Ndërlidhjet

LIGJI PËR KOMUNITETET DO TË VIHET NË DEBAT PUBLIK


Zijadin Gashi

Këshilli Konsultativ për Komunitete, si organ që vepron në kuadër të Ekipit kosovar të Unitetit, ka diskutuar sot edhe njëherë Ligjin për komunitete, duke vendosur më pas, që për këtë draft-ligj, Këshilli të dalë nëpër komunat e Kosovës me popullatë të përzier, për të diskutuar ligjin, i cili i parasheh të drejtat e komuniteteve pakicë. Kryesuesi i këtij këshilli dhe anëtari i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, tha se nga muaji korrik, ligji do të vihet në debat publik me komunitetet. “Tash, pas hartimit të këtij drafti, do të shkojmë të konsultohemi me komunitetet në vendet e tyre të banimit. I kemi përcaktuar 5-6 vendbanime, ku jetojnë me shumicë komunitetet, dhe do të diskutojmë edhe në lidhje me ligjin, por edhe në lidhje me atë se si do të implementohen çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve”, ka thënë Surroi. Drafti bazik i këtij ligji, sipas Surroit, është finalizuar, por para se të shkohet në miratimin e tij në Kuvendin e Kosovës, nevojiten edhe pikëpamjet e komuniteteve. Ndërsa komunitetet tjera tashmë marrin pjesë në hartimin e Ligjit për komunitete, Surroi tha se do të ketë së shpejti edhe një takim me përfaqësuesit e serbëve, në kërkim të marrjes së pëlqimit edhe prej tyre për miratimin e këtij ligji. “Ata përfaqësues të komunitetit serb që vijnë, janë të pajtimit. Por, kemi kërkuar edhe një takim të veçantë me komunitetin serb, që të diskutojmë për këtë. Ne nuk e kemi problem, ai (ligji) mund të hyjë në procedurë edhe sot, por është rast i mirë që në gjysmën e parë të korrikut, të shkojmë e të diskutojmë për të me komunitetet”, është shprehur Surroi. Pozita e komuniteteve në Kosovë rregullohet në masën më të madhe me pakon e Ahtisaarit, e cila pavarësisht se ende nuk zbatohet, pasi që nuk e ka marrë miratimin në Këshillin e Sigurimit, në Prishtinë konsiderohet si bazë e çdo veprimi. Në këtë aspekt, edhe Ligji për komunitetet thuhet se i merr parasysh të gjitha çështjet që i parasheh në këtë fushë edhe pakoja e Ahtisaarit. Sidoqoftë, miratimi i këtij ligji do të kërkojë edhe pëlqimin e komunitetit serb, çka deri më tash as ky këshill dhe as Ekipi i Unitetit nuk e ka arritur.
XS
SM
MD
LG