Ndërlidhjet

PRISHTINA VLERËSON SE KALIMI I STATUSIT NË GK E SHPEJTON PAVARËSINË


Zijadin Gashi

Udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës kanë vlerësuar, sot, se kalimi i çështjes së Kosovës nga Këshilli i Sigurimit në Grupin e Kontaktit, do ta përshpejtojë pavarësinë e Kosovës. Këto komente ata i bënë pak para nisjes për në Uashington, ku pritet që më 23 korrik, të realizojnë një takim me sekretaren e shtetit amerikan, Condoleezza Rice. Presidenti dhe shefi i delegacionit negociues të Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se kalimi i çështjes së Kosovës tek Grupi i Kontaktit ka qenë një rrugë alternative, që kosovarët e kanë kërkuar që kur se në Këshillin e Sigurimit kishte bllokim të procesit nga ana e Rusisë. “Ka qenë rrugë alternative që ne e kemi thënë gjithmonë, sepse deshëm-s’deshëm ishte një bllokim i vazhdueshëm në Këshillin e Sigurimit, ku një vend mund të ketë të drejtën e vetos, janë pesë vende anëtare që e kanë të drejtën e vetos. Në këtë nivel të mëvonshëm, nuk do të ketë të drejtën e vetos. Ju e dini punën e Grupit të Kontaktit dhe po ashtu punën e mekanizmave të tjerë, flas për Bashkimin Evropian, që ka pasur një qëndrim shumë korrekt në mbështetje të propozimit të presidentit Ahtisaari. Dhe, mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë me ngulm në qëndrimin e tyre”, është shprehur presidenti Sejdiu. Ai tha se ende nuk dihet formati i ardhshëm i procesit të statusit të Kosovës, që do ta përcaktojë Grupi i Kontaktit. Mirëpo, sipas Sejdiut, ka një ide që të shkohet edhe në një proces tjetër negociator prej 120 ditëve. “Ne nuk kemi ndonjë format paraprak dhe s’mund të them se cila do të jetë ajo rrugë. Parashihet përafërsisht periudha prej 120 ditësh, që duhet kaluar si kohë, e mbase mund të ketë edhe ide që të shpejtohet ky akt. Për ne është me rëndësi që të japim kontributin tonë dhe të jemi seriozë, sikur që kemi qenë deri më tani dhe të arrijmë qëllimin”, ka pohuar presidenti i Kosovës. Në anën tjetër, kalimin e procesit nga Këshilli i Sigurimit te Grupi i Kontaktit, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, e ka parë si të pashmangshëm. Ai tha se kishte kohë që nuk shpresonte në Këshillin e Sigurimit, andaj edhe kishte dalë që moti me propozime alternative. “Mendoj se nuk ka rrugë tjera. Ne e kemi paraparë këtë dhe vazhdimisht kemi kërkuar një qasje të re. Do me thënë, është parë shumë qartë se përpjekjet për të kaluar me miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit, me miratimin edhe të Rusisë, janë të pamundura. Thjesht, rruga përmes Këshillit të Sigurimit u bë e pamundur dhe tani është koha të kërkojmë rrugë tjera. Ne, jo vetëm që kërkojmë, por edhe do të ofrojmë rrugë tjera dhe mendoj se rruga tjetër është njohja bilaterale apo shpallja e koordinuar e pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar kryeministri Çeku. Ai ka propozuar që më 28 nëntor Kosova të shpallë pavarësinë e saj, për çka ka hasur në disa reagime ndërkombëtare. Sidoqoftë, kryeministri kosovar tha se nuk është tërhequr nga ideja e tij dhe ende mendon se statusi i Kosovës duhet të ketë një afat deri kur do të pritet dhe kur do të shpallet pavarësia. Ndërkaq, në rast se në negociatat e ardhshme të paralajmëruara do të hapej çështja e kufijve, atëherë, Çeku tha se në këtë rast do të hapej çështja e kufijve në tërë Ballkanin dhe çështja shqiptare kudo në Ballkan. Bashkë me Sejdiun e Çekun, në takimin me sekretaren amerikane të shtetit, Condoleezza Rice, do të marrin pjesë dhe kryeparlamentari, Kolë Berisha, si dhe dy liderët e opozitës, Hashim Thaçi e Veton Surroi. Takimi me Condoleezza Rice mbahet dy ditë para mbledhjes së Grupit të Kontaktit, i cili ka marrë përsipër zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
XS
SM
MD
LG