Ndërlidhjet

BARRA E RËNDË E PAPUNËSISË


Bekim Bislimi

Gjendja ekonomike dhe sociale, çdo ditë e më shumë, po rëndon në Kosovë dhe barrën më të rëndë po e bartin mbi supe qytetarët e papunë, të cilët janë shumicë në këtë vend, thonë disa qytetarë të Prishtinës. Jusuf Islami thotë se është e pakuptueshme se si arrin të mbijetojë një numër i madh i qytetarëve të papunë, por edhe ata që punojnë, duke pasur parasysh nivelin e ultë të pagave. “Gjendja çdo ditë përkeqësohet, e sidomos në fshatra, ku ka papunësi të madhe. Edhe aty ku ka punësi, në shumicën e vendeve rrogat janë shumë të vogla. Nuk e di se si një pjesë e madhe e njerëzve i del në krye muajit”, thotë Islami. Ndërkaq, Selim Gjonbalaj shpreh mendimin se gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë është e mjerueshme. “Asnjëherë gjendja nuk ka qenë më e keqe. Populli është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Pjesa sociale e njerëzve që kanë vetëm 40 euro në muaj, sigurisht që është më e prekura. Është një numër shumë i madh i qytetarëve, është një numër shumë i madh i studentëve që presin punë e nuk kanë”, shprehet Gjonbalaj. Ndërsa, Ismet Gjata thekson se duke u bazuar në situatën e tanishme ekonomike dhe sociale, të rinjtë nuk shohin ndonjë perspektivë pozitive. ”Sociologët duhet ta përcjellin këtë gjendje. Shumë të rinj po mërgojnë, sepse nuk shohin perspektivë në Kosovë”, shprehet Gjata. Ekonomia e dobët pamundëson hapjen e vendeve të reja të punës, thotë Mustafë Maxhuni, duke shtuar se kjo rezulton me gjendje të rëndë sociale. ”Investitorët e huaj ende hezitojnë të investojnë në Kosovë, për shkak të statusit ende të pazgjidhur të Kosovës. Ata hezitojnë të vijnë këtu, sepse sigurisht që kërkojnë një siguri më të madhe për kapitalin e tyre të investuar”, thotë Maxhuni. Të njëjtit qytetarë pohojnë se zhvillimet aktuale politike rreth procesit të definimit të statusit të Kosovës, e kanë zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga problemet e përditshme ekonomike dhe sociale, por, sipas tyre, kjo nuk do të zgjasë deri në pakufi. Jusuf Islami thotë: “Kujtoj se moszgjidhja e statusit ka ndikim të madh. Po të zgjidhej më me dinamikë, do të kishin ndërruar gjërat në aspektin pozitiv. Qytetarët do të reagonin me siguri në forma të tjera, por populli shpreson se kur të zgjidhet çështja e statusit, atëherë edhe problemet sociale gradualisht do të zgjidhen”. Ndërsa Selim Gjonbalaj shpreh mendimin: “Pak a shumë ndikon situata politike, për arsye se populli shpreson jo sot, jo nesër do të vijë pavarësia. Por, si duket, aty janë të zhgënjyer. Dhe, pas të gjitha këtyre zhgënjimeve që po përjeton populli kosovar, besoj se një ditë do të thotë ‘mjaft’. Në anën tjetër, Ismet Gjata mendon: “Rinisë i intereson se si të rregullojë çështjen ekonomike, sepse i ka humbur shpresa për status, është tepër e rëndë gjendja”. Mustafë Maxhuni thotë: “Me vite janë duke pritur, janë duke duruar, që vetëm për hir të statusit, derisa të zgjidhet, të heqin dorë nga disa kërkesa, të cilat do të ishin më radikale. Përndryshe, popullata është shumë e zhgënjyer, është në pozitë shumë të rëndë”.
XS
SM
MD
LG