Ndërlidhjet

PAPUNËSIA E TË RINJVE NË KOSOVË – NË RRITJE


Nadie Ahmeti

Më shumë se 300 mijë të rinj janë të regjistruar në zyrat rajonale të punësimit në mbarë Kosovën, që në një llogaritje tjetër mund të thuhet se 72 për qind e popullatës prej 16 deri 39 vjeç, është në kërkim të punës. Këto janë të dhënat e publikuara nga Hafiz Leka, kryesues i Divizionit të Punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Zoti Leka pohon se në zyrat rajonale, numri më i madh i të regjistruarve është i personave të pakualifikuar dhe i vajzave të reja. Por, sipas tij, ky numër mund të mos jetë edhe aq i saktë, për faktin se jo të gjithë qytetarët e papunë regjistrohen në zyrat rajonale për punësim. “Tek mosha e re, 16-24 vjeç, kemi papunësi afro 22 për qind. Mirëpo, prej 25-39 vjeç, gjithashtu kemi papunësi rreth 51 për qind. Kur e bëjmë kombinimin e këtyre dy grup-moshave, 16-39 vjeç, na del se 72 për qind është papunësia e të rinjve”, thotë zoti Leka. Ai shton se Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale ka hartuar një numër programesh për të zbutur shkallën e papunësisë. Por, për zbatimin e këtyre programeve nevojiten mjete materiale, të cilat, sipas zotit Leka, Ministria e Punës nuk i ka. “Sa i përket mjeteve të dedikuara enkas për zhvillimin e politikave aktive në Kosovë, nuk kemi ndonjë fond të veçantë, që është formuar nga buxheti apo Qeveria, në mënyrë që ne do të mundnim, përmes atij fondi, ta bëjmë rritjen e punësimit në Kosovë”, u shpreh zoti Leka. Institucionet vendore po mundohen të krijojnë kushte për zvogëlimin e numrit të të papunëve, thotë Sali Morina, drejtor i Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Kulturës. Ai tha se Ministria e Kulturës në bashkëpunim me disa ministri të tjera që merren me çështjen e të rinjve, tashmë kanë përgatitur Strategjinë dhe Kornizën Afatmesme për punësimin e të rinjve, për vitin 2007-2010. Kjo strategji, sipas zotit Morina, krijon mundësi për të rinjtë në zhvillimin e karrierës së tyre, për të gjetur një mundësi më të mirë dhe më të lehtë të punësimit. “Ne jemi duke krijuar kushte, strategji dhe programe që përfiton ky departament. Në kuadër të programeve, të cilat i përfiton ky departament, qoftë nga projekti i UNDP-së, qoftë nga UNICEF-i, në kemi arritur të punësojmë të rinj të Kosovës”, pohoi zoti Morina. Megjithatë, Hafiz Leka, nga Ministria e Punës, thotë se me ndihmën e disa organizatave ndërkombëtare, këtë vit është mundësuar punësimi i disa qytetarëve, që kanë qenë të regjistruar në zyrat e punësimit. “Gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, janë 2078 persona, ndërsa të trajnuar të diplomuar janë gjithsejtë 1172 perona”, tha zoti Leka. Sidoqoftë, sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Kosovë llogaritet se 42.3 për qind e popullatës së përgjithshme është e papunë. Përballë papunësisë, e cila ka shënuar një rënie të vogël në përqindje, ajo që shqetëson autoritetet është rritja e varfërisë ekstreme prej 13 në 15 për qind.
XS
SM
MD
LG