Ndërlidhjet

RREZIQET PËRBALLË NDËRMARRJEVE TË VOGLA DHE TË MESME


Nadie Ahmeti

Aktiviteti ekonomik i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta, të cilat i shtyjnë të zhvendosen nga një sektor në sektorin tjetër, e në disa raste nxisin edhe mbylljen e tyre. Ymer Havolli, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore ‘RIINVEST’ pohon se prej vitit 2002, kur edhe ka filluar faza emergjente e këtyre ndërmarrjeve, në dy vitet e fundit ka filluar zvogëlimi i numrit të punëtorëve deri në 50 për qind. “Në këtë vështrim të aktivitetit ekonomik, që nga viti 2002 deri në vitin 2005, do të shohim që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë filluar të zvogëlojnë numrin mesatarë të punëtorëve nga 44 sa ishin në vitin 2002, në 22 punëtorë”, tha zoti Havolli. Problemet me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë të panumërta, thotë Naser Graiçevci, drejtor i Agjencisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ai thotë se në këtë kuadër, probleme paraqesin edhe shërbimet publike, por edhe mungesa e kulturës për menaxhim të ndërmarrjeve. “Mungesa e mjeteve financiare në qarkullim, qasja në financa, kreditë e shtrenjta, greis-periudha e shkurtër, kamatat e larta, të gjitha këto e bëjnë situatën shumë të rëndë tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, u shpreh zoti Graiçevci. Ymer Havolli tha se në një pozitë më të vështirë gjendet sektori i prodhimit dhe në të shumtën e rasteve ndërmarrjet që falimentojnë janë nga kjo fushë. Shuarja e aktiviteteve të këtyre ndërmarrjeve është shqetësuese, aq më parë për faktin se, siç thotë zoti Havolli, ky sektor llogaritet si kryesori për gjenerimin e vendeve të reja të punës. “Nëse krahasojmë pjesëmarrjen e investimeve në vitin 2004, 60 për qind e ndërmarrjeve të sektorit privat në Kosovë kanë bërë investime. Ndërsa, pas vitit 2005 vetëm 49 për qind e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme kanë mundur të bëjnë investime”, pohoi zoti Havolli. Problem tjetër në këtë kuadër është se këto ndërmarrje, sipas Kartës Evropiane për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, duhet të plotësojnë 10 fusha veprimi, për t’u inkuadruar në tregun e Bashkimit Evropian dhe me gjendjen aktuale, ato janë larg plotësimit të kushteve bazë, thotë zoti Graiçevci. “Në të gjitha këto pika, Kosova në përjashtim të regjistrimit, që ka një regjistrim të shpejtë dhe të lirë, jemi në pozitën e parë në rajon. Në nëntë pikat tjera, Kosova çalon dhe ka ende ngecje”, theksoi zoti Graiçevci. Sidoqoftë, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë të regjistruara më shumë se 59 mijë ndërmarrje, prej tyre 98.25 për qind janë ndërmarrje të vogla, që kanë të punësuar deri në nëntë punëtorë, ndërkaq vetëm 1.75 për qind janë të regjistruara si ndërmarrje të mëdha, që kanë të punësuar mbi nëntë punëtorë.
XS
SM
MD
LG