Ndërlidhjet

A DO TË MBAHEN ZGJEDHJET KËTË VIT?


Albana Isufi

Zyrtarë të UNMIK-ut thonë se vendimi për zgjedhjet do të merret në fillim të shtatorit. Ndërkohë që liderët kosovarë janë pajtuar që zgjedhjet të mbahen sipas afateve kushtetuese, analistët politikë thonë se pa zgjidhje të statusit final të Kosovës, popullariteti i anëtarëve të Ekipit të Unitetit do të rrezikohet jashtëzakonisht shumë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë sot, se brenda pak ditëve do të merret vendimi final për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në nëntor të këtij viti. “Për ne është me rëndësi që të bëjmë veprime që ecin bashkë me demokracinë. Për pak ditë do të marrim edhe vendimin final”, është shprehur presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, thotë se vendimi për zgjedhjet do të merret në muajin shtator. “Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm do ta marrë vendimin me siguri në shtator, në fillim të shtatorit”, tha Ivanko. Ndërkohë, në dy ditët e fundit, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook, për të diskutuar rreth zgjedhjeve, ka takuar liderët kryesorë të institucioneve. Përcaktimi i 10 dhjetorit, si datë kur Grupi i Kontaktit do t’i raportojë për periudhën 120 ditëshe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, sipas analistëve, ka hapur dilema nëse duhet të mbahen ose jo zgjedhjet në nëntor. Aleksandër Ivanko thotë se para se të marrë vendimin UNMIK-u, do ta ketë parasysh ndikimin që mund të kenë zgjedhjet në procesin e statusit. “Është pozicion i qartë i UNMIK-ut rreth kësaj. UNMIK-u do që të shkohet përpara me procesin demokratik dhe është pajtuar me zgjedhjet, nën disa kushte, se nuk do të ketë ndikim në asnjë mënyrë në procesin e statusit. Pra, nëse UNMIK-u konsideron se mund të ketë probleme gjatë fushatës zgjedhore, atëherë do të rishqyrtohet vendimi për zgjedhjet”, tha Ivanko, duke lënë të hapur mundësinë që nëntori të mos jetë muaj vendimtar i zgjedhjeve. “Nuk kam thënë se zgjedhjet do të mbahen në nëntor. Kam thënë se përfaqësuesi special do të vendosë në shtator për zgjedhjet dhe për datën. Qëndrimi i përfaqësuesit special është që zgjedhjet të mbahen në vitin 2007”, ka theksuar Ivanko. Në anën tjetër, analistët politikë mbajtjen e zgjedhjeve para zgjidhjes së statusit final, e shohin si një rrezik të madh për ruajtjen e unitetit të Ekipit të Unitetit, si dhe një rrezik për rënien e popullaritetit të anëtarëve të këtij ekipi. Dukagjin Gorani thotë se pa status, liderët nuk kanë më se ta ndërtojnë platformën e tyre zgjedhore. Gorani mendon se do të dalin në pah alternativa të reja. “Ka të ngjarë që së paku një shpallje formale e pavarësisë mund të ndodhë pak para fushatës zgjedhore, ashtu që të krijohet së paku një platformë zgjedhore, të krijohet një justifikim për liderët partiakë, që dalin në zgjedhje dhe të kenë çfarëdo suksesi formal”, u shpreh Gorani. Ai thotë se, në fakt, këto janë opsionet që janë duke i diskutuar anëtarët e Ekipit të Unitetit, qoftë mes vete, qoftë privatisht nëpër partitë e tyre. Por, meqë Grupi i Kontaktit ka vendosur për periudhën 120 ditëshe të bisedimeve shtesë, nënkuptohet se statusi do të duhej të zgjidhej në fund të këtyre bisedimeve, në muajin dhjetor. Zgjedhjet, sipas liderëve kosovarë, duhet të mbahen në nëntor. Megjithatë, Gorani thotë se pa një veprim të tillë, qoftë edhe para këtij 120-ditëshi, liderët nuk kanë pse të dalin në zgjedhje. “Nuk ka kuptim për një arsye të thjeshtë, meqë statusi i Kosovës është fillimi dhe fundi i çdo programi politik ose çdo programi partiak në Kosovë. E nëse zgjedhjet duhet të mbahen para definimit të statusit, atëherë duhet të ekzistojë të paktën një veprim që në vete do ta bartte një dramaticitet të nevojshëm për fitore. Ajo, sipas meje, është dashur të jetë një situatë kontraverse, ku Kuvendi, i cili edhe ashtu është para shpërndarjes, do ta shpallte dramatikisht pavarësinë, ashtu që ajo formë e shpalljes së pavarësisë të shndërrohej në moment të caktuar zgjedhor, prej të cilit do të mund të derivohet ndonjë fitore zgjedhore ose ndonjë bindje e elektoratit”, ka thënë Gorani. Sido që të jetë, zyrtarë të OSBE-së janë duke pritur vendimin e shefit të UNMIK-ut, për të filluar më pas përgatitjet për zgjedhjet. Megjithatë, sipas ligjeve të mëhershme zgjedhore, shpallja e vendimit për zgjedhje duhet bërë të paktën gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve. “Përgatitjet nuk janë fikse. Nuk mund të them se na duhet një, dy, tre apo gjashtë muaj, apo një vit për këto përgatitje”, tha zëdhënësja e OSBE-së, Florence Marchal.
XS
SM
MD
LG