Ndërlidhjet

MBI 400 MIJË NXËNËS FILLOJNË PROCESIN MËSIMOR


Nadie Ahmeti

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, sot, ka filluar viti i ri shkollor dhe sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të gjitha përgatitjet në këtë drejtim tashmë kanë përfunduar. Mimoza Hasani, zëdhënëse në këtë ministri, jep më shumë hollësi: “Sipas statistikave të MASHT-it, vitin shkollor 2007/2008 do ta vijojnë mbi 400 mijë nxënës të nivelit para-fillor, fillor dhe të mesëm, në gjithsejtë 959 shkolla amë. Këtë vit shkollor, për herë të parë, mësimin në klasën e parë do ta fillojnë rreth 36 mijë nxënës. Po ashtu, në këtë vit shkollor zbatohet edhe klasa e pestë sipas sistemit të ri arsimor, që përmbyll ciklin e reformimit të arsimit fillor në Kosovë”, bëri të ditur zonja Hasani. Ndryshe, edhe në këtë vit, Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte paralajmëruar mundësinë e mbajtjes së një greve për të përmirësuar kushtet, në të cilat punojnë 27 mijë punëtorë të arsimit. Kjo mundësi është hedhur poshtë pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës, që pagat e të gjithë punonjësve të arsimit të rriten për 12 për qind. “Për këtë vit shkollor, me gjithë mundësitë e limituara buxhetore, MASHT dhe Qeveria e Kosovës kanë siguruar një rritje pagash prej 12 për qind për mësimdhënësit. Kjo rritje, sado e vogël, do të ndikojë në përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve”, u shpreh zonja Hasani. Por, përfaqësues të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës thonë se kjo shumë, megjithatë, nuk i plotëson nevojat e punëtorëve të arsimit. Zenel Zeka, nga kjo sindikatë, tha se kjo marrëveshje është pranuar për shkak të situatës politike në të cilën gjendet Kosova dhe me kusht që pas zgjidhjes së statusit, gjendja e mësimdhënësve të përmirësohet edhe përfundimisht. “Absolutisht, kjo nuk është e mjaftueshme. Nuk mjafton as 50 e as 100 për qind, sepse pagat janë shumë të vogla, çmimet janë shumë të mëdha. Por, për momentin, duke parë situatën politike që po mbretëron, morëm vendim edhe kësaj radhe që të pranojmë këtë ofertë”, tha zoti Zeka. Kërcënimet e sindikalistëve për grevë ende nuk kanë mbaruar. Sindikalistët kanë kërkuar që shuma e ofruar prej 12 për qind të përfshijë të gjithë punëtorët e arsimit, e jo vetëm mësimdhënësit, siç ka ndodhur para dy vjetësh, kur pagat janë rritur për shtatë për qind. Dhe, kërkesa tjetër ka të bëjë me reformat në klasën e pestë dhe moslargimin e mësimdhënësve pas zbatimit të këtyre reformave. Zoti Zeka tha se nëse këto marrëveshje nuk realizohen deri më 10 shtator, sindikalistët do të ndërmarrin veprime. “Deri më datën 10 shtator e kemi një afat, një lloj ultimatumi. Në qoftë se vetëm një punëtor na mbetet pa punë, atëherë do të aktivizohen të gjitha mekanizmat që mund t’i kemi në përdorim, sepse kjo mund të jetë vetëm një lojë, me çfarë jemi mësuar deri më tani. Pra, deri më datën 10 ne duhet të presim dhe të shohim si e kemi situatën në terren, pastaj do të veprojmë”, theksoi zoti Zeka. Sidoqoftë, ende nuk dihet se sa mësimdhënës do të largohen, për shkak të reformave që do të zbatohen në klasën e pestë. Në Ministrinë e Arsimit, ndërkaq pohojnë se në shumë komuna të Kosovës është bërë përzgjedhja e mësimdhënësve që do të angazhohen në klasat e pesta, nëpërmjet trajnimeve mbi zbatimin e planprogrameve të reja. Në cilindo rast, deri më 10 shtator, kjo çështje dhe ajo e pagave të mësimdhënësve, do të jetë temë diskutimesh midis ministrisë dhe sindikalistëve.
XS
SM
MD
LG