Ndërlidhjet

SERBËT SHPREHEN PËR PJESËMARRJE NË ZGJEDHJET E SIVJETME NË KOSOVË


Zijadin Gashi

Shumica prej subjekteve politike serbe shprehen të gatshme të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare, që pritet të mbahen në Kosovë gjatë vjeshtës së këtij viti. Për dalje në zgjedhje shprehen kryesisht ato parti politike serbe, të cilat edhe janë të regjistruara në misionin e OSBE-së. Kreu i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, thotë se serbët, sivjet, mbajnë në përgjithësi pozicionin pro-pjesëmarrjes në zgjedhje. “Në situatën kur njëkohësisht organizohen zgjedhje lokale dhe parlamentare është shumë e qartë që serbët do të marrin qëndrim pozitiv dhe në këtë aspekt, edhe do të marrin pjesë në zgjedhje”, thotë Ivanoviq. Sipas tij, serbët janë shumë më të interesuar për zgjedhjet nëpër komuna, por ai nuk e përjashton si mundësi që sivjet të ketë një pjesëmarrje shumë më masive edhe për nivelin qendror. Ndërkaq, ministri për Komunitete dhe Kthim, Branisllav Gërbiq, i cili së fundit ka formuar partinë e tij politike, Demokracia e Re, thotë se nuk sheh asnjë problem dhe se partia e tij do të dalë në zgjedhje. “Mendoj se zgjedhjet do të jenë një mundësi e mirë që të shihet se cila është fuqia e partive politike në Kosovë, të cilat duan që me punën dhe angazhimin e tyre të ruajnë interesat e bashkësisë serbe”, thotë Gërbiq. Mirëpo, për dallim nga partitë politike, Këshilli Nacional Serb mban rezerva për daljen e serbëve në zgjedhje. Zbatimi i decentralizimit, sipas Rada Trajkoviqit, nga ky këshill, shihet si një prej kushteve para se të merret vendimi për zgjedhjet e ardhshme. “Ajo që paraqet problem për ne si bashkësi serbe është diskriminimi që zbatohet përmes institucioneve dhe majorizimi”, thotë Trajkoviq, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë që të dilet në zgjedhje, nëse faktori ndërkombëtar, në radhë të parë, angazhohet që përfaqësimi i serbëve në institucione të jetë jo vetëm si numër, por përfaqësim në mbrojtje të interesave të këtij komuniteti. Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura në vitin 2004, serbët kanë marrë pjesë në votime me një numër shumë simbolik, që erdhi si rrjedhojë e thirrjeve nga Beogradi që të mos marrin pjesë. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, serbët kësaj radhe konsiderojnë se bojkotimi i institucioneve nuk është forma më e mirë për t’i mbrojtur interesat e komunitetit që përfaqësojnë. Kuvendi i Kosovës ka dhjetë vende të rezervuara për serbët, si dhe lejon ulëse tjera, të cilat fitohen drejtpërdrejt përmes zgjedhjeve. Ndërkaq, Qeveria ka dy ministri të rezervuara për këtë komunitet.
XS
SM
MD
LG