Ndërlidhjet

SCHEFFER U KËRKON KOSOVARËVE DURIM DHE PËRMBAJTJE


Zijadin Gashi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ka kërkuar sot nga autoritetet në Prishtinë të përmbahen dhe të tregojnë durim, në këtë kohë kur procesi i statusit ka ngecur në Këshillin e Sigurimit. Ai tha se kishte ardhur në Prishtinë si mik i Kosovës, për të treguar përkushtimin e NATO-s dhe KFOR-it në mbështetje të një zgjidhjeje sa më të shpejtë, që si bazë do të kishte planin e presidentit Ahtisaari, ndërkohë që nga Rusia kërkoi më shumë fleksibilitet në Këshillin e Sigurimit. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Scheffer është takuar me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, komandantin e KFOR-it, Roland Kather, presidentin e Kosovës dhe Ekipin e Unitetit, si dhe me përfaqësuesit e serbëve. Pas një takimi të përbashkët që zhvilloi me liderët kosovarë, ku mori pjesë dhe komandanti i Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë, admirali Harry Ulrich, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, tha se përkushtimi dhe roli i NATO-s në Kosovë do të mbetet i njëjtë, por sidoqoftë, do të preferohej një vendim më i shpejtë. “Kam ardhur si mik i Kosovës në këtë kohë të vështirë, ngase të gjithë e dimë që procesi, i cili po zhvillohet në Këshillin e Sigurimit, ka hasur në vështirësi. Mendoj, se presidenti, Ekipi i Unitetit dhe unë pajtohemi se zvarritjet e panevojshme në proces janë të paarsyeshme dhe ne shpresojmë, që sa më shpejt të jetë e mundur, të merret vendimi për statusin e Kosovës mbi bazat e vëna në planin e presidentit Ahtisaari”, ka thënë Scheffer. Ai, megjithatë, rikujtoi se ky është një proces që nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me NATO-n, por me Këshillin e Sigurimit dhe për këtë arsye, ai tha se kishte sjellë dhe masazhin e dytë për autoritetet e Prishtinës. “Mesazhi im i dytë që ia drejtova presidentit dhe Ekipit të Unitetit ishte, ju lutem tregoni durim dhe përmbajtje. Jepni procesit edhe pak kohë dhe shpresoj se kjo kohë që do t’i duhet Këshillit të Sigurimit, nuk do të jetë gjatë. Kështu që në fund, rezultati të justifikojë atë që ka justifikuar edhe Ahtisaari në planin e tij”, ka theksuar Scheffer. NATO-ja kërkon përmbajtje, durim, tha ai, duke shtuar se kosovarët duhet të ndihen të sigurt, se KFOR-i mbetet i përkushtuar që procesi i statusit të zhvillohet në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Në anën tjetër, shefi i ekipit të Prishtinës, presidenti Fatmir Sejdiu, tha se kishte falënderuar NATO-n për angazhimet në Kosovë. Sejdiu tha se i kishte shprehur Schefferit qëndrimin e palës kosovare, se procesi i statusit të Kosovës nuk mund të mbetet peng i vullnetit të Rusisë, ndërkohë që rikujtoi se Prishtina ende beson në një vendim të përbashkët në Këshillin e Sigurimit. “Për ne është me rëndësi që kemi qenë dhe do të mbesim partner i rëndësishëm i bashkëpunimit. Por, po ashtu edhe proceset e mëdha, që janë edhe në nivelin ndërkombëtar, janë përgjegjësi në ato nivele ku nevojitet një rezolutë e përbashkët, që do të ishte rruga më e mirë dhe më e drejtpërdrejtë për të lehtësuar ecjen tonë në cilësinë e shtetit të pavarur e sovran dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë”, është shprehur presidenti Sejdiu. Para largimit nga Kosova, Jap de Hoop Scheffer ka mbajtur edhe një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës. Ai tha shumë qartë, se të gjithë ata që mendojnë të arrijnë zgjidhje me dhunë do të përballen me forcën e NATO-s, përkatësisht KFOR-it. Scheffer tha se nuk i takon Aleancës Veri-atlantike që të dalë me zgjidhje alternative për statusin, pavarësisht se procesi ka hasur në vështirësi në New York. Në fund, ai i ka siguruar kosovarët se pavarësisht angazhimeve të NATO-s në botë, KFOR-i do të mbetet në Kosovë dhe nuk do të ketë shkurtesa në numrin e ushtarëve.


XS
SM
MD
LG