Ndërlidhjet

SEJDIU: KOSOVA I KA KUFIJTË E VET, ÇDO DEVIJIM KRIJON PROBLEME QË S’U DIHET FUNDI


Zijadin Gashi

Çdo opsion që devijon procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës kah ndryshimi i kufijve apo zgjidhjet tjera, do të mund të krijoj probleme në rajon me rreziqe që nuk do t’u dihet fundi, ka pohuar sot presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Pas një takimi që zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, Jochim Ruecker, presidenti Sejdiu tha se platforma e Prishtinës në bisedime shtesë mbetet ajo që ishte deri tani, për pavarësinë e Kosovës në kufijtë ekzistues.
“Ne do të vazhdojmë me këtë qasje, që kemi edhe mbështetjen ndërkombëtare dhe mos harroni se kemi edhe qëndrime shumë të qarta dhe të prera të Grupit të Kontaktit dhe të vendeve më të fuqishme që mbështesin këtë stabilitet rajonal. Do ta thoja edhe në këtë aspekt..., dhe, Kosova i ka kufijtë e vet në këtë bazë, përndryshe do të kishte çështje tjera që nuk u dihet fundi”, tha Sejdiu.
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker tha se kishte inkurajuar presidentin për fillimin e mirë të përgatitjeve për takimin e radhës me Treshen ndërkombëtare më 30 gusht në Vjenë. Ndërkaq në një takim që kryeministri Agim Çeku zhvilloi me shefin e Zyrës Ndërkombëtare Civile në Kosovë, Jonas Jansson, ishte mjaftë kategorik duke kërkuar një rol shumë më të qartë dhe më aktiv të Bashkimit Evropian në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kryeministri Çeku tha se Kosova është pjesë e Evropës dhe duhet të jetë çështje evropiane. Çeku kërkoi nga BE-ja që t’i qaset më me guxim zgjidhjes së statusit të Kosovës, mbi bazën e vullnetit të shumicës për pavarësi.
“Vendimet e vështira nuk bëhen më të lehta duke i shty ato, por vendimet e vështira duhet të merren, kështu që ne kërkojmë që Evropa vërtetë ta ruaj atë momentumin që e ka arritur, unitetin rreth përkrahjes së Pakos së Ahtisaarit dhe të mbështet një zgjidhje të shpejtë, apo të njeh pavarësinë e Kosovës, menjëherë pas këtyre 120 ditëve”, u shpreh Çeku.
Një rol më i theksuar evropian arrihet atëherë kur të merren vendime dhe jo kur kërkohet kohë dhe konsensus në dëm të marrjes së këtyre vendimeve, tha kryeministri i Kosovës. Përderisa Jansson, nga ana e tij e siguroi kryeministrin Çeku se Bashkimi Evropian e konsideron çështjen e Kosovës si një çështje evropiane. “Kosova është në Evropë dhe Kosova ka perspektivë evropiane kjo është deklaruar qartë nga Bashkimi Evropian, kështu që përgatitjet që po i bën pala kosovare janë shumë të rëndësishme dhe janë në rrugën drejt arritjes së kësaj perspektive evropiane”, tha Jansson.
Ndryshe, si presidenti Sejdiu ashtu edhe kryeministri Çeku në takimet e tyre të ndara me shefin e UNMIK-ut dhe atë të Zyrës Civile ndërkombëtare në Kosovë, kanë biseduar dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të sivjetme në të dyja nivelet. Kryeadministratori Ruecker, si autoriteti numër një që mund të shpallë zgjedhjet tha se nuk pritet ndonjë befasi dhe se korniza për zgjedhjet do të mund të jetë e gatshme së shpejti, ndërkaq data e zgjedhjeve, sipas tij do të shpallet në javën e parë të shtatorit.
XS
SM
MD
LG