Ndërlidhjet

KUÇI: "SITUATA E SIGURISË E QETË, POR E BRISHTË"


Blerim KUÇI, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, Amnesty International në një raport të vetin, të publikuar tani, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të çojë drejtësinë në vend, lidhur me vrasjen e dy shqiptarëve nga shkrepja e plumbave të gomës, gjatë demonstratave të 10 shkurtit. Si e vlerësoni ju këtë kërkesë?

BLERIM KUÇI
Dua të konfirmoj edhe një herë, se ngjarjet e 10 shkurtit ishin ngjarje tragjike, që pasuan me viktima dhe me lëndime të rënda të qytetarëve të Kosovës. Për fat të keq, ne është dashur të formojmë një ‘task force’, si dhe të angazhojmë inspektoratin për të bërë hetimet, për të gjetur fajtorët e këtyre ngjarjeve tragjike. Nga hetimet që janë bërë në këtë aspekt, dolën se fajtorë janë policët rumunë. Për fat të keq, ata kanë një kontratë pune me UNMIK-un, e cila nuk mund t’i obligojë në aspektin ligjor, që ata të vijnë dhe të përgjigjen para gjyqeve kosovare ose para gjyqeve ndërkombëtare. Ne i kemi dërguar një letër Zyrës rumune, me kusht që Qeveria rumune ta mundësojë bashkëpunimin e hetuesve tanë, hetuesve të ‘task force’-s, që të bëjnë hetimet ashtu siç duhet, dhe ata të vijnë në Kosovë dhe të jenë pjesë e procesit të hetimeve. Deri tash nuk kemi marrë ndonjë letër ose ndonjë përgjigje, në të cilën Qeveria rumune konfirmon këtë gjë. Tash është edhe interesimi i organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që neve na ndihmon në këtë aspekt. Ne, po ashtu, do t’i dërgojmë edhe një letër tjetër Qeverisë rumune, që edhe një herë ta lusim për bashkëpunim në procesin e hetimeve, që ka të bëjë me përgjegjësinë, e që në mënyrë të drejtpërdrejtë është përcaktuar se përgjegjësia për vrasjen e dy qytetarëve në Kosovë, bie te policët rumunë. Ne, bashkë me inspektoratin e policisë, i cili ka pasur autorizimet nga ana e ministrit që ta mbikëqyrë këtë proces, sot e kemi një takim të përbashkët, ku do të merremi vesh për hapat e mëtejmë lidhur me këtë rast. Ne, po ashtu, ngjarjet e 10 shkurtit do t’i shfrytëzojmë për një çështje tjetër. Dihet se BE-ja do të ketë një mision të ardhshëm në Kosovë; do të insistojmë që pjesëtarët e BE-së në misionin e ardhshëm të Kosovës të përgjigjen para gjyqeve kosovare, sepse dihet se të gjitha ligjet kosovare janë konform standardeve evropiane. Po ashtu, në gjykatat supreme në Kosovë do të ketë edhe gjykatës evropianë. Kjo na mundëson që të kërkojmë nga punëtorët e ardhshëm të këtij misioni që të përgjigjen para gjyqeve kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Amnesty International i rekomandon UNMIK-ut hetime të tjera shtesë të ndonjë oficeri të lartë, përfshirë këtu edhe komisarin e policisë. A mendoni ju se duhet të bëhen hetime të tjera shtesë?

BLERIM KUÇI
Hetime duhet të bëhen aq sa ka nevojë, derisa fajtorët të vihen para gjyqit. Kjo është për ne me rëndësi. Nuk e di sa do të zgjasë ky proces dhe sa duhet të zgjasë. Por, ky proces duhet të zgjasë derisa e vërteta të dalë në shesh dhe fajtorët të sillen para gjyqit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni situatën e sigurisë tash për tash në Kosovë?

BLERIM KUÇI
Sa i përket sigurisë, situata në Kosovë është e qetë. Ne e përdorim zakonisht një fjali, që më duket se është shumë adekuate, ‘është e qetë, por e brishtë’. E brishtë është sepse ka të bëjë me definimin e statusit. Janë dy elemente që e sfidojnë situatën në Kosovë. Është procesi i definimit të statusit; në brendësi të këtij procesi është koha e definimit të statusit edhe durimi. Mendoj se durimi është në përpjesëtim të zhdrejtë me kohën. Dhe, sa më e gjatë të jetë koha e definimit të statusit, aq më i vogël do të jetë durimi. Në këtë kontekst, besoj se janë edhe disa elemente, që do të mund të ndikojnë në situatën e përgjithshme në Kosovë. Dhe prapë kjo ka të bëjë me çështjen e durimit. Përveç grupeve apo organizatave që mund të jenë të pakënaqura me vetë procesin e definimit të statusit, kam frikë se në një moment të caktuar mund të jenë të pakënaqur edhe vetë bartësit e institucioneve në Kosovë, mund të jetë i pakënaqur edhe vetë Kuvendi, mund të jetë i pakënaqur edhe vetë presidenti, kryeministri, ndoshta edhe ministri i Punëve të Brendshme. Ky është një problem, të cilin faktori ndërkombëtar duhet ta ketë parasysh. Ne e dimë se Serbia, përmes Rusisë dhe disa miqve të saj ndërkombëtarë, e ka parasysh këtë, përkatësisht lojën me durimin. Edhe ajo, si duket, ka blerë kohë për shtyrjen e definimit të statusit. Në këtë çështje, unë kisha bërë një apel te Këshilli i Sigurimit, që ta ketë parasysh lojën me durimin.

RADIO EVROPA E LIRË
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë thënë se nuk do të lejojnë shtyrjen e mëtejshme të statusit të Kosovës. Ata thonë se do të mobilizohen dhe do të protestojnë. A parashikoni ndonjë përkeqësim të situatës?

BLERIM KUÇI
Edhe shoqatat e dala nga lufta, por edhe vetë partitë politike janë të shqetësuara për shkak të shtyrjes së definimit të statusit. Janë të shqetësuara për shkak se faktori ndërkombëtar ka hyrë në lojë, Serbia i ka futur në një lojë. Unë mendoj se kanë të drejtë për shqetësim. Por, jo vetëm shoqatat e dala nga lufta, unë e thashë edhe më herët se janë të shqetësuara edhe vetë institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Do me thënë, ju prisni ndonjë mobilizim dhe protesta të shoqatave të dala nga lufta?

BLERIM KUÇI
Tash për tash nuk mund të thuhet me saktësi, sepse ne po presim. Ne ende besojmë se do të ketë një rezolutë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ende besojmë se, së paku, do të jetë një kohë e precizuar mirë se deri kur mund të shkohet, ku është ai maksimumi i këtij procesi. Përveç maksimumit, edhe çfarë do të jetë përmbajtja e këtij statusi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është sfida më e madhe e sigurisë aktualisht?

BLERIM KUÇI
Aktualisht është sfida e shtyrjes së vetë statusit. Nuk kemi ndonjë sfidë tjetër. Për fat të mirë, duhet të pranojmë se Kosova është një vend i qetë. Nëse i largojmë ngjarjet e vitit 2004, Kosova del një ndër vendet më të qeta në Evropë, e ndoshta edhe në botë. Por, kur kemi parasysh këtë qetësi, atëherë ne duhet të themi se, kohëve të fundit, situata është e brishtë; e brishtë për shkak të shtyrjes së statusit.

INTERVISTOI: Arton KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG