Ndërlidhjet

ÇEKU:PAS 10 DHJETORIT NUK DO TË KËRKOJ DURIM, POR SHPALLJE TË PAVARËSISË


Zijadin Gashi

Krerët e grupit të përbashkët “Task Force” për siguri, ku bëjnë pjesë shefi i UNNMIK-ut, komandanti i KFOR-it dhe kryeministri i Kosovës, gjatë një takimi të përbashkët janë zotuar për ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë në Kosovë, tani dhe pas 10 dhjetorit, kur pritet faza e fundit e definimit të statusit. Ata thanë se presin që pas 10 dhjetorit të mos ketë më shtyrje, pasi që kjo sipas tyre, do të mund të ndikonte në situatën e sigurisë në mbarë rajonin. Ndërsa kryeadministratori Joachim Ruecker dhe komandanti i KFOR-it, Roland Kather thanë se janë të gatshëm të përballen edhe me të gjitha sfidat e mundshme, kryeministri Agim Çeku përsëriti qëndrimin e tij, sipas të cilit, Kosova do të shpallë pavarësinë e saj pas 10 dhjetorit. “Zhvillimi i vetëm që ne presim të ndodhë pas 10 dhjetorit është shpallja dhe njohja e pavarësisë së Kosovës dhe ne duhet të jemi unik në këtë drejtim, si liderët ashtu edhe populli dhe duhet t’i shkojmë deri në fund këtij procesi dhe do t’i shkojmë bashkë. Nëse jam deri atë kohë anëtar i Ekipit të Unitetit nuk do të kërkoj durim por do të kërkoj veprim nga të gjithë”, theksoi Çeku. Ndërkohë, dy udhëheqësit ndërkombëtar janë koncentruar më shumë më aspektin e sigurisë. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker tha se do të angazhohet për një bashkëpunim midis strukturave vendore dhe atyre ndërkombëtare të sigurisë për një ambient të qetë e të sigurt. Ai tha se vazhdon të bëjë thirrje që statusi i Kosovës të mos shtyhet më.“Unë vazhdoj të mendoj se ne duhet të kemi zgjidhjen e statusit të Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Ruecker. Ai tha se me anëtarët tjerë të “Task” forcës së sigurisë janë pajtuar se duhet të jenë vigjilent për shkak të frustrimeve në rritje që mund të sjellë procesi i statusit. Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, gjenerali Roland Kather, i cili po i kalon ditët e fundit në misionin e tij në Kosovë, tha se KFOR është i përgatitur për çdo situatë e cila mund të krijohet në Kosovë. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që statusi i Kosovës të zgjidhet sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Ndryshe, po sot Ekipi Negociues ka mbajtur një prej takimeve të fundit përgatitore para udhëtimit për në Vjenë, ku më 30 gusht do të zhvilloj një takim me Treshen ndërkombëtare që po udhëheqë me bisedimet për statusin e Kosovës. Zëdhënësi i negociatorëve kosovar, Skender Hyseni tha se pala kosovare do të mbroj parimet bazë për pavarësinë e Kosovës, tërësinë e saj tokësore dhe Pakon e Ahtisarit si çështje të panegociueshme. Çdo shmangie nga këto parime dhe çdo tentim për të fut opsionin e ndarjes si pjesë të bisedimeve, Hyseni e ka kundërshtuar, duke rikujtuar se ndarja e Kosovës do të nxiste ridefinimin e kufijve në tërë Ballkanin.
“Kosova nuk beson që bashkësia ndërkombëtare ka heqë dorë nga parimet që i ka aprovuar vet. Por, në rast se dikush do të ketë mendime ndryshe apo do të marrë një qëndrim tjetër, atëherë nuk mund të marrë fund ky proces vetëm me ndarjen apo ri-vizatimin e kufijve të Kosovës, por do të vazhdoj edhe me ri-vizatimin e kufijve të shumë njësive shtetërore në Ballkan”, tha Hyseni.
Në takimin e Vjenës, pala kosovare do të përfaqësohet nga niveli më i lartë politik dhe do të kryesohet nga presidenti Fatmir Sejdiu.
XS
SM
MD
LG