Ndërlidhjet

NË PRITJE TË VENDIMIT PËR STATUSIN, SITUATA E SIGURISË E QETË


Arton Konushevci

Pavarësisht zhvillimeve politike në Kosovë dhe atyre ndërkombëtare për të ardhmen e Kosovës, zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës dhe ata të administratës së Kombeve të Bashkuara, situatën e sigurisë e shohin si të qetë dhe pa probleme. Veton Elshani, zëdhënës në Shërbimin Policor, shpjegon masat e shtuara të sigurisë në kuadër të planit që është në fuqi dhe që mban emrin ‘Siguria e Rreptë’. “Ky plan është fleksibil. Kjo do të thotë se komandantët e regjionit do të vendosin se ku do të ketë pika statike. Për këtë arsye, ka mundësi që qytetarët e Kosovës t’i shohin pikat statike në një vend një ditë, e në vendin tjetër një ditë tjetër. Jemi duke bërë lëvizje më fleksibile, në mënyrë që ato të jenë gjithkund”, ka thënë Elshani. Ai ka shpjeguar se SHPK-ja ka plane të gatshme, me të cilat do të vepronte në çfarëdo rasti, përfshirë këtu edhe, siç ka thënë ai, pakënaqësinë e mundshme të qytetarëve rreth çështjes së statusit. “Ne jemi të vetëdijshëm, se ka pakënaqësi. Mund të ketë protesta për shkak të kënaqësisë apo të moskënaqësisë. Ne jemi aty për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Dhe për këtë, kemi një bashkëpunim të mirë edhe me Policinë e UNMIK-ut, KFOR-in dhe institucionet e Qeverisë së Kosovës”, ka pohuar Elshani. Ndërsa, në anën tjetër, zëdhënësja e UNMIK-ut, Jennet Mcdonald, situatën e sigurisë aktualisht e sheh si të qetë dhe pa ndonjë problem, me gjithë faktin se, siç thotë ajo, njerëzit ndihen pak të frustruar në pritje të një vendimi mbi të ardhmen e Kosovës. Ndryshe, Mcdonald tha se siguria është normale dhe Shërbimi Policor, UNMIK-u dhe KFOR-i janë duke bërë detyrat e tyre të rregullta. “Post-blloqet nëpër rrugë janë normale në kohën e verës, pasi gjatë verës ka më shumë njerëz që udhëtojnë nëpër rrugë, ka më shumë trafik dhe më shumë tejkalim të shpejtësisë. Shihen më shumë pjesëtarë të SHPK-së në rrugë, me qëllim të ndalimit të aksidenteve dhe për të mos pasur një verë me vdekje të shumta nga trafiku”, është shprehur Mcdonald. Ajo, në fund, ka bërë të ditur, se me gjithë zhvillimet aktuale rreth agjendës së statusit të Kosovës, aktualisht nuk ka asnjë indikacion që flet për ndonjë kërcënim të mundshëm të situatës së sigurisë.
XS
SM
MD
LG