Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS KËRKOJNË BISEDIME PA AFAT DHE PA KUSHTE


Zijadin Gashi

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës nuk pajtohen me përkufizimin e negociatave në afat dhe në parashikimin e rezultatit final. Ata duan bisedime të reja, të pakushtëzuara dhe të paafatizuara. Caktimi i afateve për zgjidhjen e statusit të Kosovës është koncept i keq dhe jo i drejtë, thotë shefi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq. Sipas tij, përcaktimi i afateve nuk garanton arritjen e qëllimit të negociatave për kompromise dhe kjo shkakton efekte negative. “Është tragjike kur dikush përcakton afate për çështjen e statusit. Afati që përmendet prej 150 apo 180 ditëve, paraqet afatin që fillon pas vitit të ri, pas mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, pas formimit të qeverisë së re, kur edhe mund të pritet të niset një fazë e re e negociatave”, thekson Ivanoviq. Gabimi i Ahtisaarit, sipas tij, ishte se ai kishte përcaktuar afate dhe kishte paralajmëruar rezultatin e bisedimeve. Ivanoviq beson se tash në Këshillin e Sigurimit po përgatitet rezoluta, e cila shtyn afatin e bisedimeve nga 120 në 150 ditë. Ndërkaq, Dragan Veliq, nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se procesi i definimit të statusit të Kosovës po shtyhet, ngaqë plani i Ahtisaarit ishte i papranueshëm për Beogradin dhe si i tillë nuk kaloi as në Këshillin e Sigurimit. “Jam i sigurt se është momenti historik, që megjithatë, të gjendet një zgjidhje kompromisi, zgjidhje kjo që do t’i ketë parasysh kërkesat e njërës dhe palës tjetër, ngase vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë e qëndrueshme”, thotë Veliq. Ajo që tash po ndodhë në lidhje me statusin, sipas tij, nuk është zvarritje, por përpjekje që të gjendet një zgjidhje e tillë e qëndrueshme. Mirëpo, zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë si dhe analistët vlerësojnë se çdo shtyrje mund të rrezikojë stabilitetin dhe të arriturat e deritashme në Kosovë, sidomos në planin e sigurisë. Paralajmërime të tilla kanë dhënë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, si dhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Por, këto paralajmërime, për serbët e Kosovës janë të papranueshme. Oliver Ivanoviq thotë se deklarata të tilla u shkojnë shtati forcave ekstreme në Kosovë. “Forcave ekstreme duhet t’u bëhet me dije se nuk ka zgjidhje me dhunë dhe se zgjidhja e statusit duhet të arrihet përmes bisedimeve”, shprehet Ivanoviq. Kurse, Dragan Veliq thotë se perëndimi duhet të marrë përgjegjësinë, kur janë në pyetje kërcënimet që lidhen me sigurinë në Kosovë. “Nëse në këtë mënyrë, përmes kërcënimeve mëtohen të arrihen qëllime politike, atëherë këto janë përpjekje, që përmes kërcënimeve të arrihen zgjidhje, që nuk janë të pranueshme për të dyja palët”, thotë Veliq. Përfaqësuesit serbë thonë se ende besojnë që bisedimet Prishtinë – Beograd do të sjellin ndonjë marrëveshje të pranueshme për të dyja palët. Sipas tyre, pavarësisht se si do të organizohen bisedimet e ardhshme, në formën e Rambujesë, Dejtonit apo në një formë tjetër, në fund negociatat duhet të sjellin si përfundim zgjidhje që pranohet si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG