Ndërlidhjet

HOLTGE: PLANI I AHTISAARIT TË JETË BAZË PËR BISEDIMET E REJA


KristinHOLTGE, zv. Drejtore për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Holtge, në raportin më të fundit, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se Bashkimi Evropian tash gjendet para vendimeve madhore. A mund të na shpjegoni një vlerësim të tillë?

KRISTIN HOLTGE
Situata është si vijon. Bisedimet e fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk ia dolën të rezolutojnë me ndonjë marrëveshje. Ne mendojmë se nuk do të duhej të jenë shumë të larta pritjet as nga raundi i ri i bisedimeve. Prandaj, Bashkimi Evropian do të duhej të jetë i përgatitur që të ndërhyjë, nëqoftëse nuk do të arrihej marrëveshje as pas fazës së re të negociatave.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju gjithashtu thoni se bisedimet e reja mes Prishtinës dhe Beogradit me siguri nuk do të çojnë askund. A nënkupton kjo se Kosova do të duhet njëanshëm të shpallë pavarësinë?

KRISTIN HOLTGE
Kjo është ajo që shpresojmë se nuk do të ndodhë, sepse reagimi nga pala serbe do të mudn të shkaktonte disa tensionime në teren. Ne duam që Kosova ta shmangë shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Prandaj, Bashkimi Evropian do duhej të përqëndrohet në atë që të ketë qëndrim të përbashkët se si të reagojë lidhur me të ardhmen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, si e shihni të ardhmen e planit të Ahtisaarit?

KRISTIN HOLTGE
Ne ende besojmë se plani i Ahtisaarit është baza e vetme. Thënë ndryshe, nuk ka alternativë më të mirë për të ardhmen e Kosovës, sepse në plan ka një spektër të gjerë garancash për pakicën serbe. Prandaj, ne besojmë se nga pikëpamja e orientimit evropian të Kosovës, plani i Ahtisaarit është ende i vlefshëm dhe do të duhej të jetë bazë për raundin e ri të bisedimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
GNK ka rekomanduar që nëse nga këto bisedime nuk del një zgjidhje, atëherë BE-ja, SHBA-të dhe NATO-ja duhet t'i koordinojnë aksionet me Qeverinë e Kosovës për të implementuar thelbin e planit të Ahtisaarit.
Si mund të jenë reagimet e Beogradit dhe Moskës?

KRISTIN HOLTGE
Është shumë e vështirë të thuhet. Ne e dimë se Beogradi deri tash nuk është dakorduar me planin e Ahtisaarit. Por do të duhej të shohim se çfarë do të ndodhë me raundin e ri të negociatave, përpara se të merreshim me supozime rreth këtyre reagimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund, zonja Holtge, ju konkludoni se dështimi i mundshëm i Evropës në rastin e Kosovës mund të çojë në rishfaqjen e gjakderdhjes dhe kaosit në rajon. Ku i mbështetni konluzat e këtilla?

KRISTIN HOLTGE
Situata në teren është e vështirë, sepse udhëheqësit vendorë kanë vërejtur dhe kanë thënë se ndiejnë që po e humbin legjitimitetin në Kosovë, sepse vendimi përfundimtar për statusin e Kosovës është shtyrë disa herë. Për këtë arsye, padurimi në mesin e popullatës atje është në rritje, dhe kjo mund të çojë në shtimin e tensioneve në Kosovë.

Intervistoi Vullnet POSHKA

XS
SM
MD
LG