Ndërlidhjet

PËRMASAT E KRIMIT TË ORGANIZUAR NË KOSOVË


Nadie Ahmeti



Krimi i organizuar është i pranishëm edhe në Kosovë dhe format e kësaj pranie janë nga më të ndryshmet. Kështu pohojnë në Shërbimin Policor të Kosovës, duke konfirmuar se ka raste edhe të vrasjeve që kryhen në kuadër të krimit të organizuar. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, shpjegon më shumë: “Ato që janë planifikuar dhe që kanë rrjet më të gjerë për t’u hetuar, është vështirë për t’i zbuluar. Ashtu si në vendet tjera të botës, krimit të organizuar është vështirë t’i gjendet koka dhe i tërë rrjeti të bijë. Mirëpo, ne zakonisht kemi raste kur i zbulojmë dorasit, por kemi raste të tjera që duhet të punohet mjaft, në mënyrë që të zbulohen porositësit”. Përveç vrasjeve, zoti Elshani shpjegon edhe format tjera nëpërmjet të cilave vepron rrjeti i krimit të organizuar. “Kemi raste të ndryshme, ku kemi të bëjmë me trafikim apo kontrabandim të narkotikëve, trafikim të armëve, korrupsion, shpëlarje parash. Për të gjitha këto veprimtari që zhvillohen dhe që marrin më shumë se dy persona, në mënyrë që të kryhet një vepër e tillë, ne konsiderojmë se kemi të bëjmë me grup dhe zakonisht në këto raste kemi të bëjmë më krim të organizuar”, thotë zoti Elshani. Ndryshe, në një raport të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, perceptimet e qytetarëve kanë qenë se krimi i organizuar është i pranishëm në Kosovë dhe se një pjesë e madhe e qytetarëve janë të frikësuar se mund të bien viktima të krimit të organizuar. Virtyt Gacaferri, nga kjo organizatë, shpjegon se çfarë e kanë konsideruar qytetarët çështjen më kërcënuese për mirëqenien e tyre. “Krimi i organizuar konsiderohet si çështja e dytë më kërcënuese për familjet e njerëzve që janë anketuar për raportin e paralajmërimit të hershëm”, thotë zoti Gacaferri. Shërbimi Policor i Kosovës, luftën kundër krimit të organizuar e konsideron si një sfidë jashtëzakonisht të madhe, veçanërisht për faktin se ky shërbim, i themeluar më 1999, ka një përvojë jo të gjatë në këtë kuadër. Zoti Elshani, megjithatë, thotë se kjo sfidë e rëndë do të mund të përballej me një sukses më të madh, me një bashkëpunim më të ngjeshur të qytetarëve dhe institucioneve vendore. “Polici më i vjetër, i cili gjendet në kuadër të departamentit kundër krimit të organizuar, është me katër vjet përvojë pune. Por, duke marrë parasysh se këtu kemi përvoja të ndryshme të policisë ndërkombëtare, atëherë ne jemi duke ecur me hapa shumë të shpejtë përpara. Dhe, gjithnjë duhet të kemi parasysh se suksesi ynë varet edhe nga bashkëpunimi me qytetarë. Qytetarët mbesin vija e parë e luftimit të dukurisë së krimit të organizuar në përgjithësi”, thekson zoti Elshani.
XS
SM
MD
LG