Ndërlidhjet

ÇFARË KA NDODHUR ME DËMET E LUFTËS QË SERBIA I KA SHKAKTUAR NË KOSOVË?


Nadie Ahmeti

Serbia duhet patjetër të bëjë kompensimin e dëmeve që i ka shkaktuar Kosovës, gjatë luftës së fundit, pavarësisht asaj se kjo çështje nuk është përfshirë në pakon për statusin e Kosovës, thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike. Skënder Berisha, profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, pohon se me gjithë faktin se kjo çështje është vështirë të realizohet, pala kosovare nuk duhet ta harrojë këtë kërkesë. Sipas zotit Berisha, dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës llogariten deri në 15 miliardë dollarë. “Pakoja e Ahtisaarit nuk i ka përfshirë. Mirëpo, ne nuk duhet të heqim dorë nga dëmet e luftës, sepse vijnë kërkesa tjera prej Serbisë. Për shembull, Serbia mund të thotë se ‘Kosovës ia kemi kthyer borxhet ndërkombëtare’, siç edhe po deklarojnë”, tha zoti Berisha. Muhamet Mustafa, koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator, tha se ky ekip tashmë ka bërë një vlerësim të dëmeve të luftës, por ende nuk mund të publikohen. Megjithatë, zoti Mustafa pohon se dëme llogariten të gjitha shkatërrimet që janë bërë në pronën private dhe publike, duke përfshirë edhe humbjet në njerëz. “Dëmet kanë dalë edhe si pasojë e shkeljes së të drejtave të njeriut, do të thotë, në kuptim të humbjes së punës, në kuptim të humbjes së jetës, në kuptim të dëmeve të tjera, që janë shkaktuar gjatë luftës dhe konfliktit në Kosovë”, është shprehur zoti Mustafa. Nëse pala serbe e zvarrit procesin e kompensimit të dëmeve të luftës, Skënder Berisha thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet pasi të jetë definuar statusi i Kosovës. “Procesi i sukcesionit pason pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, pas ndarjes. Dhe, atëherë, në tavolinë duhet t’i qesim obligimet e Serbisë ndaj nesh edhe obligimet tona ndaj Serbisë. Dhe patjetër duhet të jenë prezente edhe kërkesat tona”, theksoi zoti Berisha. Por, zoti Mustafa tha se Serbia duhet ta pranojë atë që ka ndodhur në vitet e 90-ta dhe gjatë luftës në Kosovë dhe të kuptojë realitetin e krijuar. “Patjetër duhet të kompensohen dëmet, sepse askush nuk ka të drejtë t’i privojë kosovarët nga kërkesat për kompensimin e dëmeve në pronën private, në jetën e tyre dhe në violencën ndaj të drejtave të njeriut”, ka thënë zoti Mustafa. Sidoqoftë, ekspertët thonë se nëse bashkësia ndërkombëtare vendos megjithatë që Prishtina dhe Beogradi të vazhdojnë bisedimet, atëherë pala kosovare gjithsesi duhet të kërkojë kompensimin e të gjitha dëmeve të luftës, që i ka shkaktuar Serbia.
XS
SM
MD
LG