Ndërlidhjet

LAJÇI: “SHTATORI, TETORI – MUAJ TË NXEHTË DIPLOMATIKË NË KOSOVË”


Driton LAJÇI, ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lajçi, në takimin e djeshëm mes presidentit amerikan, George Bush, dhe kryetarit rus, Vladimir Putin, është vendosur që lidhur me çështjen e Kosovës të merret sekretarja amerikane e shtetit, Rice, dhe ministri i jashtëm rus, Lavror. Si mendoni se do të ndikojë vendimi i tillë në opinionin kosovar dhe në rrjedhat e mëtutjeshme?

DRITON LAJÇI
U vërtetua edhe një herë se Kosova nuk është prioriteti më i lartë i politikave të jashtme ruso-amerikane, por është një nga prioritetet. Prandaj, në harmoni me këto pozicione, është diskutuar edhe statusi politik i Kosovës. Pra, nuk i është kushtuar rëndësi e jashtëzakonshme, mirëpo i është dhënë njëfarë rëndësie. Vetë fakti, nëse e shohim prej këndit diplomatik, se është zhvendosur agjenda e Kosovës në rrafshin e sekretarëve të jashtëm, jo në nivel të presidentëve, flet se aty ka njëfarë rënieje të prioritetit të diskutimit dhe të vendimmarrjes prej dy burrështetasve, rus dhe amerikan. Në harmoni me këtë është edhe qasja e amerikanëve dhe e rusëve; rusët, mendoj unë, nëse e shohim prej një këndi tjetër, e kanë avancuar pozicionin e tyre kundruall amerikanëve, sepse janë marrë vesh që të bashkëpunojnë, përderisa në proceset, në hapat e mëtutjeshëm, në draft-rezolutat e propozuara nga euro-amerikanët, rusët i kanë bojkotuar. Nga kjo rrjedh se ka një përmirësim të pozicionit të rusëve karshi zhvillimeve të procesit të vendosjes së statusit politik të Kosovës. Do të thotë se ata do të bashkëpunojnë. Mirëpo, se çka i bie kjo ‘do të bashkëpunojnë’, janë lënë të gjitha mundësitë e hapura.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se rusët do të lëshojnë pe?

DRITON LAJÇI
Duhet të ketë kompromis mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Aty duket se ka edhe një marrëveshje, që çështjet të zgjidhen përmes Këshillit të Sigurimit. Me vetë faktin se rusët janë dakorduar që të bashkëpunojnë, rrjedh se do të duhet të vijë deri te një bashkëpunim, deri te një kompromis dhe deri te të lëshuarit pe. Mirëpo, kjo të lëshuarit pe nuk mund të vijë vetëm nga rusët, por edhe nga amerikanët, sepse duhet kuptuar se në ato konstalacione të forcave, ata kanë obligime ndaj njëri-tjetrit, siç kanë rusët ndaj amerikanëve, amerikanët ndaj rusëve. Pastaj, rusët kanë obligime ndaj serbëve. Pastaj, kujdesen se si do të ndikojnë ato vendime në opinionin publik rus. Do të thotë, janë shumë interesa, të cilat fatkeqësisht janë të theksuara shumë në këto momente, kur pritet të zgjidhet statusi final i Kosovës. Mendoj se sa më shumë që janë shtuar interesat në procesin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës, ato do ta dobësojnë atë, që Kosova ta realizojë në këtë fazë shtetin e pavarur dhe sovran.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të ketë përshkallëzim të situatës pasi që, sipas të gjitha gjasave, çështja e statusit të Kosovës do të shtyhet së paku për katër muaj?

DRITON LAJÇI
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i cili është përgjegjës kryesor në sferën e sigurisë dhe duke marrë parasysh edhe funksionimin e brishtë të tij, është e mundshme që situata të tensionohet edhe më tutje, sepse janë grumbulluar shumë probleme. Dhe, maja e problemeve është zhagitja e statusit final të Kosovës. Ne i dimë problemet tjera që i ka Kosova, papunësia, gjendja e rëndë ekonomike, sociale. Ashtu siç është thënë me të drejtë, Kosova është një bombë sociale. Mundet vetëm një shkëndijë e vogël dhe këtu situata të dalë jashtë kontrollit. Ky është një prej argumenteve më të fuqishme, që duhet ta kenë parasysh edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, edhe BE-ja që parapërgatitet të vijë të marrë njëfarë mandati në Kosovë. Ka argumente, ka situata, të cilat shpijnë deri te mundësia e destabilizimit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë zgjidhje hapat e njëanshëm, që kanë mundësi t’i ndërmarrin institucionet e Kosovës lidhur me statusin?

DRITON LAJÇI
Vetë fakti, që ende nuk ka dalë një fuqi siç ishte, po qe se e krahasojmë me iniciativën e fuqishme amerikano-britanike, për të ndërhyrë mbi caqet serbo-jugosllave gjatë vitit 1999, sot nuk ka një iniciator të fuqishëm, i cili do të thotë ‘ja ku jam unë dhe kjo çështje duhet të rregullohet shpejt’. Meqenëse nuk ka, janë lënë të hapura të gjitha mundësitë, qoftë për bojkotim nga Rusia, qoftë për shpallje të një lloj pavarësie nga serbët lokalë, qoftë për të shpallur shtetin sovran të Kosovës edhe një herë nga institucionet e Kosovës, qoftë për të vendosur BE-ja për misionin e vet. Do të thotë, të gjitha kartat janë ende në lëvizje, të gjitha kartat janë të mundshme, të gjitha kartat mund të ndodhin në Kosovë. Se sa e ndihmojnë këto procesin e Kosovës, kjo është një pyetje tjetër, sepse, megjithatë, për Kosovën nuk vendos Kosova. Për Kosovën tash vendosin fuqitë e mëdha. Ne nuk jemi të kënaqur me tretmanin që na jepet, mirëpo për Kosovën do të vendosin fuqitë e mëdha, ashtu siç është thënë. Tashmë dihet se janë adresuar personazhet, Condoleeza Rice dhe Sergej Lavrov.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rrjedhën e mëtejshme të procesit të definimt të statusit të Kosovës?

DRITON LAJÇI
Tash janë pushimet dhe do të bie në njëfarë mase intensiteti i takimeve, edhe pse megjithatë, janë ata që duhet të prijnë, Rice dhe Lavrov. Mendoj se shtatori, tetori do të jenë muaj të nxehtë në Kosovë, ku do të ketë fluks të madh të punëve diplomatike, politike. Mirëpo, në krejt këtë mes, ende nuk po e shoh figurën e qartë të institucioneve të Kosovës. Kundruall krejt këtyre zhvillimeve që janë në Kosovë, unë nuk po e shoh pozicionin e qartë. Megjithatë, institucionet e Kosovës, lidershipi i Kosovës duhet ta vizatojnë pozicionin e tyre dhe të marrin hapa, që duhet të jenë hapa të mençur, të guximshëm dhe që do të shkojnë në drejtim të realizimit të interesave të institucioneve të Kosovës dhe të popullit të Kosovës, përfshirë edhe mbrojtjen dhe avancimin e interesave të vetë serbëve lokalë të Kosovës.

INTERVISTOI: BEKIM BISLIMI
XS
SM
MD
LG