Ndërlidhjet

NUMRI I VETËVRASJEVE NË KOSOVË – NË RRITJE


Nadie Ahmeti

Vetëvrasjet në Kosovë kanë filluar të zgjerohen dhe numri i tyre po rritet dita-ditës. Kështu thonë sociologë dhe ekspertë të shëndetit mendor, duke shtuar se ky fenomen tani ka filluar të paraqitet si shqetësues për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi. Ismet Abdullahu, shef i Zyrës për shëndetin mendor në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se të dhënat e fundit flasin se në 1000 banorë, tre bëjnë vetëvrasje, duke e çuar numrin e tyre brenda vitit në 60. Sipas zotit Abdullahu, ndër arsyet kryesore për rritjen e theksuar të numrit të vetëvrasjeve janë traumat e luftës. “Një hulumtim, që kemi bërë vitin e kaluar, tregon se 22 për qind e popullatës kosovare ende ka simptoma të stresit postraumatik, 44 për qind e popullatës manifeston simptoma të depresionit. Këta janë faktorë dhe parametra mendorë që tregojnë se shëndeti mendor i popullatës, pas përfundimit të luftës, është rrënuar mjaft dukshëm”, thotë Abdullahu. Ky fenomen është edhe pasojë e ballafaqimit të vlerave tradicionale me vlerat moderne, përballë situatës së rëndë socio-ekonomike, thotë sociologu Shemsi Krasniqi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës. “Në këtë udhëkryq është shumë vështirë të gjendet një sistem i vlerave stabil, një sistem i vlerave që është funksional dhe që është i përshtatshëm për jetën e përditshme të qytetarit. Dhe për këtë, shumë herë qytetari ndodhet para paradokseve të pabesueshme”, pohon Krasniqi. Ai thotë se disa persona, në mungesë të perspektivës për të ardhmen, vetëvrasjen e shohin si alternativën e vetme. “Në kohën, në të cilën gjendemi, në këtë periudhë transitive, në periudhë të ndryshimeve shumë të mëdha të strukturave të institucioneve, të raporteve, të normave shoqërore, njerëzit gjenden në një situatë kaotike, gjenden në situatë të paperspketivë dhe shpeshherë vetëvrasjen e marrin si një alternativë”, shpjegon sociologu Krasniqi. Dhe për këtë, ai thotë se institucionet vendore duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj çështjeje. “Unë mendoj se institucionet është dashur të bëjnë më tepër për këtë, sepse po vjen duke u zgjeruar, duke u rritur si fenomen dhe duke u bërë gjithnjë e më shumë i pranishëm. Është dashur që në njëfarë mënyre të bëhet një lloj alarmimi, mobilizimi, angazhimi, duke filluar prej familjes”, thotë Krasniqi. Në anën tjetër, Ismet Abdullahu, nga Ministria e Shëndetësisë, pohon se kjo ministri është duke punuar me mjetet që ka, për ta luftuar aq sa mundet këtë fenomen. “Ne, aktualisht, jemi duke punuar në hartimin e strategjisë për shëndetin mendor. Ne kemi pasur një strategji, por tash jemi duke bërë një revidim të strategjisë. Në kuadër të kësaj strategjie, ne e kemi potencuar veçanërisht dukurinë e vetëvrasjeve. Për këtë qëllim, edhe për vitin 2008 kemi ndarë një shumë prej 30 mijë eurosh, që të bëjmë një hulumtim sa më të detajuar, sa i përket vetëvrasjeve“, theksoi Abdullahu. Sidoqoftë, statistikat e Shërbimit Policor të Kosovës tregojnë se që nga viti 2000 e deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë shënuar 410 vetëvrasje, të cilat kanë ndodhur në Kosovë. Rajonet më të prekura nga këto vetëvrasje janë kryesisht ato që kanë nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë.
XS
SM
MD
LG