Ndërlidhjet

ISCHINGER: PLANI I AHTISAARIT ENDE AKTUAL


Agjencia Reuters

I dërguari i Bashkimit Evropian, Wolfgang Ischinger tha pas takimit në Londër të treshës ndërkombëtare se plani i Kombeve të Bashkuara, që Kosovë i jep pavarësi nga Serbia, është ende aktual. Zoti Ischinger i bëri këto komente pas takimit të parë të të dërguarve nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia, që do të çojë kah ajo që Perëndimi shpreson se do të jetë rundi i fundit i diplomacisë dhe i bisedimeve për Kosovën. Aleati i Serbisë, Rusia deri tash e ka bllokuar miratimin e planit të Kombeve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit duke bërë presion për bisedime të reja që do të mbikëqyren nga Grupi i Kontaktit, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe Rusia. Treshja ndërkombëtare do ta bëjë vizitën e saj të parë në Beograd nesër dhe pasnesër në Prishtinë. Rusia këmbëngulë se plani i Martti Ahtisaarit më nuk është aktual. Por, i dërguari i Bashkimit Evropian, Wolfgang Ischinger u tha reporterëve se "nuk është detyrë e treshës që të bëjë propozime të reja" dhe shtoi se është fakt se plani i Ahtisarit është në tryezë". Ai mëtutje tha se "për fat të keq ky plan nuk është ratifikuar nga Këshilli i Sigurimit, bile deri tash". Treshja ndërkombëtare duhet të raportoj në Kombet e Bashkuara deri më 10 dhjetor të këtij viti. Perëndimi thotë se ky është afati për përfundimin e bisedimeve, por Rusia këmbëngulë që dialogu duhet të jetë i pakufizuar. "Afati i fundit do të arrihet", tha zoti Ischinger dhe shtoi se "10 dhjetori do të ndodhë me siguri". Perëndimi ka pak shpresë se mund të arrihet marrëveshja ndërmjet të dy palëve. Një diplomat i lartë evropian, që i informoi shkurtimisht gazetarët për takimin e treshes ndërkombëtare për Kosovën në Londër, tha se Grupi i Kontaktit është pajtuar që ta zhvilloj një fazë fillestare të diplomacisë lëvizëse. Por, sipas tij, "nëse rrethanat janë të drejta, të dy palët do të duhej të uleshin së bashku". Ky diplomat shtoi se "njëri nga qëllimet e treshës ndërkombëtare është që me përgjegjësi ti ngarkoj të dy palët e veçanërisht Beogradin". Ai mëtutje tha se eventualisht një takim ballë për ballë ndërmjet palëve do të mund të ishin "bisedime të tipit të Rambujesë". Liderët shqiptarë të Kosovës po kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ta mbështesin deklaratën e njëanshme të pavarësisë nga institucionet e Kosovës që do të shpallej këtë vit. Por kjo mund të paraqesë sfida serioze për unitetin e bllokut prej 27 anëtarëve, që deri tash kanë insistuar në rezolutën e Kombeve të Bashkuara si bazë juridike për Bashkimin Evropian për ta njohur Kosovën dhe për ta marrë mbikëqyrjen ndaj shtetit të ri.
XS
SM
MD
LG