Ndërlidhjet

BERISHA:”120-DITËSHI DUHET TË JETË SINJALI I FUNDIT PËR TË QARTËSUAR KAH SHKON KOSOVA”


Ibrahim BERISHA, sociolog

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, treshja negociuese SHBA-BE-Rusi pritet që brenda kësaj jave të arrijë në Prishtinë dhe në Beograd. Çka prisni ju nga këto takime?

IBRAHIM BERISHA
Nëse shumë nga takimet e deritashme nuk kanë dhënë rezultat, është vështirë të pritet ndonjë rezultat konkret edhe nga ky proces negociues. Madje, mund të thuhet se nuk është proces negociues, por është një proces i mbajtjes së Kosovës në një fazë jopërcaktuese të statusit. Dhe, do të mund të pritej një ripozicionim i palëve, përkatësisht një pastrim i çështjeve, të cilat ende mund t’i duken dikujt që nuk janë të pastra, në kuptimin politik të fjalës. Pra, palët do të mbeten aty ku kanë qenë, por pastaj, bashkësia ndërkombëtare duhet të gjejë solucionin për të thënë se çfarë do të bëjë më tutje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku e shihni problemin më të madh?

IBRAHIM BERISHA
Problemin më të madh e shoh në atë se bashkësia ndërkombëtare nuk është e vendosur të zgjidhë problemin e Kosovës. Deri tani nuk ka qenë e vendosur, që 15 vjet është i njëjti pozicion, ku është përkëdhelur vazhdimisht Beogradi, është lutur edhe para luftës në Kroaci, edhe gjatë luftës në Kroaci, në Bosnje, në Kosovë e tutje dhe kurrë nuk ka vepruar në kohën e duhur. Pastaj, çdo shtyrje ka rezultuar me shumë pasoja. Mendoj se edhe Kosova mund të rrëshqasë në këtë gjendje, nëse nuk veprohet shpejt dhe në mënyrë efektive, në këtë rast, kundër agresionit edhe politik, edhe territorial të Serbisë mbi Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, çfarë mendoni se do të diskutohet?

IBRAHIM BERISHA
Mendoj se pala shqiptare, pikësëpari, duhet të ngrejë pozicionin që kemi të bëjmë me një agresion të vazhdueshëm të Beogradit, të Serbisë mbi Kosovën edhe pas vitit 1999, edhe në aspektin territorial, edhe në aspektin e grupeve paramilitare dhe militare, edhe në aspektin e përzierjes në proceset politike brenda minoritetit serb etj. Dhe, e dyta, do të duhej të merrej një qëndrim shumë i qartë mbi atë që ka bërë Serbia në Kosovë, vitet e fundit, për krimet, për dëmet etj. Pala kosovare ka detyrim që të mbrojë pozicionin dhe legjitimitetin e qytetarëve të Kosovës në këtë rast, të mbrojë të drejtën e tyre për të qenë Kosova e pavarur dhe sovrane. Absolutisht pala negociuese kosovare nuk ka asnjë legjitimitet tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit janë përsëritur ide të ndryshme mbi Kosovën, siç është konfederata me Serbinë, ndarja etj. Cili është mendimi juaj?

IBRAHIM BERISHA
Të gjitha këto janë propozime që kanë qarkulluar shumë vite më parë. Mund të them se ndarja e Kosovës ishte një propozim i hapur i palës serbe që në fillim të viteve ’90, që i është bërë dhe negociuesve ndërkombëtarë Vance e Owen. Këtë e ka edhe Qosiqi si projekt – dihet se Qosiqi ka qenë njëri nga liderët shpirtërorë dhe politikë të Serbisë. Pra, synimi i Serbisë, në fund të fundit, është ndarja e Kosovës, përkatësisht agresioni i hapur mbi territorin e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare nuk është duke bërë asnjë veprim për të ndalur këtë agresion. Nëse Serbia ka synim që të ndajë 30% të territorit të Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare këtë është duke e heshtur dhe pala shqiptare nuk është duke e luftuar, atëherë kemi të bëjmë me një proces të legjitimimit të agresionit që e ka nisur Millosheviqi dhe po e realizon faktikisht kjo qeveri tash në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të kërkohet nga Ekipi i Unitetit që të bëjë koncesione?

