Ndërlidhjet

KOSUMI:“STAGNIMI MUND TË EKSPLODOJË NJË DITË”


Bajram KOSUMI, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka kërkuar nga Grupi i Kontaktit t’i raportojë atij për ecurinë e negociatave të reja deri më 10 dhjetor. A mendoni ju se bisedimet shtesë do të sjellin ndonjë rezultat konkret deri atëherë?

BAJRAM KOSUMI
Unë nuk jam optimist dhe nuk pres asgjë nga këto bisedime. Do të thuhet se këto bisedime të reja janë të imponuara kryesisht nga Rusia dhe Serbia. Negociatat në mes të Serbisë, faktorit ndërkombëtar dhe Kosovës kanë ndodhur në Vjenë, kanë përfunduar, kanë rezultuar me një dokument dhe ky është kulmi i të arriturave të negociatave për këtë çështje. Nuk pres ndonjë rezultat të ri, është thjesht një shtyrje e kohës, e cila në thelbin e vet e rrezikon procesin e paqes dhe të krijimit të stabilitetit në këtë pjesë të rajonit. Çdo shtyrje e procesit, çdo vonesë në vendimmarrje e rrezikon vetë procesin. Populli i Kosovës ka mbetur peng i vendimit për statusin final, si në aspektin e zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në aspektin e avancimit të demokracisë në Kosovë dhe në aspektet e tjera sociale. Gjithashtu, në Kosovë, është stagnuar, duke pritur vendimin për statusin final, sepse kufijtë kushtetues nuk lejojnë zhvillim më të madh, sesa ky që është sot. Prandaj, gjithçka është duke stagnuar dhe stagnimi, që është frenim, mund të eksplodojë një ditë.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, ju mendoni se nuk duhet të ketë negociata?

BAJRAM KOSUMI
Nuk është dashur absolutisht të ketë negociata të reja. Këto janë të imponuara dhe ne nuk mund t’i kundërvihemi faktorëve relevantë, që vendosin për këtë proces. Ne do të jemi pjesë e negociatave. Por, unë qëndroj fuqimisht në këtë proces, në disa çështje, në disa pozicionime të Kosovës, nën një: nuk do të negociohen gjërat që janë negociuar njëherë; nën dy, dokumenti i Ahtisaarit është e arritura më e madhe në këtë proces dhe nuk mund të jetë objekt i ndryshimeve, ai është i pranueshëm prej Kuvendit të Kosovës i tillë çfarë është, nuk mund të ndryshohet sepse do të bëhet i papranueshëm për Kosovën; dhe, nën tre, një ripozicionim për kohën - dakord është caktuar një kohë e re për negociata, janë caktuar 120 ditë nga Sekretari Gjeneral i OKB-së, por ne presim që në përfundim të këtyre 120 ditëve, të merret vendimi për statusin final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Udhëheqësit kosovarë e kanë bërë të qartë qëndrimin, se nuk do të negociohet për pavarësinë e Kosovës, për integritetin territorial dhe për pakon e Martti Ahtisaarit. Si e shihni ju çështjen e agjendës rreth së cilës do të bisedohet?

BAJRAM KOSUMI
Vërtet është vështirë të përcaktohet se çka do të bisedohet, pak për shkak të faktit që dihet se asgjë nuk do të arrihet me bisedimet e reja Kosovë-Serbi dhe, e dyta, për faktin se janë kryer negociatat. Por, megjithatë, ka disa gjëra që duhet dhe kemi nevojë t’i negociojmë. Janë disa probleme që kanë mbetur të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, që duhet të negociohen: çështja e të zhdukurve gjatë luftës, çështja e dëmeve të luftës, çështja e marrëdhënieve ekonomike që kanë ekzistuar dhe e borxheve që kanë mbetur, borxheve ekonomike, në mes të dy vendeve, çështja e bashkëpunimit ndërkufitar – këto janë çështje që duhet t’i hapë Ekipi i Unitetit i Kosovës, t’i qesë në tavolinë dhe t’i diskutojë me Serbinë. Mendoj se përveç Rusisë, e tërë bota dhe tërë faktorët tjerë e dinë se këto negociata nuk janë thelbësore, këto negociata janë vetëm shtyrje e kohës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Prishtina zyrtare ka çka të ofrojë ende për Beogradin zyrtar dhe për serbët e Kosovës, gjatë bisedimeve të reja?

BAJRAM KOSUMI
Do të ndahet kjo çështje, do të thotë raporti me Serbinë dhe raporti me serbët e Kosovës. Për serbët e Kosovës, dokumenti i Ahtisaarit ofron zgjidhje që asnjë komunitet etnik nuk i gëzon në Evropë, ofron zgjidhje edhe më tepër se ato që obligojnë të drejtat dhe ligjet ndërkombëtare. Kjo ka pasur një arsye pse ka ndodhur kështu. Do të thotë, ne e pranojmë atë logjikë që quhet diskriminim pozitiv, por nuk mendoj se mund të ketë diçka tjetër, që mund të jetë objekt i bisedave serioze për të drejta shtesë; nëse ka, duhet të diskutohet. Por, nuk do të pranohet asnjë kërkesë që ka të bëjë me ndarje të territoreve, autonomi të territoreve, kufizime ose enklavizime të reja. Nuk do të pranohet asnjë kërkesë e tillë, edhe pse edhe vetë dokumenti i Ahtisaarit ka ofruar një bazë për ndarje të tilla, duke u dhënë të drejtën komunave serbe, që të kenë një kuvend të tyre, një buxhet të tyre. Politika e Beogradit zyrtar, që nga Millosheviqi e këndej, e edhe përpara, ka konsistuar në këtë pikë, do të thotë ndarja e territoreve etnike. Edhe në negociatat për Kosovën, delegacioni i Serbisë ka kërkuar komuna një-etnike serbe në Kosovë. Dhe, ky ka qenë njëri prej gabimeve që ka bërë delegacioni i Kosovës, që ka pranuar zgjidhje një-etnike për komunat. Askush nuk e ka detyruar delegacionin e Kosovës, përveç Serbisë dhe ndoshta Ahtisaarit, që të pranojë diçka të tillë. E tërë bota demokratike ka kërkuar një Kosovë multietnike dhe komuna multietnike, jo një-etnike. Mirëpo, ajo ka ndodhur tash, në Vjenë është pranuar koncepti për komunat një-etnike serbe. Kjo është baza, për të cilën unë frikësohem se Serbia do të kërkojë, në bisedat e ardhshme, bashkim të këtyre komunave. Kjo është baza më e sigurt që ta bëjë Kosovën jofunksionale kur të bëhet shtet dhe kjo është baza më e sigurt që do ta çojë Kosovën ose drejt luftës, ose drejt ndarjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila mendoni se do të jetë sfida më e madhe për kosovarët gjatë kësaj kohe?

BAJRAM KOSUMI
Edhe për kosovarët, edhe për pjesën demokratike të botës, SHBA-të dhe Unionin Evropian, problemi kryesor do të jetë se si t’i përgjigjen kërkesave për ndarje etnike, që do të vijnë nga Serbia, cila do të jetë përgjigja jonë në këtë drejtim dhe si do ta mbushim këtë kohë të kotë, 120-ditëshe, këtë proces të bisedimeve.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG