Ndërlidhjet

TËRMKOLLI: “EDHE REGJISTRIMI I POPULLSISË ËSHTË I NDIKUAR NGA ZHVILLIMET POLITIKE”


Melihate TËRMKOLLI, Ministre e Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tërmkolli, regjistrimi i popullsisë së Kosovës është një projekt, që thuhet se kërkon një angazhim të të gjitha institucioneve dhe të qytetarëve. Sot, ku është ky angazhim?

MELIHATE TËRMKOLLI
Është fjala për një projekt gjithshtetëror të Kosovës, për faktin se kërkohet angazhimi i të gjitha institucioneve të Kosovës. Secili të marrë pjesën e vet të punëve dhe të përgjegjësive në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Të rëndësishëm për të gjithë qytetarët, por me rëndësi të veçantë për institucionet e Kosovës, për hartimin e planeve zhvillimore të vendit edhe në nivelin e Kosovës, por edhe në nivel të komunave dhe për shumë arsye të tjera, që kanë rëndësi të veçantë për përparimin tonë dhe avancimin e çështjeve tona të mëtutjeshme. Mund të them, që si ministri dhe si Komision Qendror i Regjistrimit, kemi bërë një punë jashtëzakonisht intensive gjatë këtyre dy vjetëve, në përpjekje për të arritur realizimin e të gjitha përgatitjeve, në mënyrë që të kemi një regjistrim kredibil, një regjistrim që është në harmoni dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato kritere që parashihen për regjistrimin. Dhe, gjithsesi, një regjistrim që është në funksion të interesave të qytetarëve dhe të institucioneve. Mund të them, që tani, ne i kemi realizuar përgatitjet në planin profesional dhe teknik, dhe do të varet shumë nga përcaktimi i datës zhvillimi i mëtutjeshëm i këtij procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të bëhet regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave?

MELIHATE TËRMKOLLI
Ka metoda të ndryshme, që vende të ndryshme bëjnë regjistrimin e popullsisë. Mund të them se ka mjaft vende të zhvilluara, të cilat me përparimin e teknologjisë do të mund ta bënin regjistrimin përmes këtyre mjeteve, megjithatë preferojnë ta bëjnë në kontakt direkt me qytetarët. Edhe ne, si Kosovë, kemi preferuar këtë mënyrë, edhe për shkak të nivelit që kemi aktualisht, por edhe për arsye të sigurisë më të madhe, të mbledhjes së informacioneve që kërkohen gjatë regjistrimit të popullsisë. Prandaj, mund të them, se regjistrimi i popullsisë do të bëhet në kontakt direkt me qytetarët e Kosovës dhe besoj se kjo është një mënyrë e mirë dhe më e sigurt për ta realizuar këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të regjistrohen kosovarët që jetojnë në mërgatë?

MELIHATE TËRMKOLLI
Është një çështje e rëndësishme dhe mjaft e ndjeshme, për faktin se ne nuk kemi mekanizma ende në vendet tjera, që do të mundnin, në njëfarë mënyre, ta ndihmonin këtë proces. Kemi zgjedhur një mënyrë që është e mundshme për rrethanat në të cilat jemi, ndoshta jo 100%, por sigurisht në ato linjat dhe parametrat që janë të nevojshëm dhe të domosdoshëm për të pasur pasqyrën e plotë dhe të qartë. Ne do të bëjmë regjistrimin në kuptimin e numërimit të qytetarëve tanë, të cilët janë më shumë se 12 muaj jashtë vendit, sepse ky është një rregull që lidhet me konceptin e regjistrimit të popullsisë, nuk është regjistrim civil. Ndonjëherë ngatërrohen këto çështje, që lidhen me statusin e qytetarit apo statusin e shtetësisë, por është regjistrim, i cili pasqyron gjendjen aktuale të popullatës në vendin përkatës, në rastin tonë, do të thotë, në Kosovë. Duke pasur parasysh faktin se qytetarët tanë jashtë, edhe më tutje janë kontribuues të mëdhenj të zhvillimit të përgjithshëm të vendit, ata të jenë së paku në atë pjesën e pasqyrës së përgjithshme të qytetarëve tanë. Këtë do ta bëjmë përmes familjarëve që janë në Kosovë. Natyrisht se kjo nuk është krejt pa vështirësi, por besoj se do të jetë e përafërt me gjendjen reale në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Banorët serbë kanë refuzuar regjistrimin. Çka keni menduar të bëni?

