Ndërlidhjet

EN ENDE VETËM ME BAZË TË PLATFORMËS PËR BISEDIME


Albana Isufi

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar, nëse treshja negociuese, Wisner-Ischinger- Harchenko, do të vijë ose jo, këtë javë, në Kosovë. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, thotë se ende nuk dihet as agjenda e as temat e bisedimeve, ndërkohë që besohet se, megjithatë, treshja do ta vizitojë Kosovën, këtë javë. “Nuk ka asnjë njoftim zyrtar, përveç këtyre që ju i dëgjoni, se mund të ndodhë që treshja të vijë kah fundi i javës, por asnjë njoftim apo paralajmërim zyrtar nuk ka”, tha Hyseni. I dërguari amerikan për statusin, Frank Wisner, ka thënë, ditë më parë, se agjenda në të vërtetë do të caktohet pas vlerësimit të qëndrimeve të të dyja palëve. Hyseni thotë se për palën kosovare platformë konstante do të mbetet ajo që i ishte dorëzuar presidentit Ahtisaari, në dhjetor të vitit 2005. Por, sipas tij, tri janë pikat kryesore, mbi të cilat do të ndërtohet platforma kosovare në angazhimin shtesë 120 ditësh. “Janë me rëndësi tre parime kryesore, që pakoja e Ahtisaarit është e panegociueshme, pavarësia është e panegociueshme dhe integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm. Do me thënë, këto janë tre parimet kyçe, përmes të cilave Kosova do ta ndërtojë platformën dhe qasjen e vet të sjelljes”, tha Hyseni. Ndryshe, Ekipi Negociator serb tashmë ka vendosur 6 pika, me të cilat do të hyjë në bisedime. Ata kërkojnë që të diskutohet për status, të mos merret për bazë pakoja e Ahtisaarit, të mos ketë kufizime kohore, të mos paragjykohet përfundimi i negociatave, që bisedimet të jenë direkte dhe nën kontrollin e Këshillit të Sigurimit. Hyseni i quan këto pika si të papranueshme. “Shumë nga ato kërkesa janë vërtet absurde dhe të papranueshme”, tha ai. Në paraqitjen e tij para Kuvendit të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, përveç tre parimeve bazë, kishte përmendur edhe çështjen e të zhdukurve, sukcesionin, liberalizimin e kufijve e pensionet, si tema që mund të shtrohen për bisedime në periudhën 120 ditëshe. Por, analistët politikë thonë se pala kosovare duhet të përgatitet më shumë në formësimin e agjendës për bisedime. Ligjëruesi në Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi, thotë se kosovarët duhet të jenë shumë të përgatitur, për të argumentuar ruajtjen e përmbajtjes së pakos së Ahtisaarit. “Insistimet e bashkësisë ndërkombëtare që të rikthehet procesi negociator, sipas të gjitha indikacioneve, mendohet se do të bisedohet për përafrimin e pikëpamjeve të të dyja palëve, që do të thotë se do të bisedohet për përmbajtjen. Dhe, kjo është ajo, që nga deklaratat e palës kosovare, ndonjëherë krijohet përshtypja se nuk ka përgatitje të duhura, eventualisht nëse çelet çështja që të bisedohet për përmbajtje, por vetëm shkohet me qëndrime se nuk do të negociohet përmbajtja”, u shpreh Gashi. Por, meqë treshja do të caktojë agjendën e bisedimeve, duke marrë për bazë pozicionet e palëve, Gashi thotë se do të ketë insistim për përfarim të qëndrimeve të palëve. Rrjedhimisht, sipas tij, pala kosovare duhet të pasurojë platformën e vet, në mënyrë që të mos jetë inferiore. “Pala kosovare do të detyrohet të negociojë dhe është shumë më mirë që të shkojë shumë e përgatitur për të negociuar, eventualisht për të sjellë argumente të forta, që të mos ketë, në njëfarë mënyre, lëshime për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e komunitetit shumicë në Kosovë”, ka thënë Gashi. Sido që të jetë, formësimi i agjendës kosovare për bisedime mund të pritet vetëm në fund të javës, me takimin e radhës së Ekipit të Unitetit, pasi që, aktualisht, jo të gjithë anëtarët e ekipit gjenden në Kosovë. Skënder Hyseni shpjegon: ”Mund të flas për presidentin Sejdiu. Ai ka udhëtuar për Shqipëri, ku do të qëndrojë për pushim 4-5 ditë. Gjatë këtij qëndrimi do të takohet me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. Do të thotë, vështirë të pritet deri në fund të javës ndonjë takim i Ekipit të Unitetit”. Disa nga liderët kosovarë presin zgjidhjen e statusit pas periudhës 120 ditëshe, ndërkohë që kryeministri Agim Çeku dhe lideri i ORA-s, Veton Surroi, tashmë kanë propozuar që Kuvendi i Kosovës ta shpallë pavarësinë, para se të përfundojë angazhimi shtesë.

XS
SM
MD
LG