Ndërlidhjet

PAS STATUSIT, KOSOVA FILLON TË PAGUAJË OBLIGIMET FINANCIARE


Nadie Ahmeti

Për shkak të moszgjidhjes së statusit të Kosovës, Qeveria e Kosovës ende nuk ka filluar të paguajë obligimet financiare ndaj institucioneve ndërkombëtare financiare që Kosova ka marrë para viteve të 90-ta, kur ishte pjesë e Ish- Jugosllavisë. Edhe pse ende mungojnë shifra të sakta se sa ka borxh ndërkombëtar, pala kosovare ka pranuar se do të kthejë vetëm borxhin që është marrë në kohën e ish – Jugosllavisë dhe që është shfrytëzuar për nevoja të Kosovës. Muharrem Shahini zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, pohon se përmbushja e obligimeve ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare mund të fillojë vetëm pas zgjidhjes së statusit. Ai thotë se vetëm atëherë do të definohet qartë se sa ka borxh ndërkombëtar Kosova. “Normal që ka borxh, por sa do të jetë ai, duhet të dihet pas zgjidhjes së statusit. Atëherë bëhen kalkulimet, marrëveshjet rishikohen edhe një herë sa janë ato borxhe dhe vetëm atëherë mund të përkufizohet se sa është shkalla e borxhit dhe këstit që duhet të paguhet”, thotë Shahini.
Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike mendojnë se Kosova ka borxh ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare mbi 800 milionë dollarë, pa llogaritur kreditë që ka marrë Serbia pas viteve të 90-ta. Skënder Berisha profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se këto borxhe duhet të llogariten edhe njëherë pas zgjidhjes së statusit edhe pse sipas tij, këto kredi janë shfrytëzuar për ndërtimin e liqeneve artificiale dhe për hidro-ekonominë e Kosovës. “Sipas shënimeve më të reja të cilat nuk janë të verifikuara, me rezervë duhet me i marrë, borxhet aktuale të Kosovës, ndaj botës së jashtme duhet me qenë prej 850- 860 milionë dollarë“, tha Berisha.
Por, Muharrem Shahini, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, insiston se qeveria ende nuk ka të dhëna të sakta për borxhin ndërkombëtar.
“Mbledhja e të dhënave deri më tani nuk është e saktë, sepse duhet të ulen palët në tavolinë dhe t’i shohim se sa janë borxhet. Dhe borxhet që pretendon shteti i Serbisë që Kosova i ka, a janë të sakta ato apo nuk janë. Megjithatë, kjo është paraparë edhe në Planin e Ahtisaarit dhe është e rregulluar më këtë plan se si do të shkojë kjo marrëveshje dhe si do të paguhen këto borxhe”, shprehet Shahini. Skënder Berisha, ndërkaq thotë se pas viteve të 90-ta Kosova nuk ka pasur qasje në shënimet e borxheve të veta. Ato shënime i ka Serbia dhe qasja në dokumentet që flasin mbi këtë çështje është pamundësuar për shkak të statusit të pazgjidhur, thotë Berisha. Sipas tij, institucionet kosovare, pas definimit të statusit, duhet të kërkojnë nga bankat ndërkombëtare financiare që një pjesë e borxhit të riprogramohet, ndërkaq pjesa tjetër të shlyhet. “Duhet riprogramuar për një afat prej 3-5 vjet varësisht nga bisedimet. Edhe eventualisht një pjesë mund të kërkojmë të na shlyhet. Sepse ashtu praktikohet. Kështu e shohin këto institucione, kur ndonjë vend nuk është në gjendje objektivisht të paguajë një pjesë të borxhit, ajo pjesë shlyhet”, pohon Berisha.
Ndryshe, edhe në pakon për statusin e Kosovës thuhet se Kosova merr përsipër shlyerjen e borxheve të ish-Jugosllavisë në rastin kur përfituesi përfundimtar është i vendosur në Kosovë. Por, në qoftë se Kosova dhe Serbia nuk pajtohen për përmbushjen e caktimit të borxheve në propozimin e Martti Ahtisaarit gjithashtu thuhet se një vit pas fuqizimit të marrëveshjes për statusin Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të emërojë një arbitër që do të merret më ndarjen e borxheve midis të dyja palëve.

XS
SM
MD
LG