Ndërlidhjet

BEOGRAD


Serbët kurrë nuk do t'ua falin Shteteve të Bashkuara nëse ato i japin Kosovës pavarësinë, tha kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica.
Duke reaguar ashpër ndaj premtimit të presidentit George Bush se Kosova së shpejti do të bëhet e pavarur, Koshtunica tha se "Shtetet e Bashkuara e kanë të drejtën të mbështesin shtete dhe popuj të caktuar, por jo duke u dhuruar diçka që nuk është pronë e tyre".
"Amerika duhet të gjejë mënyra tjera për t'i kënaqur prirjet e veta dhe dashurinë ndaj shqiptarëve, në vend që t'i dhurojë me territore serbe", tha Koshtunica.
Ai tha se Serbia "me të drejtë është e mllefosur ndaj politikës amerikane për zgjidhjen e çështjes së Kosovës".
"Bombardimi amerikan i Serbisë ishte gabim mjaft i madh i Amerikës për shekullin e kaluar dhe të tashmin", tha Koshtunica, duke sugjeruar se Serbia do t'i ndërpresë marrëdhëniet me çdo shtet që do të njohë pavarësinë e Kosovës.
"Nëse Amerika nuk e përfill të drejtën ndërkombëtare duhet ta dijë se Serbia do ta hedhë poshtë dhe do ta anulojë çdo vendim të pavarësisë së Kosovës", ka thënë Koshtunica.
Ndërkaq ministri për Kosovën në qeverinë serbe Sllobodan Samarxhiq ka thënë se "nëqoftëse Amerika është aq shumë e interesuar që shqiptarët të jetojnë në territor të pavarur, atëherë le t'u japë një territor në vendin e vet, ku ata do të ishin të pavarur".
Në Shën Petersburg, një zyrtar i lartë i presidentit Vladimir Putin tha se Rusia vazhdon të kundërshtojë pavarësimin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG