Ndërlidhjet

ISCHINGER DISKUTON ME LIDERËT KOSOVARË TAKIMIN E VJENËS


Zijadin Gashi

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Treshen ndërkombëtare që po udhëheqë me fazën shtesë të bisedimeve Prishtinë – Beograd lidhur me statusin e Kosovës, Wolfgang Ischinger, ka përfunduar sot takimet e filluara dje me liderët kosovarë, pa u prononcuar për media. Ndërkohë që përfaqësuesit vendorë thanë se temë kyçe e diskutimeve me ambasadorin Ischinger, ishte përgatitja e takimit të Vjenës më 30 gusht, ku pala kosovare, por edhe ajo serbe, do të zhvillojnë takime të ndara me Treshen ndërkombëtare, në përbërje Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Rusia. Kryeministri Agim Çeku, në një prononcim për media pas një takimi që zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, tha se Kosovën e presin angazhime si në planin e brendshëm ashtu dhe në atë të jashtëm para se të marrë vendimin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, menjëherë pas 10 dhjetorit. “Ne në këtë periudhë 120 ditëshe duhet të bisedojmë për arritjen e konsensusit apo unitetit brenda Bashkimit Evropian, për ta njohur pavarësinë e Kosovës menjëherë pas 10 dhjetorit, por duhet gjithashtu ta arrijmë konsensusin e brendshëm që ta shpallim pavarësinë, menjëherë pas 10 dhjetorit. Kështu që këtë periudhë ne do ta shfrytëzojmë që bashkërisht ta caktojmë edhe datën edhe mënyrë dhe ta harmonizojmë apo koordinojmë këtë me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtar”, tha Çeku. Kryeministri Agim Çeku tha po ashtu se Qeveria e tij gjatë kësaj kohe do të punojë për përgatitjen e implementimit të Pako së Ahtisaarit, me qëllim që 10 dhjetori ta gjejë Kosovën të përgatitur me të gjitha ligjet. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha pas takimit me ambasadorin Ischinger se përfaqësuesi i Treshes, gjatë vizitës në Prishtinë nuk ka propozuar ndonjë ide për statusin e Kosovës, por ka dëgjuar pikëpamjet e liderëve kosovar. Thaçi tha se e ka siguruar ambasadorin Ischinger se në Kosovë do të ketë siguri dhe qetësi si tani ashtu edhe në fazën e zbatimit të marrëveshjes. Kjo marrëveshje, tha kryetari i PDK-së, parasheh Kosovën e pavarur me një mbikëqyrje civile ndërkombëtare. “Kam potencuar se Kosova për pavarësi i ka bërë të gjitha kompromiset e domosdoshme dhe propozimi për Kosovën e pavarur me mbikëqyrje civile ndërkombëtare fillimisht, është kompromisi ynë, kompromis nga i cili Prishtina nuk mund të lëviz, pra pavarësia është kompromisi për qytetarët e Kosovës”, tha Thaçi. Në vazhdim, Hashim Thaçi kërkoi që Treshja ndërkombëtare, por edhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare, duhet të respektojnë afatin dhe ta njohin Kosovën e pavarur, menjëherë pas 10 dhjetorit.
“Kërkuam gjithashtu që bashkësia ndërkombëtare të ketë përgjigje menjëherë pas 10 dhjetorit për realitetin e ri kosovar. Një përgjigje unike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Bashkimit Evropian, sepse, Kosova edhe si e pavarur menjëherë pretendon t’i filloj angazhimet shtesë për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Por, kërkova po ashtu që jo në mënyrë të njëanshme Rusia të vazhdoj të bllokoj procesin e zyrtarizmit të pavarësisë së Kosovës”, theksoi Thaçi. Sipas tij, faza shtesë e bisedimeve do të përfshijë diskutimet në lidhje me raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, si dy shtete fqinjë. Ndërkaq pala kosovare, tha ai, do të rikonfirmoj pozicionin e vet se pavarësia e Kosovës, tërësia territoriale e saj dhe Pakoja e Ahtisaarit janë të panegociueshme. Ky realitet, shtoi Thaçi njihet edhe nga Treshja, duke pas parasysh qëndrimin amerikan pro pavarësisë së Kosovës dhe pjesës më të madhe të vendeve anëtare të BE-së.
Ndryshe, ambasadori Ischinger, dje dhe sot ka takuar ndaras liderët kosovarë. Përfaqësues nga Zyra e misionit të BE-së në Prishtinë, thanë se Ischinger ka realizuar takime dhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë si dhe ka vizituar vendbanime jashtë Prishtinës, por sipas tyre, ai kësaj radhe nuk ka dashur të flasë para mediave.


XS
SM
MD
LG