Ndërlidhjet

TRENI MULTIETNIK FUSHË KOSOVË – LESHAK


Rrahman Paçarizi

Treni i udhëtarëve në relacionin Fushë Kosovë - Leshak, në rrugën e tij të përditshme bart së bashku shqiptarët, serbët dhe romët dhe është shndërruar në një institucion më vete, që lidh serbët e Kosovës qendrore me ata të pjesëve të tjera, por edhe pjesëtarët e nacionaliteteve të ndryshme. Udhëtarët shqiptarë dhe ata serbë thonë se ndihen mirë dhe sigurt, edhe pse treni sigurohet nga vetëm një shqiptar dhe një serb, që janë punëtorë të sigurimit të Hekurudhave të Kosovës, ndërkohë që në fillim të kësaj linje, shtatë vjet më parë, pjesëtarët e KFOR-it italian ishin ata që ofronin sigurinë për udhëtarët. Vetë pjesëtarët e sigurimit, si edhe udhëtarët me përkatësi të ndryshme etnike, thonë se në këtë tren nuk ka pasur kurrfarë incidentesh ndëretnike. Dushan Miliq jeton në fshatin Bresje, në afërsi të Fushë-Kosovës, bashkë me familjen katëranëtarëshe. Ai thotë se gjatë tre vjetësh, jo vetëm që nuk ka pasur incidente, por nuk mban mend as fjalosje apo provokime. “Nuk më kujtohet të ketë pasur incidente në këtë tren. Tekefundit, dikur kemi jetuar të gjithë së bashku e tash të shohim. Sa më përket mua, kurrë nuk kam pasur probleme”, u shpreh Dushan Miliq. Me të pajtohet edhe bashkudhëtari dhe bashkëkombësi i tij, Svetislav Mladenoviq, nga Obiliqi. “Deri më tash kurrë s’kemi pasur probleme. Unë shkoj në Obiliq dhe kurrë s’ka pasur probleme”, thotë Mladenoviq, i cili së paku tri herë në javë e bën rrugën Mitrovicë-Obiliq dhe anasjelltas. Qamil Musliu është pensionist që jeton në pjesën jugore të Mitrovicës. Plaku Qamil vërteton mendimin e bashkudhëtarëve të tij serbë, se në këtë tren asnjëherë nuk ka pasur ndonjë incident dhe mendon se ky tren është edhe një urë e mirë komunikimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. “Sa më shumë komunikime dhe marrëveshje mes vete, jeta është më e qetë dhe më e mirë. Ne nuk mund të jemi të ndarë, se jemi njerëz të Evropës, sepse këtu kemi lindur dhe këtu do të jetojmë së bashku, me të gjitha nacionalitetet”, thotë Musliu. Sami Halimi është punëtor i sigurimit në këtë tren, që shpesh është quajtur tren multietnik. Duke e ndier veten më kompetentin për të folur për këtë tren, Sami Halimi thotë se nuk ka pasur asnjë situatë konfliktuoze, që nga dita e parë në vitin 2000 e deri më sot. “Prej vitit 2000 punoj në sigurimin e trenave. Sa i përket punës, punët shkojnë mirë, sigurimi është në nivel, probleme nuk ka, pasi ky tren është i siguruar, puna është në rregull”, tha punëtori i sigurimit, Sami Halimi, për të shpjeguar më pas, se punëtorët shqiptarë e bëjnë sigurimin e trenit prej Fushë-Kosovës deri në Mitrovicë, ndërsa prej aty e deri në Leshak, sigurimin e bëjnë punëtorët serbë. Shefi i trafikut hekurudhor të Kosovës, Mustafë Breznica, thotë se deri në 5 mijë udhëtarë në javë e shfrytëzojnë këtë tren, që disa e quajnë edhe Treni i Lirisë së Lëvizjes.
XS
SM
MD
LG