Ndërlidhjet

TELASHET E KALIMIT TE KUFIRIT ME SERBINË


Nadie Ahmeti


Dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga administrata ndërkombëtare në Kosovë ende nuk njihen nga Serbia dhe kjo pamundëson qarkullimin e lirë të qytetarëve të rëndomtë. Veton Elshani, zëdhënës në Shërbimin Policor të Kosovës, thotë se autoritet serbe nuk e pranojnë as një dokument të lëshuar nga UNMIK-u. “Serbia nuk i pranon dokumentet e UNIMIK-ut dhe nuk janë valide dokumentet e identifikimit, tabelat ‘KS’, pasaportat... thjesht nuk pranohen dhe këto janë problemet më të cilat ballafaqohen qytetarët në këtë fushë. Ata i kanë disa tabela të përkohshme, në kufi i vendosin ato tabela dhe në këtë mënyrë kalojnë kufirin” thotë Elshani.
Më këtë problem më se shumti ballafaqohen mërgimtarët të cilët duhet të kalojnë kufijtë në mes Kosovë dhe Serbisë, thotë Elshani, duke shtuar se në kufirin e Serbisë mund të kalojnë vetëm personat të cilët janë të pajisur më dokumente të Serbisë. “Serbia këtë e konsideron si kufi administrativ dhe nuk lejon që bashkatdhetarët tanë që vijnë nga Mali i Zi të kalojnë në kufirin administrativ. Ndryshe, nëse mërgimtarët tanë vijnë nga Mali i Zi dhe kanë dokumente serbe, atëherë ata lejohen që të kalojnë kufirin, pa marrë parasysh se a kanë ndonjë vule apo jo”.
Por, për derisa autoritetet serbe në kufi më Kosovën, kanë procedura më të vështira për të kaluar kufirin, autoritetet kosovare nuk paraqesin ndonjë problem për personat të cilët dëshirojnë të dalin në Serbi apo atyre që vijnë në Kosovë, thotë Elshani. “Problemet janë nga autoritetet serbe. Ato kanë edhe procedura të tjera të cilat ne i kemi lehtësuar; p. sh ne nuk marrim shënime se kush është secili person. Ne i marrim pasaportat, i vulosim dhe i lirojmë njerëzit të dalin. Japim edhe disa formularë nga pala jonë, që të dalin në anën serbe dhe të kthehen. Ndërkaq nga ana serbe, autoritetet i shënojnë me shkrim se cili pjesëtar kalon në atë pjesë dhe për këtë arsye kemi edhe vonesa të mëdha”.
Megjithatë, komuniteti i biznesit nuk ballafaqohet me këtë problem, sepse Serbia për shkak të interesit ekonomik, me procedura të lehtësuara, lëshon dokumente të Serbisë për qarkullimin e mallit, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit. Agim Shahini,udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se për shkak të interesit ekonomik, përfaqësuesve të biznesit pa probleme dhe procedura të zgjatura, autoritetet serbe u sigurojnë dokumentet të udhëtimit dhe identifikimit. “Njëra arsye është që t’i shesë produktet e veta dhe të ketë treg. Dhe tjetra për aspekte politike që ndoshta një ditë Serbia, të ketë një argument më tepër se shumë qytetarë të Kosovës posedojnë dokumente të Serbisë. Por, sidoqoftë mendoj se në momentin kur Kosova të ketë shtetësinë e vet, ato dokumente mund të jenë të pavlefshme për Kosovën”, tha Shahini.
XS
SM
MD
LG