Ndërlidhjet

SA ËSHTË I MUNDSHËM UNITETI I BE-SË RRETH STATUSIT TË KOSOVËS?


Arbana Vidishiqi

Qeveria e Kosovës beson se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të ndërtojë një qëndrim unik rreth statusit të Kosovës, duke e çuar atë drejt pavarësisë së saj. Kështu ka deklaruar sot Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, pas pohimeve të ministrit të Jashtëm francez, Bernard Kouchner, i cili ka kërkuar një unitet të Bashkimit Evropian mbi të ardhmen e Kosovës nëse bisedimet për statusin dështojnë. “Kosova është në Evropë dhe ardhmëria dhe e tashmja e Kosovës kanë implikimet më të mëdha në Evropë, sesa në çdo vend tjetër. Ka ardhur momenti që Unioni Evropian të arrijë unitetin, me një veprim të përbashkët ta sjellë Kosovën në fazën tjetër e që do të ishte pavarësia e Kosovës”, ka thënë zoti Arifi. Duke folur për fatin e bisedimeve që tashmë kanë filluar midis Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin ndërkombëtar, zoti Arifi shprehu bindjen se edhe gjatë këtij procesi pala kosovare do të dëshmojë se është e interesuar të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, përballë konfrontimit të Beogradit për të arritur deri tek ky qëllim. Kjo, sipas tij, padyshim do të ndikojë që Bashkimi Evropian të krijojë një qëndrim unik. “Shprehim bindjen tonë se edhe shtetet më pak të sigurta, apo që kanë ende paqartësi apo pasiguri për të ardhmen e Kosovës si shtet, do të binden se e vetmja zgjidhje për Kosovën dhe stabilitetin në rajon është një Kosovë e pavarur, e cila do të kyçej shumë seriozisht në procesin e integrimeve evropiane dhe do të bashkohej me familjen evropiane”, ka theksuar zoti Arifi. Lulëzim Peci, analist në Institutin Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, mendon se uniteti i Bashkimit Evropian për të ardhmen e Kosovës varet se për çfarë do të arrihet ky unitet. “Deklarata e zotit Kouchner ka qenë pak kundërthënëse, sepse ai po kërkon që të qëndrojë disi në mes të Amerikës dhe Rusisë. Mirëpo, mendoj se çështja e pavarësisë së Kosovës nuk ka mes. Dhe, për këtë arsye, unë nuk pres që Unioni Evropian do të mund ta ndërtojë kohezionin e nevojshëm brenda këtyre dy muajve që kanë mbetur”, u shpreh zoti Peci. Për Bashkimin Evropian, thotë ai, tani është më i rëndësishëm uniteti i tij, sesa vetë zgjidhja e çështjes së Kosovës. “Kundërshtimet brenda Unionit Evropian kanë ekzistuar që prej fillimit të Unionit Evropian. Mirëpo, rasti i Kosovës është rast që e ka sjellë në pikëpyetje vetë ekzistencën e politikës së përbashkët të Unionit Evropian, sepse nëse Unioni Evropian do të dështojë në Kosovë, ai do ta humbë komplet kredibilitetin, sepse do të dëshmohet paaftësia e tij për të zgjidhur çështje që gjenden brenda territorit evropian”, ka vlerësuar zoti Peci. Ndryshe, çështja e unitetit të Bashkimit Evropian mbi të ardhmen e Kosovës ka kohë që është shndërruar në temë debatesh, që prej fillimit të procesit për përcaktimin e statusit politik. Zyrtarë dhe analistë janë të bindur se edhe qëndrimi i Moskës në raport me Kosovën ka të bëjë pikërisht me krijimin e një hendeku midis vendeve anëtare të bllokut evropian, në kuadër të përpjekjeve për t'u, siç thuhet, rikthyer në agjendën globale.
XS
SM
MD
LG