Bush, e cila sipas tyre, vulosi mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës. Analisti Baton Haxhiu thotë se kjo deklaratë duhet të heqë dilemat dhe drojën tek drejtuesit politikë të Kosovës, si dhe te popullata kosovare, për fatin politik të Kosovës. “E mira e gjithë kësaj është se thënia që Kosova do të jetë e pavarur, u tha nga presidenti Bush, pikërisht në Tiranë. Kjo është e para. E dyta, u tha pikërisht nga një kryetar i një shteti më të madh në botë, që është perandoria e shekullit XXI. Dhe e treta, nuk ka lënë asnjë ekuivoke dhe asnjë mundësi interpretimi për liderët tanë, të cilët realisht kanë manipuluar me data për hir të egos së tyre, për hir të maliciozitetit që kanë treguar gjatë këtyre gjashtë muajve”, u shpreh analisti Haxhiu. Ai shtoi, se deklarata e presidentit Bush tregoi që politika ndërkombëtare për Kosovën nuk varet dhe nuk është e ndërtuar në Kosovë, por siç tha Haxhiu, është ekskluzivisht çështje e bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkaq, analisti Lulzim Peci thotë se deklarata e presidentit Bush tregoi vendosmërinë e administratës amerikane, që statusi politik i Kosovës të jetë pavarësia. “Unë mendoj që kjo është deklaratë vendimtare pas dështimit të Samitit të G-8-ës, me të cilën Qeveria amerikane tregon vendosmërinë e vet për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës, në bazë të vullnetit të popullit të saj. Kjo ka domethënie shumë të madhe, pikësëpari, meqë perëndimi është i vendosur të ecë përpara dhe në aspektin e dytë, është një element shumë i rëndësishëm, meqenëse tash Rusia është definitivisht e izoluar në pengesën e saj, që është duke e bërë ndaj çështjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës”, ka thënë analisti Peci. Në anën tjetër, Baton Haxhiu thotë se deklarata e presidentit Bush, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta shikojnë kohën si të limituar, brenda së cilës do të vazhdojnë bisedimet për statusin politik të Kosovës, është e arsyeshme dhe duhet të përkrahet. “E rëndësishme është që pavarësia e Kosovës është fjalia e agjendës së kryetarit më të madh të botës. Kjo është e rëndësishme. Çështjet e interpretimeve të tjera, të cilat dalin rrugës, janë vetëm çështje të vonesës së paktë të këtij procesi. Prandaj, është e panevojshme që ne të ngutemi për data, sepse më mirë është një pavarësi, ku ka një rezolutë bazike për të ardhmen e Kosovës dhe pavarësisë së saj, sesa një shpejtësi e rezolutës, ku do të ketë shumë mangësi dhe do të na nxijnë jetën. Jam, në parim, përkrahës i asaj që tha zoti Bush, se ne do të shikojmë limitin dhe kur s’ka limit, do të orientohemi vetë për datën, se kur do të pavarësohet Kosova”, ka pohuar Haxhiu. Ndërkaq, analisti Lulzim Peci theksoi se deklarata e presidentit Bush është mesazh i mirë për liderët politikë në Kosovë, nga i cili duhet të nënkuptojnë se kërkohet durim për afatet, si dhe punë e madhe në aspektin e brendshëm. “Deklarata e presidentit Bush është trimëruese. Mirëpo, klasa politike në Kosovë, sidomos Qeveria dhe Grupi Negociator duhet të përqendrohen shumë në agjendën e brendshme. Një gjë duhet të jetë e qartë, që tani statusi i Kosovës është definitivisht në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleatëve perëndimorë, ndërsa këtu te ne kërkohet seriozitet shumë më i madh në përgatitjen e pavarësisë. Deri më tani, Grupi Negociator nuk ka qenë serioz fare në përgatitjen e shtetit të Kosovës për fazën e pavarësisë”, theksoi Peci. Sidoqoftë, analistët Haxhiu dhe Peci vlerësojnë se deklarata e presidentit Bush në Tiranë është sinjali më i fuqishëm që i është drejtuar kosovarëve, por edhe bashkësisë ndërkombëtare, se statusi politik i Kosovës nuk ka alternativë tjetër, përveç pavarësisë.
XS
SM
MD
LG