Ndërlidhjet

AUTORITETET NUK DO TË LEJOJNË PROVOKIM DHUNE MË 28 QERSHOR


Arton Konushevci

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka pak informacione mbi marshin e 28 qershorit, nëpërmjet të cilit komuniteti serb shënon përvjetorin e 618-të të Betejës së Kosovës. Marshi është paralajmëruar se do të fillojë në veri të Mitrovicës dhe do të përfundojë në Gazimestan, ku edhe do të mbahet manifestimi qendror. Por, autoritetet ndërkombëtare dhe vendore kanë thënë se kërkesa për marsh në këmbë është hedhur poshtë dhe është mundësuar vetëm transporti me autobusë. Në këtë marsh, pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe formacioni i vetëshpallur si paramilitar, ‘Garda e Car Llazarit’, i cili është themeluar rreth një muaj më parë, me synimin për të mbrojtur, siç thuhet, Kosovën. Zëdhënësja e administratës ndërkombëtare, Jennet McDonald, ka thënë se kjo administratë ka vetëm informacione mbi një marshim, i cili do të jetë nën përcjelljen e forcave të rendit në Kosovë. “Atyre do t’u lejohet të festojnë, por megjithatë nuk do t’u lejohet të provokojnë dhunë”, ka thënë zonja McDonald, për të shtuar se marshimi do të jetë me autobusë, të cilët do të jenë nën përcjelljen e forcave të rendit. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, ka konfirmuar se kërkesa për të marshuar nga veriu i Mitrovicës e deri në Gazimestan, ku edhe do të mbahet manifestimi, është hedhur poshtë, por tash është vendosur që lëvizjet në këtë drejtim të realizohen me autobusë. “Do të ketë masa më të shtuara të policisë nëpër rrugë, ku ata do të kalojnë. Mirëpo, duke marrë parasysh se situata është delikate, ku po zhvillohen bisedime rreth statusit të Kosovës, e mandej, edhe siç është theksuar nëpër media, se do të vijnë njësi paramilitare apo diçka tjetër, ne do të marrim masa që çdo gjë të kalojë qetë”, ka theksuar Elshani. Ndërkohë, në pasditen e sotme, udhëheqësit e Policisë së UNMIK-ut dhe të Shërbimit Policor të Kosovës, kanë bërë gati planin operativ të veprimit për këtë manifestim, ka njoftuar Veton Elshani. “Sot kemi pasur një takim, ku kanë marrë pjesë SHPK-ja dhe Policia e UNMIK-ut, ku është diskutuar plani operativ lidhur me datën 28. Është prezantuar ky plan në fakt dhe janë marrë sugjerime. Para çdo plani operativ, para ekzekutimit të tij, ne mblidhemi dhe diskutojmë”, është shprehur Elshani. Po, sipas tij, ky plan parasheh të gjitha lëvizjet e njerëzve dhe të automjeteve në drejtimin veri i Mitrovicës-Gazimestan-Graçanicë dhe e kundërta. Detaje të tjera të këtij plani, Elshani nuk ka dashur të japë, por ka shtuar se masat e sigurisë do të jenë më të mëdha dhe se nuk do të lejojnë asnjë provokim nga asnjëra palë. “Këto janë plane, për të cilat nuk mund të flasim në detaje. Por, dua të them që nuk do të tolerohen provokime nga asnjëra palë. Nëse do të kemi provokime nga cilado palë, atëherë do të marrim të gjitha masat për t’i ndaluar ato”, ka pohuar Elshani. Ai po ashtu theksoi se ky manifestim është mbajtur rregullisht, dhe që prej përfundimit të luftës e edhe kësaj radhe, Elshani tha se autoritetet e rendit nuk presin ndonjë problem.
XS
SM
MD
LG