Ndërlidhjet

EKIPI I UNITETIT NUK KOMENTON SHTYRJEN, KUNDËRSHTON HAPJEN E PAKOS SË AHTISAARIT


Albana Isufi

Përderisa në qarqet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Bashkimin Evropian, diskutohet por edhe mbështetet një shtyrje e zgjidhjes së statusit të Kosovës, Ekipi i Unitetit është në pritje të ndonjë konfirmimi zyrtar, për të marrë më pas një qëndrim rreth kësaj çështjeje. Edhe pse në takimin e sotëm të Ekipit të Unitetit është diskutuar për debatet aktuale për shtyrjen, sipas zëdhënësit Skënder Hyseni, Ekipi i Unitetit nuk ka ende një qëndrim zyrtar. “Ekipi i Unitetit nuk ka asnjë kërkesë për kurrfarë shtyrjesh. Të gjitha janë interpretime, asnjë kërkesë zyrtare, asnjë qëndrim nga asnjë forum, që të ketë shtyrje, të ketë zvarritje. Çdo gjë është në nivel diskutimesh, debatesh, në nivele të ndryshme. Prandaj, natyrisht që Ekipi i Unitetit do të marrë qëndrim të prerë rreth të gjitha çështjeve, në kohën e duhur, nëse kërkesa të tilla vijnë”, ka thënë Hyseni. Shtyrja e marrjes së një vendimi për statusin final është propozuar fillimisht nga presidenti francez, Nikola Sarkozi, me qëllim që të evitohet përdorimi i vetos së Rusisë, në kohën kur në Këshillin e Sigurimit do të votohej rezoluta për Kosovën. Analisti politik Ilir Dugolli thotë se tashmë është e qartë, se do të ketë shtyrje të statusit të Kosovës. “Sipas të gjitha gjasave do të ketë, pa pikë dyshimi, zvarritje të mëtejme”, është shprehur Dugolli. Pavarësisht debateve në qarqet diplomatike, Ekipi i Unitetit thotë se nuk ka kërkesë zyrtare për negociata shtesë dhe rrjedhimisht, nuk e komenton këtë. Por, analisti kosovar Ilir Dugolli thotë se gjasat për negociata të drejtpërdrejta Prishtinë- Beograd janë shumë të mëdha. “Ajo që mbetet një e panjohur e madhe është se për çfarë do të zhvillohen ato bisedime. A do të jenë një përpjekje shtesë për ta bërë për vete Rusinë dhe për të fuqizuar pozicionin e BE-së, apo do të rezultojnë edhe me një hapje të disa pjesëve të pakos së Ahtisaarit? Kjo e fundit veç e ka shkallën shumë më të lartë të rrezikshmërisë”, ka theksuar Dugolli. Por, zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, thotë se hapja e pakos së Ahtisaarit është totalisht e papranueshme për kosovarët. “Pakoja e Ahtisaarit, për Kosovën, për Ekipin e Unitetit, është e panegociueshme dhe nuk mund të rihapet për kurrfarë negociatash”, tha Hyseni. Ekipi i Unitetit ka përshëndetur qëndrimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, për një zgjidhje të shpejtë dhe një rezolutë që do të kishte për bazë planin e Ahtisaarit. Por, Skënder Hyseni nuk komenton idetë e dala nga zyrtarët e BE-së për një projekt-rezolutë të re të përkohshme, e cila do të zëvendësonte misionin e UNMIK-ut me atë të BE-së. “Nuk jemi në dijeni për ndonjë projekt-rezolutë të re, përpos projekt-rezolutës ekzistuese që ka qenë”, ka thënë Hyseni. Ndërkohë, analisti Ilir Dugolli konsideron se nuk është në të mirë të procesit, që të shkohet me rezoluta të përkohshme, pasi që pritjet kanë qenë për një zgjidhje përfundimtare. “Në parim, vërtet jam kundër zgjidhjeve, të cilat ofrojnë improvizim në vend të zgjidhjes përfundimtare. Deri më tani ka pasur mjaft shumë improvizime, zgjidhje të përkohshme dhe blerje të kohës. Dhe ajo që është pritur deri më tash, është një zgjidhje e mirëfilltë dhe e përhershme, përfundimtare. Unë, çfarëdo tentative për të gjetur ndonjë improvizim, e shoh me dyshim shumë të madh”, u shpreh Dugolli. Sido që të jetë, zëdhënësi i Ekipit të Unitetit ka deklaruar sot, se në fund të fundit, Kosova ndoshta do të detyrohet që të përdorë rrugët alternative dhe të shpallë njëanshëm pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se kosovarët parapëlqejnë më shumë një zgjidhje përmes OKB-së. Analisti Ilir Dugolli nuk përjashton një mundësi të tillë, por edhe nëse ndodh, ai thotë se kjo do të bëhet me pëlqimin e komunitetit ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG