Ndërlidhjet

PRISHTINA E VENDOSUR TË MOS LËVIZË NGA PARIMET KRYESORE


Albana Isufi

Kryeministri i Kosovës, një ditë para se në Prishtinë të vijë treshja negociuese, Wisner-Ischinger-Harchenko, ka siguruar se pala kosovare nuk do të lëvizë nga parimet e veta për mosnegocimin e pavarësisë, moshapjen e pakos së Ahtisaarit si dhe mosndarjen e Kosovës. “Nesër vjen treshja ndërkombëtare. Do të shohim se cila është platforma e tyre. Platforma jonë është shumë e qartë. Ne jemi shumë të vendosur që të mos lëvizim aspak nga qëndrimet tona, nuk kemi as mandat, as vullnet dhe as dëshirë që të lëvizim. Kështu që ne jemi të vendosur që t’u qëndrojmë zotimeve tona dhe ta çojmë sa më shpejt këtë proces. Të kalojnë këto 120 ditë dhe të kërkojmë që menjëherë pas këtyre 120 ditëve të nxirret një vendim i menjëhershëm dhe i përhershëm për pavarësinë e vendit tonë”, ka thënë kryeministri Çeku. Në anën tjetër, përfaqësues të serbëve të Kosovës konsiderojnë se parimet e palës kosovare nuk qëndrojnë, meqë pikësëpari, sipas tyre, plani i Ahtisaarit është koncept i vdekur. Shefi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, thotë se megjithatë, ndoshta disa nga vendimet e pakos mund të merren në konsiderim. “Mendoj se plani i Ahtisaarit është i vdekur, edhe pse ai do të përmendet edhe për një kohë. Edhe më tej disa njerëz do ta kenë për bazë atë, por kjo më tepër do të jetë për ta qetësuar masën në Kosovë, ndryshe nga ç’mendojnë njerëzit se nga plani i Ahtisaarit mund të shfrytëzohet diçka nga çështjet themelore. Mendoj se nga plani i Ahtisaarit do të merret për bazë çështja e decentralizimit, por jo edhe vendimet politike”, u shpreh Ivanoviq. Por, kryeministri Çeku thotë se kërkesa për ruajtjen e përmbajtjes së pakos së Ahtisaarit do të jetë nesër në duart e treshes negociuese, bashkë me një material tjetër voluminoz, ku përfshihet edhe platforma për bisedime. Çeku thotë se aty do të jenë të përfshira edhe argumentet e fuqishme për pavarësinë e Kosovës. ”Strategjia jonë e veprimit përkon me kërkesën tonë këmbëngulëse për njohjen e pavarësisë, menjëherë pas 120 ditëve. Ne, gjatë tërë kohës, edhe nesër, do të bëjmë me dije se kjo është shtyrja e fundit dhe duhet të sigurohemi se kjo është shtyrja e fundit dhe menjëherë pas 120 ditëve do të merret vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Çeku. Ndryshe, edhe i dërguari i Bashkimit Evropian, Wolfgang Ischinger, ka thënë, pas takimit të treshes ndërkombëtare në Londër, se plani i Kombeve të Bashkuara, që Kosovës i jep pavarësi nga Serbia, është ende aktual. Ischinger ka thënë se nuk është detyrë e treshes, që të bëjë propozime të reja, duke shtuar se është fakt që plani i Ahtisaarit është në tryezë. Megjithatë, Oliver Ivanoviq thotë se plani i Ahtisaarit nuk do të merret për bazë dhe vlerëson se bisedimet do të jenë të gjata dhe serioze, sepse, sipas tij, nga ato do të duhej të nxirrej një vendim kompromisi. “Duhet bërë gati për bisedime të gjata dhe serioze për statusin, pasi që kësaj here do të jenë serioze, ashtu që nuk duhet lejuar që të ketë vendim të gatshëm, siç e kishte përgatitur Ahtisaari”, tha Ivanoviq. Edhe sot kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka bërë të qartë se pala kosovare nuk do të pajtohet kurrë që të negociojë ndarjen e Kosovës. “Ne e kemi bërë të qartë, ne as që do të pranojmë që të bisedohet për ndarjen e Kosovës. Kështu që nuk do të gjejnë bashkëbisedues lidhur me këtë. Dhe, besoj se kjo ide nuk do të gjejë përkrahje askund, jo vetëm te pala jonë, por as te bashkësia ndërkombëtare”, është shprehur kryeministri Çeku. Ndryshe, treshja negociuese Wisner-Ischinger-Harchenko, pas vizitës që do t’i bëjë sot Beogradit, nesër dhe pasnesër do të qëndrojë në Kosovë, ku do të kenë takime me përfaqësues ndërkombëtarë, shqiptarë dhe serbë të Kosovës.
XS
SM
MD
LG