Ndërlidhjet

NUMRI I TË RINJVE QË PËRDORIN NARKOTIKË – NË RRITJE


Nadie Ahmeti

Përdorimi i substancave narkotike në Kosovë është në rritje e sipër dhe Kosova vazhdon të mbetet vend transit i këtyre substancave, që vijnë nga Evropa Juglindore dhe depërtojnë në Evropën Qendrore. Vetëm prej vitit 2001 e deri në vitin 2006, Shërbimi Policor i Kosovës ka konfiskuar rreth 386 kg substanca narkotike të llojeve të ndryshme. Sabrije Kamberi, zëdhënëse në këtë shërbim, tregon sasinë e konfiskuar edhe për tre muajt e parë të këtij viti. “Kemi të konfiskuar heroinë, 6568 gram, marihuanë 7098 gram, kokainë 1130 gram, droga të tjera 1439 gram dhe ekstazi 12 gram”, thotë zonja Kamberi. Shërbimi Policor i Kosovës, në tre muajit e parë të këtij viti, për përdorim dhe shpërndarje të produkteve narkotike, prej 145 të dyshuarve, ka arrestuar 88 persona, 45 prej të cilëve u është caktuar masa e dënimit, thotë zonja Kamberi. “Prej të dyshuarve, 6 janë të gjinisë femërore. Shumica e të dyshuarave janë shqiptarë të Kosovës, 11 persona të arrestuar janë të nacionalitetit serb. Shumica e rasteve të drogës janë konfiskim i marihuanës, 39 raste, heroinë 32 raste, kokainë 2 raste, droga të tjera 8 raste dhe ekstazi 1 rast”, pohon zonja Kamberi. Adoleshentët janë ata që në të shumtën e rasteve abuzojnë me narkotikë, thotë Shaban Mecinaj, drejtor i repartit për trajtimin e sëmundjeve të varshmërisë në Qendrën Klinike Universitare. “Është shumë brengosëse që kemi shtim të numrit të adoleshentëve, që kanë filluar të marrin droga që nga mosha 12 deri në 14 vjeçare, vërehet një tendencë. Mirëpo, në trajtim vijnë pacientë të moshave të ndryshme, do të thosha nga një diapazon prej 15-45 vjeç”, u shpreh zoti Mecinaj. Ai tha se gjatë këtij viti, në këtë repart janë hospitalizuar 36 persona, ndërkaq, sipas zotit Mecinaj, numri është dyfish më i madh i atyre që kërkojnë shërbime ambulatore, që nënkupton qëndrimin jo më shumë se një javë në këtë klinikë. “Përdoren të gjitha llojet e drogave, që janë të njohura. Më të zakonshme janë llojet e drogave të ‘lehta’, siç është marihuana, hashashi. Por, është mjaft shqetësues fakti, se kohëve të fundit po përdoret heroina, e cila dihet se lë pasoja afatshkurtra dhe afatgjata”, theksoi zoti Mecinaj. Sidoqoftë, numri i personave, për të cilët dihet se përdorin substanca narkotike në Kosovë, sillet prej 5 mijë deri në 7 mijë, nga mosha 14 deri në 24 vjeçare, ndërkaq mbi 3 mijë prej tyre shfrytëzojnë heroinën.
XS
SM
MD
LG