MELIHATE TËRMKOLLI
Është e vërtetë që në regjistrimin e dytë testues, qytetarët serbë që kanë qenë të paraparë të regjistrohen në ato qarqe ku kemi bërë testimin, kanë bojkotuar të marrin pjesë në regjistrim, për dallim nga regjistrimi i parë testues, ku kanë marrë pjesë në tërësi të gjithë qytetarët, në ato komuna ku ka qenë paraparë, përfshirë këtu edhe serbët. Në regjistrimin e dytë testues, ky refuzim ka ardhur si pjesë e vendimeve politike të Beogradit dhe pjesë e instrumentalizimit të qytetarëve serbë të Kosovës ndaj atyre vendimeve. E them këtë edhe për faktin se deri në momentin e fundit, deri në ditën kur kemi filluar regjistrimin testues, institucionet, por dhe qytetarët kanë qenë të kyçur në këtë proces. Plotësisht kanë qenë të kyçur. Komuna e Shtërpcës, që ka qenë e paraparë për regjistrimin testues, komisioni komunal që përbëhet në shumicë nga serbët dhe udhëhiqet si komunë nga serbët, kanë marrë pjesë në të gjitha parapërgatitjet, kanë marrë pjesë në trajnime, madje kanë marrë edhe materialet me të cilat është dashur të punohet gjatë regjistrimit. Dhe, në momentin kur ka filluar regjistrimi, ata nuk e kanë fshehur, e kanë bërë të qartë se kanë urdhër nga Beogradi, që ta bojkotojnë një gjë të tillë apo ta refuzojnë. Natyrisht, ne jemi përpjekur që ta kryejmë pjesën e punës sonë dhe më tutje do të vazhdojmë të përpiqemi në integrimin e tyre në këtë proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur pritet të caktohet data e fillimit të regjistrimit të popullsisë dhe a varet kjo nga përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara apo nga Kuvendi i Kosovës?

MELIHATE TËRMKOLLI
Çështja e përcaktimit të datës, pak a shumë, është komplikuar në rrethanat nëpër të cilat po kalon Kosova dhe zhvillimet që po e përcjellin Kosovën. Ndonëse regjistrimi i popullsisë nuk është një akt politik, megjithatë është i ndikuar nga zhvillimet e përgjithshme në vend. Dhe, në këtë drejtim, kemi një zhvillim që e ka tejkaluar ligjin për regjistrimin e popullsisë, sipas të cilit, është paraparë që vendimin e merr Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me përfaqësuesin special. Tani kemi edhe një dokument, pra dokumentin e presidentit Ahtisaari, që, në njëfarë mënyre, sjell forma të reja dhe mënyra të reja të regjistrimit të popullsisë. Dhe, duke pasur parasysh faktin se është fjala për një projekt që kërkon angazhimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës për periudhën derisa ai mbahet, duhet të kemi një rrethanë të përshtatshme dhe një klimë, ta quaj ashtu, të përshtatshme të realizimit të këtij projekti të rëndësishëm. Megjithatë, Kuvendi është ai që definitivisht do ta përcaktojë orientimin rreth përcaktimit të datës së regjistrimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A besoni ju se regjistrimi i popullsisë do të ndodhë në vitin 2007 apo do të ketë sërish shtyrje?

MELIHATE TËRMKOLLI
Shtyrje rreth regjistrimit nuk ka pasur, sepse asnjëherë deri tani nuk kemi pasur përcaktim të datës së regjistrimit. Në fakt, ka pasur një shtyrje në kyçjen e misionit monitorues ndërkombëtar. Ka pasur një zvarritje në kohë, derisa është bërë memorandumi për kyçjen e Euorstat-it në monitorimin e këtij procesi, që është një veprim i domosdoshëm, për faktin se Eurostat-i e monitoron procesin e regjistrimit në të gjitha vendet evropiane, në këtë drejtim edhe në Kosovë. Dhe, kjo, në njëfarë mënyre, ka krijuar një përshtypje sikur është shtyrë. Në fakt, ne kemi punuar në mënyrë shumë intensive në realizimin e të gjitha përgatitjeve, edhe pse nuk kemi përcaktim të datës. Ne kemi sjellë para Kuvendit të gjitha të dhënat, si institucione, Enti i Statistikës, Ministria e Shërbimeve dhe Komisioni Qendror, se jemi të përgatitur për mbajtjen e regjistrimit në vjeshtë të këtij viti. Nëse Kuvendi i Kosovës do t’i vlerësojë ato rrethana dhe do të vendosë për datën, gjë që nuk pres shumë se do ta bëjë këtë, atëherë mund të them, se do të kemi shtyrje të procesit dhe vërtet kjo do ta komplikojë pak a shumë situatën më tutje, në kuptim të asaj se vazhdimisht do të duhet të kemi angazhime, se nuk mund t’i ndërpremë angazhimet deri në mbajtjen e regjistrimit. Por, kjo do të kushtojë edhe kohë, do të kushtojë edhe mjete financiare, e gjithsesi edhe energji më tepër, sesa realisht do të duhej.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka lidhje shumë të ngushtë me zgjidhjen e statusit të Kosovës edhe regjistrimi, apo kjo mund të ndodhë edhe pa marrë parasysh statusin e Kosovës?

MELIHATE TËRMKOLLI
Unë e kam thënë dhe qëndroj pranë asaj. Kam thënë se do ta bëjmë në vitin 2007. Për nga ana jonë e përgatitjeve, regjistrimi do të mund të bëhet në vitin 2007.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG