Ndërlidhjet

ÇEKU PROPOZON SHPALLJEN E PAVARËSISË MË 28 NËNTOR


Zijadin Gashi

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, propozon datën 28 nëntor për shpalljen e pavarësisë. Sidoqoftë, ai tha sot, pas një takimi që zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, se data 28 nëntor, që lidhet edhe me datën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është vetëm një ide e tij, e cila për t’u fuqizuar si nismë kërkon edhe përkrahjen e anëtarëve tjerë të Ekipit të Unitetit, si dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rend të parë, por edhe të disa vendeve të Bashkimit Evropian. “Ne e kemi ofruar ditën 28 nëntor, që përputhet që nga tani, nga kthimi ynë nga Uashingtoni, me 120 ditë - si kërkesë e faktorit ndërkombëtar. Por, është edhe datë, të cilën ne e festojmë në historinë tonë dhe deshëm ta bëjmë edhe më madhështore këtë”, është shprehur Çeku. Propozimi i kryeministrit kosovar parasheh si bazë për statusin e Kosovës pakon e Ahtisaarit, respektimin e 120 ditëve të tranzicionit për largimin e UNMIK-ut, si dhe vendosjen e misionit civil ndërkombëtar pas statusit, siç parashihet me dokumentin e Ahtisaarit. Dështimi i Këshillit të Sigurimit që të dalë me një rezolutë, si vendim i përbashkët për statusin e Kosovës, nuk lë shumë hapësira tjera veç deklarimit të pavarësisë, tha kryeministri Çeku, duke potencuar në vazhdimësi se hapat e Prishtinës do të merren në bashkëpunim me Uashingtonin e Brukselin. Ai tha se është shumë evidente, që procesi në Nju Jork do të dështojë, por për Kosovën, sipas tij, do të ishte më e favorshme që rezoluta të mos vihet në votim, duke ditur rrezikun nga vetoja ruse. “Tanimë, pothuajse çdokush pret që kjo rezolutë të mos miratohet. Ne jemi në favor të asaj, që nëse është gatishmëria e Rusisë për ta përdorur veton, as mos të shkohet në votim. Neve nuk na konvenon, që mbi një propozim për Kosovën ta kemi veton ruse. Dhe, vetoja zyrtare ruse mbi propozimin për pavarësinë e Kosovës mund t’i dekurajojë disa vende evropiane për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Çeku. Ai është ndalur dhe në vizitën e delegacionit të Kosovës në Uashington dhe takimin që do të realizojë atje me sekretaren e shtetit, Condoleezza Rice. Çeku tha se në Uashington, pala Kosovare fillimisht do ta sigurojë sekretaren e shtetit, se Kosova është e gatshme për pavarësi dhe do të tregohet e gatshme ta shpallë pavarësinë, sapo që Shtetet e Bashkuara të jenë të gatshme ta njohin Kosovën si shtet. “Ne do të kërkojmë më shumë qartësi në këtë proces, më shumë dinamizëm. Do të kërkojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta mbajnë rolin udhëheqës në këtë proces dhe do të tregojmë se Kosova është e gatshme ta shpallë pavarësinë, në momentin kur ata janë të gatshëm ta pranojnë shtetin e pavarur e sovran të Kosovës”, ka pohuar Çeku. Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se administrata që ai drejton po i përcjell me vëmendje zhvillimet rreth statusit. Në këtë aspekt, Ruecker tha se nuk do të marrë vendim për kërkesën e palës kosovare, që zgjedhjet të shpallen këtë vit, pa një qartësim më të mirë të procesit të statusit. “Ne duhet të sigurohemi që zgjedhjet të mos pengojnë procesin e statusit dhe ato nuk duhet të shihen nga askush si mundësi për zvarritjen e statusit”, ka thënë Ruecker, duke besuar se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve mund të presë deri në fund të muajit, kur do të dihet më qartë rrjedha e procesit të statusit. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe takimit të delegacionit kosovar me sekretaren e shtetit, Condoleezza Rice, Prishtina beson se rrjedha e mëtutjeshme e procesit të statusit do të qartësohet dukshëm.

XS
SM
MD
LG