Ndërlidhjet

ANALISTËT: PRISHTINA TË PËRGATITET PËR TË BISEDUAR EDHE PËR ÇËSHTJET E PAPREKSHME


Arton Konushevci

Raundin shtesë të bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, analistët e vlerësojnë si blerje në kohë dhe zhargitje të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Mosdefinimi i agjendës së çështjeve që do të bisedohen, tregon paqartësinë e vetë Grupit të Kontaktit dhe komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi, në raport me negociatat e reja, thotë analisti Ilir Dugolli. “Siç shihet, shtetet kryesore, Rusia në njërën anë dhe të tjerat, kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme për atë se çfarë duhet të bisedohet, a duhet të këtë kushte apo jo, cili duhet të jetë formati i bisedimeve. Kështu që një numër i madh i gjërave mbesin të paqarta. Megjithatë, kjo, në asnjë mënyrë, nuk e arsyeton mungesën e përgatitjeve, aq më tepër që tani gjërat, premisat në një forme po ndryshojnë, paradigmat e pozicioneve të palëve po ndryshojnë, dhe jo në favorin tonë. Në njërën anë e kemi palën kosovare, e cila për dallim nga bisedimet e mëhershme, tani vërtet s’ka çka të bisedojë. Por, më përpara ka qenë aktive, ka qenë pro-aktive, ka bërë propozime të shumta. Tani s’ka se si të jetë e tillë”, ka thënë Dugolli. Ai ka shtuar se pala serbe tash për tash shihet se është shumë aktive me politikën e saj rreth Kosovës, ndërsa pala kosovare, në bisedimet e ardhshme, duhet të jetë e përgatitur për të diskutuar edhe për ato çështje që po cilësohen si të paprekshme. “Do të duhej të lënë përshtypje se po bisedohet për çështjen kryesore, për çështjen e statusit. I gjithë ky është proces që çon drejt zgjidhjes përfundimtare të statusit, e jo të çështjeve teknike. Kështu që nuk besoj se do të jenë në gjendje t’ua hedhin të tjerëve, duke u përqendruar gjatë këtyre 120 ditëve të ardhshme vetëm në çështje teknike. Sikur të ishte ashtu, do të vetëkuptohet se çështja e statusit është zgjidhur, mirëpo kjo nuk është zgjidhur”, u shpreh Dugolli. Analisti dhe publicisti Shkëlzen Maliqi mendon se bisedimet e ardhshme mes të dyja palëve nuk do të sjellin ndonjë rezultat konkret. Por, sipas tij, edhe njëherë do të dëshmohet se nuk do të ketë kompromis substancial për çështjen e Kosovës. “Mendohet se kjo më shumë është një blerje kohe dhe edhe njëherë dëshmim i Rusisë dhe i Serbisë se në të vërtetë nuk ka mundësi të arrihet një kompromis substancial, i madh rreth çështjes së Kosovës, por do të bisedohet, eventualisht për korrigjimin e këtyre propozimeve, që kanë dalë deri tash te pakoja e Ahtisaarit. Unë nuk besoj se do të ketë bisedime që do të sjellin diçka krejt ndryshe dhe atë që e kërkon Serbia. Në të vërtetë, ata synojnë që me këto bisedime ta kthejnë situatën në çështjen e rrudhjes së statusit të Kosovës në një autonomi brenda Serbisë. Mendoj se kjo është e pamundur, këtë nuk e përkrah as perëndimi”, tha Maliqi. Ai shtoi se politikanët në Kosovë, pavarësisht mbështetjes që kanë nga administrata amerikane, duhet të jenë të përgatitur për oferta të reja që mund të dalin gjatë bisedimeve. “Dua të them ka mangësi, por ka njëfarë pajtimi bazik mes perëndimorëve dhe kosovarëve, që ndonjëherë për opinionin tonë duket si servilizëm, por nuk është. Do me thënë, është një marrëveshje bazë, që serbëve duhet t’u ofrohet maksimumi i mundshëm, por në kuadër të një Kosove të pavarur”, ka thënë Maliqi. Sidoqoftë, të dy analistët kanë thënë se menjëherë pas përfundimit të negociatave 120 ditëshe, Kosova duhet të shpallë pavarësinë e saj me pëlqimin e administratës amerikane dhe fuqive të mëdha botërore, me apo pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit.
XS
SM
MD
LG