Ndërlidhjet

SHËNOHET PA INCIDENTE 618 VJETORI I BETEJËS SË KOSOVËS NË GAZIMESTAN


Albana Isufi

Shënimi i 618 vjetorit të Betejës së Kosovës në Gazimestan ka kaluar qetë, por nën masa shumë të mëdha të sigurisë. Ndërkohë, autoritetet e sigurisë kanë arrestuar një person dhe kanë konfiskuar disa uniforma të ‘Gardës së Car Llazarit’, praninë e së cilës e ka ndaluar në Kosovë administrata e OKB-së. Pjesëtarë të kësaj garde nuk janë vërejtur në Gazimestan, edhe pse qe paralajmëruar ardhja e tyre. Ndërkohë, zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, njoftoi se policia ka arrestuar një serb, pasi që gjatë marrjes së bluzave me simbole të formacionit të ndaluar, ‘Gardës së Car Llazarit’, nuk iu ka bindur urdhrave të policisë. “Rreth orës 12 e 50, në pikën e kontrollit Shkabaj, që gjendet në udhëkryqin Mitrovicë-Obiliq-Prishtinë, është arrestuar Dejan Ivkoviq, i lindur më 1970 në Beograd, pasi që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare”, ka bërë të ditur Elshani. Disa qindra serbë kanë marrë pjesë në festën e Vidovdanit dhe njëkohësisht shënimin e 618 vjetorit të Betejës së Kosovës në Gazimestan. Nga Mitrovica kanë arritur 10 autobusë, që përcilleshin nga pjesëtarët e KFOR-it, policia ndërkombëtare dhe SHPK-ja. Manifestimi është mbajtur nën masa të rrepta të sigurisë, ndërsa magjistralja Prishtinë-Mitrovicë ka qenë e mbyllur për komunikacion. Serbët e grumbulluar, që mbanin flamuj serbë, e nënshkruan deklaratën e hartuar së voni nga Asociacioni i Komunave Serbe dhe Këshilli Nacional Serb i veriut të Kosovës, me të cilën Kosova paraqitet si pjesë e pandashme e Serbisë. Milan Ivanoviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, theksoi se deklarata do t’u dërgohet zyrtarëve më të lartë ndërkombëtarë dhe organeve të Qeverisë serbe. “Është normale që ne, të gjithë nga ky vend, kemi nisur nënshkrimin e deklaratës, e cila bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe në Kushtetutën tonë, në konventat e Kombeve të Bashkuara, që garantojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e shteteve të pavarura, në kufijtë e tyre të njohur ndërkombëtarisht. Bazohet në Rezolutën 1244, e cila ruan sovranitetin e Serbisë dhe të këtij territori, edhe të Kosovës, dhe flet për një autonomi të gjerë për Kosovën”, është shprehur Ivanoviq. Në manifestimin për Vidovdanin kanë marrë pjesë dy ministra të Qeverisë serbe, Radomir Naumov dhe Slobodan Samarxhiq, si dhe princi Aleksandër Karagjorgjeviq me gruan e tij. “Kjo është toka jonë, duhet të respektohen të drejtat e njeriut, respekt i ndërsjellë. Duhet të ketë zgjidhje, duhet të ketë takime shumë të mira, të punojmë për të ardhmen. Dhe, nëse do të ketë zgjidhje, kjo do të jetë mirë për popullin tonë”, ka thënë princi Karagjorgjeviq. Tubimi në Gazimestan dhe paralajmërimi i ardhjes së mundshme të pjesëtarëve të ‘Gardës së Car Llazarit’ ka bërë që situata në Kosovën qendrore të jetë e tensionuar. UNMIK-u ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë ‘Gardës së Car Llazarit’. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, përmes një urdhërese ka ndaluar aktivitetet e kësaj organizate në Kosovë si dhe ka ndaluar mbajtjen e uniformave të saj, të cilat, sipas tij, ngritin tensione etnike. Ai po ashtu ka thënë se prania e gardës shkel Rezolutën 1244 dhe kërcënon sigurinë. Ndërkaq, kryeministri Agim Çeku u ka apeluar serbëve të Kosovës, të mos lejojnë që ta keqpërdorin manifestimin.
XS
SM
MD
LG