Ndërlidhjet

PUSHTETI I AGJENCISË KOSOVARE TË MIRËBESIMIT


Nadie Ahmeti

Agjencia Kosovare e Mirëbesimit nuk duhet të kontrollojë të gjitha ndërmarrjet publike dhe mbi këto ndërmarrje, vendimi i fundit nuk duhet të jetë nga Agjencia, por nga Qeveria e Kosovës. Të paktën kështu thonë ekspertët vendorë për çështje ekonomike. Agim Shahini, drejtor i Aleancës Kosovare të Biznesit, tha se në vend që Agjencinë ta kontrollojë Qeveria e Kosovës, në disa raste kjo Agjenci e ka luajtur vetë rolin e qeverisë. Ai madje është i mendimit, se pushteti që ka Agjencia ka ndikuar edhe në zhvillimin e dobët ekonomik. “AKM-ja duhet të kosovarizohet, duhet Qeveria ta mbikëqyrë këtë Agjenci, ashtu siç janë edhe agjencitë tjera në kuadër të Qeverisë. Agjencia nuk duhet të ketë autonomi të plotë siç ka aktualisht dhe nuk duhet t’i kontrollojë qind për qind ndërmarrjet publike”, ka thënë zoti Shahini. Agjencia Kosovare e Mirëbesimit do të vazhdojë të funksionojë deri sa të jetë i pranishëm edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Bujar Dugolli, anëtar i bordit të Agjencisë së Mirëbesimit, tha se me mandat të këtillë, kjo Agjenci i përgjigjet vetëm përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm. “Derisa ne nuk kemi rezolutë të re, e cila shfuqizon Rezolutën 1244, nënkupton që edhe AKM-ja si agjenci e Kombeve të Bashkuara, do të jetë deri sa të ketë zgjidhje të statusit”, u shpreh zoti Dugolli. Por, AKM-ja do të vazhdojë të funksionojë edhe pas zgjidhjes së statusit, thotë Dugolli, duke shtuar se megjithatë do të ketë një emër tjetër. Sipas pakos për statusin e Kosovës, zoti Dugolli rikujton se Agjencia sërish do të jetë nën mbikëqyrjen e misionit të ardhshëm të Bashkimit Evropian. “Gjithsesi do të jetë pasardhëse e kësaj që është tani dhe do të merret me vazhdimin e procesit të privatizimit, me procesin e likuidimit, por edhe me mbikëqyrjen e fondit të mirëbesimit”, tha zoti Dugolli. AKM-ja do të duhej vetëm të vëzhgohet nga autoritetet ndërkombëtare pas zgjidhjes së statusit dhe jo të mbikëqyret në tërësi, thotë Agim Shahini. Sipas tij, institucioni i vetëm që duhet të ketë të drejtë ta mbikëqyrë këtë Agjenci, është Qeveria e Kosovës. “Qeveria e Kosovës duhet të kontrollojë jo vetëm AKM-në, por edhe hapësirën e Kosovës, që ajo ta ndjejë veten se është qeveri në funksion të qytetareve. Dhe, qytetarët të kenë një adresë e jo disa adresa, si deri më sot, që ku të ankohen, por edhe ku të lavdërohen”, u shpreh zoti Shahini. Por, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, thotë se ende nuk është i qartë roli dhe kompetencat që do të kenë përfaqësuesit ndërkombëtarë në bordin e AKM-së, pas zgjidhjes së statusit. Zoti Dugolli ka pohuar se aktualisht, dihet se numri i ndërkombëtarëve në bord do të jetë më i vogël, por me të drejtë vetoje në vendimet e bordit. “Për mendimin tim është një veprim i pakuptimtë dhe jo i mirë. Por, sido që të jetë, ende nuk mund të flasim për formën definitive, sepse pritet të jetë një rregullore e re mbi mbarëvajtjen e punës së AKM-së pasuese dhe pritet të jetë një ligj i ri, i cili do të kujdeset për menaxhimin dhe qeverisjen e ndërmarrjeve publike në Kosovë”, ka theksuar zoti Dugolli. AKM-ja ka filluar punën në vitin 2003. Ajo është përgjegjëse për ndërmarrjet publike në Kosovë, siç është Korporata Energjetike e Kosovës dhe Post-Telekomi i Kosovës. AKM-ja gjithashtu është institucioni i vetëm që merret me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe në kuadër të këtij procesi, ka realizuar privatizimin e 274 ndërmarrjeve të këtilla.


XS
SM
MD
LG