IBRAHIM BERISHA
Deri më tash, mendoj se Grupi i Unitetit ka qenë shumë i brishtë, ka qenë inferior, ka qenë i papërgatitur për të përballuar presionet e ndërkombëtarëve, por edhe lojën e palës serbe. Është koha e fundit që ky grup negociues t’i përmbahet agjendës, për të cilën edhe është zgjedhur, apo ka marrë pëlqimin nga Parlamenti i Kosovës, përkatësisht nga qytetarët e Kosovës - e ajo është që të mbrojë me çdo kusht sovranitetin territorial të Kosovës dhe njëkohësisht të realizojë pavarësinë e Kosovës. Të gjitha çështjet tjera janë çështje që mund të jenë jashtë interesit të qytetarëve të Kosovës. Dhe, do të ishte pak të thuhej, që shpeshherë ky Grup Negociator ka zgjuar mallin e fëmijës dhe është gëzuar me asgjë. Do të thotë, pas çdo negociate është menduar se është fitues, ndërsa prore Kosova ka humbur realisht dhe efektivisht. Mendoj se duhet të bëhet më serioz; me të gjitha këto vite të negociatave, ky Grup Negociator është dashur të piqet. Është dashur të dijë që në fillim se çfarë kërkon; ata kanë kërkuar, por nuk kanë pasur rrugë dhe mjete të qarta se si ta realizojnë këtë. Mendoj se problemi themelor, që duhet të zgjidhë Grupi i Unitetit, është agresioni i Serbisë mbi Kosovën, që vazhdon edhe pas vitit 1999. Këtë agresion, së pari, duhet ta ndalë bashkësia ndërkombëtare, si garantuese e sigurisë në Kosovë. E deri tash këtë nuk e ka ndalur. Ne kemi agresionin serb në aspektin financiar, në politikat ekonomike, në shkeljen e territorit, në organizimin e njësive paramilitare, në shkeljen e frekuencave transmetuese, në shkeljen e sistemit doganor. Pra, në çdo segment Serbia ndërhyn në sovranitetin politik, ekonomik të Kosovës. Dhe, kjo është pranuar. Është e natyrshme që një agresor i tillë nuk do të heqë dorë, pa e gjetur një përgjigje të ashpër dhe të fortë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse pas bisedimeve 120 ditëshe nuk do të ketë rezultat, çka mendoni se do të ndodhë më pas? A mendoni se Kuvendi i Kosovës duhet ta shpallë pavarësinë?

IBRAHIM BERISHA
Së pari, unë mendoj se Kuvendi ka qenë shumë i plogësht në përcjelljen e procesit negociator dhe ky Kuvend nuk mund ta shpallë pavarësinë, se nuk mund ta mbrojë. Mendoj që duhet një riorganizim i tërësishëm i skenës publike, qytetare dhe nacionale shqiptare, në Kosovë, në mënyrë që të ndryshojë konceptimi i realizimit të pavarësisë. Dhe, 120-ditëshi duhet të jetë sinjali i fundit për të pasur të qartë kah shkon Kosova – Kosova që hyn në fazën e realizimit të pavarësisë, apo Kosova në një konflikt të ngrirë, apo Kosova që do të dalë nga një konflikt i ngrirë. Natyrisht, shqiptarët, në këtë rast, pasi që është fjala për atakim më të madh ndaj shqiptarëve si shumicë në Kosovë, duhet të ridefinojnë politikat e tyre. Mendoj se politikat kanë qenë shumë pasive deri më tani. Nga një politikë e tillë pasive, inferiore, shërbyese dhe joefikase, me dështime të mëdha në të gjitha fushat, ekonomike, politike, juridike etj. duhet të kalohet në një politikë efektive dhe me rezultate. Përndryshe, Kosova do të mbetet peng dhe po shihet që po shkojmë 10 vjet pas lufte me një status të pazgjidhur.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG