Ndërlidhjet

BUSH: KOSOVA DUHET TË JETË E PAVARUR


Presidenti i SHBA-ve përfundoi turneun evropian

Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush ripërsëriti sot Kosova duhet të pavarësohet nga Serbia. Bush i bëri këto komente në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Bullgarisë, Georgi Parvanov.
"Është koha që të ecet me planin e Ahtisaarit. Amerika beson që Kosova duhet të jetë e pavarur", tha Bush, duke shtuar se Serbisë ndoshta mund t'i ofrohen marrëdhënie më të mira me Uashingtonin.
"E kërkova mendimin e presidentit. Njëra nga gjërat që ai ma bëri të qartë është diçka me të cilën unë jam dakord, dhe kjo është që ndërsa po kërkojmë pavarësinë e Kosovës, ne gjithashtu duhet t'ia bëjmë të qartë Serbisë se ka një rrugë përpara, ndoshta në NATO, ndoshta në BE, dhe përfundimisht, ndoshta në marrëdhëniet më të mira me Shtetet e Bashkuara", tha presidenti Bush.
Presidenti amerikan gjithashtu e lëvdoi kontributin e Bullgarisë në luftën e prirë nga Shtetet e Bashkuara "kundër ekstremistëve dhe terroristëve" në Afganistan dhe në Irak, dhe për lirinë dhe stabilizimin e demokracive të reja. Fushata në këto vende synon "t'i vë themelet e paqes së qëndrueshme", tha Bush.
Presidenti amerikan në Sofje bisedoi me udhëheqësit bullgarë mbi planet amerikane për vendosjen e sistemit mbrojtës anti-raketor në Evropën Qendrore.
Parvanov tha se Bullgaria ka interes që t'i bashkohet mburojës ndërkombëtare anti-raketore, por tha se çështja nuk ka të bëjë me miqësinë me Shtetet e Bashkuara apo me Rusinë.
"Bullgaria nuk duhet të zgjedhë", tha Parvanov. "Unë dua të jem mik si me George Bushin ashtu dhe me Vladimir Putinin", tha presidenti bullgar.
Me këtë rast, presidenti Bush përsëri e cilësoi si "propozim interesant" ofertën e presidentit rus Vladimir Putin për shfrytëzimin e përbashkët të stacionit të radarit në Azerbejxhan.
Presidenti amerikan gjithashtu i bëri thirrje Libisë që t'i lirojë 5 infermieret bullgare, të dënuara me vdekje nën akuzat se qëllimisht kanë infektuar qindra fëmijë me virusin HIV. Bush tha se lirimi i infermiereve është "prioritet i lartë" i Shteteve të Bashkuara.
Para Bullgarisë, presidenti George Bush vizitoi Çekinë, Gjermaninë, ku mori pjesë në samitin e G8-ës, Poloninë, Italinë dhe Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG