Ndërlidhjet

PAGE: “SITUATA MUND TË DALË JASHTË KONTROLLIT PËR SHKAK TË PAQARTËSISË SË STATUSIT”


Michael PAGE, ekspert i sigurisë, ISSR

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Page, procesi i statusit final të Kosovës mbetet i paqartë, edhe pse shumë kanë pritur ndonjë marrëveshje gjatë takimit Bush-Putin. Meqë kaloni kohë të gjatë me qytetarët e Kosovës, çfarë mendoni, si do të reflektojë kjo paqartësi te ta?

MICHAEL PAGE
Mendoj se paqartësia do të çojë në ngritjen e shqetësimeve. Për shkak të mungesës së veprimit, do të ngritët pakënaqësia e përgjithshme te popullata e Kosovës se çka do të ndodhë aktualisht. Brenda komunitetit serb shihet frikë e madhe dhe ata janë të shqetësuar. Ngjashëm, një shqetësim i rritur vërehet tek popullata shqiptare, pasi që njerëzit janë të brengosur se çka do të ndodhë apo çka nuk do të ndodhë. Anketat e mëhershme tregojnë një rritje të shqetësimit. Mendoj se aktualisht kemi një situatë të tensionuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në çfarë drejtimi mund të çojë kjo frikë dhe ky shqetësim i të dyja palëve?

MICHAEL PAGE
Mendoj se ne kemi një situatë të paqëndrueshme këtu. Kemi një situatë, ku në rast të ndonjë incidenti të madh, është e sigurt se gjërat mund të dalin nga kontrolli. Ekziston një rrezik për këtë. Mendoj se duhet dhënë meritat e duhura liderëve politikë të të dyja anëve, për shkak të mbajtjes nën kontroll të gjendjes. Për këtë ka merita lidershipi aktual politik dhe populli i Kosovës, për shkak se tensionet janë reduktuar dhe janë evituar incidentet. Por, duhet shpresuar që kjo të vazhdojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet ‘incident të madh’. Çka nënkuptuat me këtë?

MICHAEL PAGE
Ka pasur mundësi për incidente të mundshme, kur një grup paramilitar i Serbisë do ta vizitonte Kosovën (në festën e Vidovdanit). Kjo nxiti shumë opinione. Por, kjo çështje përfundoi mirë me vendimin e shefit të UNMIK-ut (për ta ndaluar hyrjen e këtij grupi në Kosovë). Kjo bëri që të zbuten tensionet e mëdha, që ekzistuan ato ditë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë më herët se duhet qartësimi për statusin e Kosovës, me qëllim që të ruhet siguria në Kosovë. Po tani, kush mund ta ruajë sigurinë?

MICHAEL PAGE
Ruajtja e sigurisë bie mbi SHPK-në dhe KFOR-in. U përket atyre të sigurojnë, se ekziston një ambient i sigurt. Dhe, kjo po vazhdon. Kjo situatë do të vazhdojë deri në miratimin e rezolutës së re, e cila mandej do të vendosë për t’i ndarë përgjegjësitë për sigurinë në forma të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se vonesa e zgjidhjes së statusit mund të shkaktojë krizë të sigurisë. A ka indikacione për krizë të tillë gjatë verës?

MICHAEL PAGE
Situata është shumë e tensionuar dhe me rrezik potencial. Mendoj se kemi një situatë, ku nëse ndodh ndonjë incident, atëherë ajo mund të dalë jashtë kontrollit. Por, në anën tjetër, është për t’u theksuar, se nuk ka pasur ndonjë incident të tillë të pakontrollueshëm. Megjithatë, duhet thënë se kjo pritje e publikut ka zgjatur shumë. Me të vërtetë duhet qartësia e statusit, që mund të ofrohet nga rezoluta e OKB-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë situatë, kur nuk është në duar të lidershipit kosovar që të zgjidhë statusin e Kosovës, çfarë mund të bëjnë ata, që ta ruajnë qetësinë në popull?

MICHAEL PAGE
Mendoj se lidershipi kosovar duhet të vazhdojë të bëjë atë që po bën edhe tani, të risigurojë njerëzit se politika ndërkombëtare merr kohë. Nuk mund të parashikohet se gjërat do të ndodhin nesër, kur ato mund të zgjasin deri në fund të vitit të ardhshëm. Politika merr kohë. Ajo që duhet bërë është që t’i risigurojmë njerëzit për këtë çështje. Mendoj se njerëzit duhet siguruar, se gjëja më e keqe që mund të ndodhë në Kosovë, është që nëse njëra apo tjetra palë vendos të përdorë dhunën. Pra, ndonjë incident, siç ka ndodhur në mars të vitit 2004, do të ishte përcaktues i madh, pavarësisht se cili komunitet e organizon atë. Duhet të ketë kontakte me njerëzit dhe duhet t’u kërkohet atyre që të jenë të durueshëm dhe të presin. Nuk ka dyshim, se nëse ka keqësim të situatës së përgjithshme, kjo definitivisht do të ndikojë negativisht në statusin e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Shpesh qarkullon edhe ideja e veprimit të njëanshëm sa i përket zgjidhjes së statusit final. Çfarë mendoni ju për një veprim të tillë?

MICHAEL PAGE
Të jem i sinqertë, nuk jam në pozicion që të kem ndonjë opinion për këtë. Por, këshilla ime e vetme do të ishte se çfarëdo hapi që ekziston jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të ishte i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Ish-kryeministri rus, Yevgenij Primakov, ka përmendur idenë e ndarjes së Kosovës, ndërkohë që ndarja është hedhur poshtë gjithnjë nga liderët kosovarë. Si e shihni ju këtë propozim?

MICHAEL PAGE
Ky propozim është konsideruar nga shumë njerëz. Mendoj se parimet e përgjithshme për t’u gjetur zgjidhje për Kosovën brenda kufijve aktualë, është zgjidhja më e mirë. Por, mendoj se çdo politikan i mirë do të duhej të konsideronte sa më shumë mundësi. Nuk do të thosha nëse është i rrezikshëm ose jo. Është vetëm pjesë e diskutimeve dhe do të duhej adresuar si i tillë. Dhe, njerëzit duhet ta diskutojnë si të tillë dhe të marrin vendim për atë nëse është apo jo ide e mirë.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG