Ndërlidhjet

RUECKER PARALAJMËRON ZGJEDHJET E LIRA PËR MUAJIN NËNTOR


Zijadin Gashi

Kosova po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme në të dy nivelet. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha sot se i duhen edhe disa konsultime me New York-un dhe me lidershipin e Kosovës, para se të marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve të lira, që parashihen të mbahen gjatë muajit nëntor të këtij viti. Këto komente, Ruecker i bëri pas takimeve që zhvilloi me dy liderët e partive më të mëdha opozitare, Hashim Thaçin dhe Veton Surroin. Sidoqoftë, Ruecker tha se po bisedon me vendorët e ndërkombëtarët që zgjedhjet të mbahen si në nivel të komunave, ashtu edhe në nivelin qendror, por ai sqaroi se ende nuk ka një vendim të prerë dhe nuk e përjashtoi edhe mundësinë e shtyrjes. “Zgjedhjet janë proces demokratik dhe kanë të bëjnë me demokracinë dhe legjitimitetin e lidershipit. Por, askush nuk mund të nxjerrë konkluzione të gabueshme, nëse zgjedhjet mbahen apo shtyhen se ato lidhen me statusin. Zgjedhjet janë një gjë tjetër, kurse statusi diçka tjetër”, ka thënë Ruecker. Në anën tjetër, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se Kosova ka krijuar traditën e vet demokratike të organizimit të zgjedhjeve të lira, të ndërtimit demokratik të institucioneve. Ndërkaq, sa ato kanë qenë efikase, kjo, sipas tij, është çështje e diskutueshme. Vendimi për zgjedhjet, sipas Thaçit, do të merret pas konsultave me spektrin politik kosovar. Vendimi koncensual është në interes të Kosovës, theksoi kryetari i PDK-së. “Të gjitha energjitë tona janë fokusuar se si ta zyrtarizojmë shtetin e Kosovës. Mirëpo, në emër të statusit, nuk do të tolerojmë vazhdimin e keqqeverisjes. E ritheksoj edhe një herë, se duhet punë e përbashkët, vendime të përbashkëta koncensuale, që edhe ta zyrtarizojmë shtetin, edhe të vazhdojmë që demokracia të jetë në funksion”, ka theksuar Thaçi. Në favor të mbajtjes së zgjedhjeve është shprehur edhe Veton Surroi, kryetar i Partisë Reformiste Ora. Ai tha se është me rëndësi, që statusi të zgjidhet para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme. “Ajo që duhet të bëjmë është që çështja e statusit duhet të zgjidhet para zgjedhjeve dhe të ndërlidhet kjo, në mënyrë që të mos hyhet edhe në një cikël zgjedhor, në të cilin premtimi kryesor është ‘jo partia ime do ta bëjë pavarësinë, jo e imja do ta bëjë”, ka thënë Surroi. Ndryshe, sipas Kornizës Kushtetuese, mandati i institucioneve në nivelin qendror përfundon gjatë kësaj vjeshte, përderisa mandati i pushtetit lokal ka skaduar vitin e kaluar, por ai ishte vazhduar me vendim të shefit të UNMIK-ut, me qëllim që zgjedhjet të mos ndikojnë në angazhimet e palës kosovare lidhur me statusin. Tani, kur statusi duket të jetë një proces më i gjatë se që kishte parashikuar Prishtina, nevoja për zgjedhjet është riaktualizuar. Fillimisht, pritjet e Prishtinës ishin se pakoja e Ahtisaarit do të miratohet gjatë qershorit dhe sipas kësaj pakoje, pas gjashtë deri në nëntë muaj, Kosova thuhej se do t’i mbante zgjedhjet e para si shtet i pavarur.

XS
SM
MD
LG