Ndërlidhjet

TË RINJTË DHE POLITIKA


Arton Konushevci

Të rinjtë e Kosovës, që janë inkuadruar në politikë, thonë se e kanë bërë këtë sepse në radhë të parë kjo u pëlqen, por edhe pse e shohin politikën si rrugë që do t’u ndihmojë në karrierën e tyre në të ardhmen. Sytrime Dervisholli, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se ka hyrë rrjedhave të politikës tash tre vjet, pasi, siç thotë ajo, në të ardhmen mendon të jetë pjesë e skenës qendrore politike. “Arsyeja që më ka shtyrë për të hyrë në politikë ndoshta ka qenë që më ka pëlqyer politika si profesion, asgjë më shumë”, shprehet Dervisholli. Ndërkaq, Memli Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ka filluar të merret me politikë, pasi politika në fakt ka qenë pjesë e tij që në fëmijëri. “Unë personalisht, në një formë ose tjetër, kam qenë i lidhur me politikën që kur kam qenë fëmijë. Në fakt, edhe karriera ime paraprake në muzikë ka qenë shumë e ndërlidhur me politikën. Unë e kam konsideruar muzikën gjithmonë si një politikë timen”, thotë Krasniqi. Në anën tjetër, Valon Tolaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se politika do t’i ndihmojë në karrierën e tij në të ardhmen. “Janë dy parime kryesore që unë u përmbahem, do me thënë zhvillimi i karrierës personale dhe kuptohet që, përmes zhvillimit të vetvetes, t’i ndihmoj edhe të tjerët”, pohon Tolaj. Por, sa gjejnë mbështetje projektet e të rinjve në organet vendimmarrëse të partive politike? Sytrime Dervisholli, kryetare e Forumit Rinor të LDK-së, thotë se kjo parti nuk është shumë e hapur për pranimin e ideve të reja. “Nuk mund të them se është një situatë e kënaqshme, sa i përket marrjes parasysh të kërkesave të të rinjve, mirëpo shpresojmë në të ardhmen. Një ndër qëllimet e mia të planit të punës është që kërkesat e të rinjve të adresohen në vendin e duhur, të merren sa më shumë parasysh dhe sa më shumë të dëgjohet zëri i të rinjve”, thotë Dervisholli. Nga ana tjetër, Memli Krasniqi, udhëheqës i Departamentit të Rinisë në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, thotë se PDK-ja u jep të rinjve hapësirën e nevojshme për veprim. “Në PDK ka një numër të madh të të rinjve, që janë pjesë edhe e forumeve vendimmarrëse, por edhe të pjesëve të tjera të stafit organizativ ose implementues të atyre politikave, që dalin prej forumeve vendimmarrëse. Kemi 32 degë dhe secili kryetar i degës është pjesë e secilës kryesi të degës, ashtu që unë jam anëtar i kryesisë në qendër. Dhe, secili prej tyre ka absolutisht të drejta të barabarta”, thotë Krasniqi. Valon Tolaj i Forumit Rinor të AAK-së, konsideron se krahasuar me partitë tjera politike në Kosovë, AAK-ja u jep hapësirë më të madhe të rinjve për të vepruar. “Hapësira për paraqitjen e mendimeve dhe propozimeve është maksimale, krahasuar me shumë subjekte të tjera. Këtë e dinë të gjithë, e pranojnë të gjithë se ekziston një hapësirë mjaft e madhe në AAK për shprehjen e mendimeve, normal në përputhje me realitetin që ndodhet në vend. Propozimet dhe mendimet janë të pranueshme deri në atë masë sa janë të realizueshme. Përvoja e të rinjve nuk është edhe aq e madhe saqë të jepet ndonjë mendim apo propozim shumë shpesh. Por, mund të them se propozimet tona, pothuajse 90 për qind e tyre kalojnë”, thotë Tolaj. Sidoqoftë, të rinjtë e këtyre partive politike konsiderojnë se kanë ide dhe projekte që mund të realizohen, por, sipas tyre, partitë politike duhet t’u japin hapësirë edhe më të madhe të rinjve, sesa që u ofrojnë aktualisht.

XS
SM
MD
LG