Ndërlidhjet

MELKERT: KOSOVËS I DUHET NJË ZGJIDHJE E SHPEJTË


Arton Konushevci

Nënsekretari i Kombeve të Bashkuara, Ad Melkert, dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, janë pajtuar sot, se ka ardhur koha e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, Melkert ka përsëritur, se Kosovës i duhet një zgjidhje e shpejtë. Melkert gjithashtu tha se qartësimi i statusit do të ndihmonte shumë procese në të ardhmen. "Ne duhet të fokusohemi në ato, që tash për tash i duhen Kosovës, e në veçanti në zhvillimin ekonomik dhe punësimin e gjeneratave të reja, sepse Kosova ka një potencial të fortë dhe UNDP-ja është e gatshme të ndihmojë qeverinë dhe njerëzit e Kosovës në vitet në vazhdim", është shprehur Melkert. Ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu ka shfaqur optimizmin, se pavarësisht vonesave, megjithatë do të ketë një zgjidhje të shpejtë të statusit, me të cilën do të shpaguhej investimi ndërkombëtar në Kosovë. "Nuk heqim dorë nga formula se Kosova është storia më e suksesshme e investimit ndërkombëtar, natyrisht edhe vendor, për të përmbyllur një proces në mënyrë të suksesshme. Po ashtu, ka ardhur koha që të përmbyllet si duhet, e jo të ketë një zgjatje të procesit në format që nganjëherë dikush dëshiron ta pengojë si tërësi. Ka një garanci të fuqishme, se do të vazhdohet me ndihmat e llojeve çfarë mund t’i bëjë UNDP-ja në Kosovë, pa kurrfarë rezervash. Dhe natyrisht, edhe ne do të jemi partnerë të një bashkëpunimi të mirë dhe të shfrytëzimit të kësaj ndihme në mënyrën më të mirë të mundshme për të ecur përpara”, ka thënë presidenti Sejdiu. Ad Melkert ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ku zhvillimit e fundit politike kanë qenë temë kryesore e takimit. Kryeparlamentari Kolë Berisha ka thënë se i kupton vështirësitë e arritjes së pajtimit për nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën nga ana e Këshillit të Sigurimit. "Natyrisht se edhe këta i kanë vështirësitë, me të cilat ballafaqohen në këto momente për bindjen e Rusisë për mospërdorim të vetos”, tha Berisha. Ad Melkert ka takuar sot edhe kryeministrin e Kosovës Agim Çeku, nga i cili takim nuk ka pasur prononcime për media. Ndryshe, Ad Melkert, që është edhe bashkëadministrator i UNDP-së, ka premtuar ndihmën e këtij programi për uljen e varfërisë në Kosovë, si pjesë e synimeve të mijëvjeçarit.


XS
SM
MD
LG