Ndërlidhjet

PERSONAT ME NEVOJA TË VEÇANTA S’KANË NEVOJË PËR MËSHIRË, POR PËR QASJE LIGJORE


Bekim Bislimi

Trajtimi i çështjeve që i brengosin personat me nevoja të veçanta është lënë anash ose zhvillohet në mënyrë shumë sporadike nga institucionet kosovare, por është më se e nevojshme, që shoqëria kosovare të vetëdijesohet dhe të ketë qasje të drejtë ndaj këtyre personave, të cilët përbëjnë rreth 7 për qind të popullatës kosovare. Kështu thotë Gëzim Abazi, drejtues i organizatës joqeveritare ‘Hendikep Kosova’. Ai pohon se vetëdijesimi i shoqërisë duhet të fillojë nga gjeneratat e reja dhe në këtë funksion janë duke u realizuar projekte, që parashohin seminare të ndryshme, lidhur me përfshirjen, sistemimin, akomodimin dhe adaptimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor të Kosovës. ”Projekte për vetëdijesimin e mësimdhënësve lidhur me lëndën e edukimit qytetar, ku mendojmë të fokusojmë disa pika, ku do të flitet më së afërmi për çështjen e personave me aftësi të kufizuara, apo kryesisht fëmijët të kenë njohuri lidhur me këtë sektor. Të jetë, do me thënë, në formën edukative. Gjithë kjo është proces i organizatës ‘Hendikep Kosova’, mirëpo falë asaj që sistemi i donacionit është nga Banka Botërore”, tha zoti Abazi. Integrimi në shoqëri i personave me nevoja të veçanta, sipas tij, nuk mund të bëhet nëse injorohen problemet thelbësore, me të cilat ballafaqohet kjo kategori e popullatës. Abazi thotë se këta persona, për shkak të aftësive të kufizuara të tyre, nuk kanë mundësi të lëvizin lirshëm, ndërkohë që kushtet për ta lehtësuar dhe mundësuar këtë, nuk janë krijuar ende. Në anën tjetër, siç thotë ai, edhe kushtet për shkollimin e këtyre personave janë të pakta dhe të varfra. ”Ne, në Prishtinë e kemi vetëm një shkollë, shkollën ‘Përparimi’. Shtrohet në pyetje kapaciteti i saj, që është i limituar. Mirëpo, edhe mungesa e sistemit infrastrukturor, sistemit të transportit, që është problem akut i kësaj kategorie të njerëzve. Është problem që shumica e njerëzve nuk bëjnë investime në të, të kësaj kategorie të njerëzve, do me thënë në krijimin e mundësisë së barabartë në çështje arsimore”, është shprehur zoti Abazi. Kategoria e popullatës me aftësi të kufizuara, shton ai, nuk kërkon mëshirë, por qasje ligjore dhe në kuadër të sistemit ligjor t’i realizojnë të drejtat dhe interesat e tyre. Sipas zotit Abazi, lidhur me këtë çështje, infrastruktura ligjore është tejet e dobët, por edhe me gjithë faktin se ekzistojnë disa ligje që do të duhej të rregullonin çështjet e personave me nevoja të veçanta, mungon efikasiteti i mekanizmave që i fusin në funksion ato ligje. Në anën tjetër, siç pohon Abazi, për personat me aftësi të kufizuara, sidomos ato fizike, mungon edhe infrastruktura për qasje në objektet e institucioneve dhe shërbimeve publike. ”Mund të njehen në gishta, ku kanë qasje këto njerëz, në Kryeministri, në Ministrinë e Kulturës dhe askund tjetër. Ministri i Arsimit nuk e ka çarë kokën, edhe pse e kemi sektorin e edukimit special në kuadër të Ministrisë së Arsimit”, tha zoti Abazi. Ndërkaq, as kategoritë tjera të personave me nevoja të veçanta, apo me aftësi të kufizuara, siç tha ai, nuk kanë ndonjë qasje apo tretman më të mirë. ”Zvarritja e gjuhës së shenjave dhe zyrtarizimi i saj është një problem tjetër. Mos të flasim për tekste në gjuhën ‘braille’, që është një gjuhë e njohur për të verbrit. Shtrohet pyetja, se sa është krijuar qasje për këtë? Definitivisht, nuk ka në sistemin arkivor tekste që flasin për çështjen arsimore të kësaj kategorie. Me një fjalë, jo që nuk është bërë, por nuk pritet as të bëhet”, u shpreh zoti Abazi. Sidoqoftë, ai tha se të gjitha iniciativat për të nxjerrë në sipërfaqe problemet e personave me nevoja të veçanta, si dhe për t’u qasur atyre, i kanë ndërmarrë organizatat joqeveritare.
XS
SM
MD
LG