Ndërlidhjet

MARSHUESIT E VIDOVDANIT KANË MBËRRITUR NË KOSOVË


Zijadin Gashi

Rreth 200 pjesëmarrës të ‘Marshit të Vidovdanit’ kanë mbërritur nga Serbia në Zveçan, komunë kjo në pjesën veriore të Kosovës, prej nga, nesër, do të vazhdojnë për në pjesën veriore të Mitrovicës. Ashtu siç është paralajmëruar, ky marsh ka për qëllim edhe t’i sensibilizojë serbët për Kosovën si pjesë të Serbisë. Në këtë aspekt, në Mitrovicë, në pjesën mbi lumin Ibër, këta marshues do të marrin pjesë në përurimin e një monumenti, të quajtur ‘monumenti i së vërtetës’, ka pohuar Dragan Spasojeviq, këshilltar komunal në Komunën e Mitrovicës. Spasojeviq sqaroi se marshuesit do të kalojnë natën në Zveçan, para se të nisen për në Mitrovicë, e më pas, më 28 qershor, edhe për në Graçanicë dhe Gazimestan. Ndërkaq, kryetari i asociacionit të komunave serbe, Marko Jakshiq, tha se monumenti në Mitrovicë u kushtohet të gjithë serbëve, që, sipas tij, kanë rënë në mbrojtje të atdheut nga bombardimet e NATO-s, apo në luftime me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. “Ky monument u kushtohet të gjithë serbëve të rënë, që nga viti 1995 e këndej”, ka thënë Jakshiq. ‘Marshi i Vidovdanit’ organizohet në përvjetorin e Betejës së Kosovës, të vitit 1389. Po kjo datë ishte shfrytëzuar më 1989 nga ish-diktatori Millosheviq, që të paralajmërohej suspendimi i autonomisë së Kosovës, çka më pas pasoi me luftë e gjakderdhje në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë. Pjesëmarrjen në këtë marsh e kanë paralajmëruar edhe dy ministra të Qeverisë së Serbisë. Ndërkohë që tensionet janë shtuar, pasi që pjesëmarrjen në këtë marsh e ka deklaruar edhe formacioni paramilitar ‘Garda e Car Llazarit’, formacion ky që thotë se mëton ta mbrojë Kosovën, që të mbetet pjesë e Serbisë. Në anën tjetër, organet e rendit në Kosovë kanë pohuar se janë në gjendje që ta mbajnë situatën nën kontroll. Marshi për në Graçanicë, e më pas për në Gazimestan, nuk do të lejohet këmbë, siç kishte kërkuar organizatori, por me autobusë. Autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore të sigurisë kanë pohuar se marshi do të kalojë nën përcjelljen e forcave të rendit, duke i lënë njerëzit të festojnë, por kanë paralajmëruar se nuk do t’i tolerojnë provokimet dhe dhunën eventuale. Sot, është raportuar se dy pjesëtarë të këtij marshi kanë përfunduar tashmë në spitalin e Mitrovicës, për shkak të përleshjeve që i kanë pasur mes vete ‘marshuesit e Vidovdanit’.

XS
SM
MD
LG